19 Prill 2024

40 përqind e qytetarëve ndihen të sigurt në Kosovë

Prishtinë, 5 maj - Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, ka lansuar rezultatet e Edicionit Special të Barometrit Kosovar të Sigurisë mbi Trendët e Perceptimeve të Qytetarëve për Sigurinë Publike në Kosovë në katër vitet e fundit (2012 -2015).

Gjatë kësaj periudhe, mesatarisht, 40 përqind e qytetarëve ndihen të sigurt në Kosovë, 40 përqind nuk kanë ndonjë mendim të ndarë dhe as nuk ndihen sigurt dhe as pasigurt, përderisa 20 përqind e qytetarëve ndihen të pasigurt në Kosovë. Shikuar në katër vitet e fundit është shënuar një trend pozitiv i kufizuar në perceptimet mbi sigurinë e përgjithshme publike. Megjithatë, kriza politike në vend viteve të kaluara e ka stagnuar këtë trend pozitiv kundrejt ndjenjës së sigurisë tek qytetarët. 

Lagjet e banuara nga komuniteti serb dhe ato përgjatë vijës kufitare me Serbinë (të banuara nga komuniteti shqiptar) rezultojnë të ndihen më pak të sigurta në krahasim me qytetarët e rajoneve të tjera të Kosovës. Në anën tjetër, gratë kanë shprehur shkallë pak më të lartë të ndjenjës së sigurisë në shtëpitë/apartamentet e tyre në krahasim me burrat. Mirëpo, ndjenja e tyre e sigurisë zvogëlohet dhe është dukshëm më e ulët në nivel të komunitetit.
Ndër arsyet kryesore që kanë ndikuar në ndjenjën e sigurisë tek qytetarët nuk ndërlidhen me mbrojtjen që ata gëzojnë nga institucionet shtetërore e të sigurisë. Për më tepër, 52 përqind e qytetarëve ndihen të sigurt me faktin që ata jetojnë në një lagje të mirë dhe 35 përqind me faktin që ata jetojnë jetë normale dhe respektojnë ligjin dhe rendin. Në anën tjetër, vetëm  4 përqind e qytetarëve deklaruan që ndjehen të sigurt sepse institucionet shtetërore të sigurisë e kryejnë mirë punën e tyre. 

Për sa i përket bashkëpunimit polici-qytetar, rezultatet e katër viteve të fundit tregojnë që është rritur kontakti ndërmjet qytetarëve dhe policisë dhe njëkohësisht edhe besimi i qytetarëve ndaj policisë. Poashtu, shumica e qytetarëve kanë shprehur gatishmërinë e tyre për të raportuar krimin tek policia. Mirëpo, pavarësisht këtyre rezultateve, vërehet që janë rritur edhe shqetësimet e qytetarëve në lidhje me shpalosjen e identitetit nga ana e policisë në rast të raportimit dhe efektivitetin e policisë në luftimin e krimit dhe dukurive tjera negative. 

Aksidentet në trafik, plaçkitjet dhe kafshët endacake perceptohen si tri sfidat kryesore të sigurisë publike. Në katër vitet e kaluara, mesatarisht 17,700 aksidente trafiku kanë ndodhur në vit, rreth 10,000 njerëz janë lënduar dhe më shumë se 120 persona kanë humbur jetën çdo vit. Ngjashëm, rreth 7000 plaçkitje janë raportuar në polici në dy vitet e fundit. Në anën tjetër, vetëm një përqindje e ulët e qytetarëve e konsideron dhunën në familje si problem komuniteti në Kosovë dhe për më tepër vërehet dozë ngurrimi për tu përgjigjur drejt mbi këtë çështje. Përveç kësaj, është shqetësues fakti që vërehet mungesë serioze e vetëdijes lidhur me dhunën në familje, posaçërisht kur kemi të bëjmë me format e ndryshme të manifestimit të saj.
Përmirësimi i sistemit arsimor dhe zhvillimi ekonomik janë identifikuar nga më shumë se 90 përqind të respondentëve si dy masat primare të cilat do të ndikonin në përmirësimin e sigurisë publike në Kosovë.

Publikimet e ardhshme të QKSS deri në fund të muajit maj dhe fillim të muajit qershor 2016:
Integriteti në Policinë e Kosovës dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës
Përceptimet e Qytetarëve mbi Ekstremizmin

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)