29 Mars 2024

U mbajt Akademi Përkujtimore për Heroin e Kosovës, Rasim Kiçina

Prishtinë, 30 maj - Organizuar nën patronatin e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, u mbajt Akademi Përkujtimore në nderim të rënies heroike të Heroit të Kosovës, Rasim Kiçina dhe bashkëluftëtarit Ragip Halilaj, të cilët ranë heroikisht gjatë luftës në Kosovë, 17 vjet më parë.

Ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku, në emër të Qeverisë së Kosovës, para të pranishmëve foli për heroizmin dhe sakrificën e lavdishme të Rasim Kiçinës dhe të gjithë luftëtarëve të lirisë.

“Falë kësaj përpjekje, lufte dhe sakrifice, kemi arritur qëllimin që rrallëkush nga ne do ta ketë menduar 17 vite më parë. Liria është ideali më i lartë që kemi ëndërruar gjithmonë dhe kjo u arrit falë sakrificës së qindra e mijëra dëshmorëve dhe martirëve të kombit tonë. Ata janë në botën tjetër dhe shikojnë veprimet tona për konsolidimin e shtetit tonë, të ardhmes sonë. Sa herë që kemi sfida përpara, duhet ta kthejmë kokën prapa, jo vetëm 17 vite, por edhe shumë më herët në historinë tonë, e cila është e larmishme dhe na mbanë gjallë që të ecim përpara në të ardhmen tonë. Kjo nuk është e lehtë, sepse shtetndërtimi jonë ende nuk është kompletuar, por ne e kemi më të çmueshmen, atë për të cilën ranë dëshmorët, lirinë dhe kur e ke atë, të gjitha të tjerat janë të arritshme”, tha ministri i Integrimit Evropian.

Më tej, ministri Çollaku tha se familjet e dëshmorëve dhe bashkëluftëtarët e heronjve të kombit duhet të jenë gjithmonë krenarë.

“Edhe në momente dëshpërimi, mos e lëshoni vetën, ashtu siç nuk e kanë lëshuar veten heronjtë tanë, sepse ne do të dimë ta gjejmë rrugën përpara, do të dimë ta forcojmë shtetin tonë. Kemi shumë probleme, të papunë, kemi probleme në zhvillimin ekonomik të vendit, por e kemi themelin e fortë, sepse ky themel është ndërtuar me sakrificën e djemve dhe bijave më të mira të kombi tonë. Për këtë të gjithë duhet të jemi krenarë dhe falë veprës së tyre, e cila përjetësisht do të mbetet në mendjen tonë, sepse sa herë i kujtojmë, ua dimë rëndësinë shumë më tepër shtetit dhe lirisë sonë. Unë shpresoj që fëmijët e të gjithë dëshmorëve tonë, së paku do ta kenë të sigurt jetën dhe të ardhmen e tyre dhe, nëse e arrijmë këtë gjë, edhe heronjtë tanë do të ndihen të qetë në botën e amshuar”, tha ai.

Ministri Bekim Çollaku, në emër të Qeverisë, shprehu respektin dhe konsideratën më të lartë për të gjitha familjet e dëshmorëve.

“Qytetarët e Kosovës përjetësisht do t’i jenë mirënjohës kësaj vepre të lavdishme që kanë lënë pas heronjtë e vendit tonë. Respekt dhe i përjetshëm qoftë kujtimi për të gjithë heronjtë e Republikës së Kosovës dhe vepra e tyre le të jetë sinonim i brezave të ardhshëm”, tha ministri Çollaku.

Daut Haradinaj, bashkëluftëtar i Heroit Rasim Kiçina tha se Drenica ka dhënë heronj ndër breza dhe falë kësaj sakrifice sot jemi këtu ku jemi.


“Për mua ka qenë nder i veçantë ta njoh personalisht Rasim Kiçinën, jo vetëm në Drenicë, por ta njoh në Dukagjin, ta njoh në Llap, ta njoh në Shalë. Aty ku ishte nevoja ishte pushka e Rasim Kiçinës, ishte pushka e Mujë Krasniqit, e Ilazit, e Abedin Rexhës dhe e të gjithë atyre luftëtarëve të mëdhenj të kombit shqiptar që veten nuk e kursyen. Ata njerëz e dhanë jetën që ne sot të jemi të lirë, por edhe kjo liri e ka kushtin e vet, themelimin e shtetit, ndërtimin e shtetit, forcimin e shtetit, respektimin e vlerave”, tha Haradinaj.

Në emër të bashkëluftëtarëve para të pranishmëve foli edhe Muharrem Xhemajli.

Ndërkaq, Fejzi Kiçina familjar i Heroit Rasim Kiçina i falënderoi të pranishmit për pjesëmarrje në këtë Akademi Përkujtimore.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)