19 Prill 2024

KMDLNj: Të ndalet gjuha e urrejtjes!

Prishtinë, 8 shkurt - Liria e fjalës dhe e shprehjes së mendimit është dhe do të mbetet njëra ndër të drejtat elemtare të njeriut mbi të cilat mund të ndërtohet një shoqëri demokratike dhe jo – diskriminuese për të gjithë qytetarët e Kosovës pavarësisht përkatësisë etnike, bindjeve fetare, racore, statusit në shoqëri, orientimit seksual dhe bindjeve politike.

Diversiteti i mendimeve të shprehura përmes fjalës së lirë është vlerë fundamentale e demokracisë dhe në atë shoqëri ku nuk respektohet ky parim kryesisht kemi të bëjmë me regjime totalitare apo me anarki.  Të gjitha dokumentet relevante për të drejtat e njeriut , duke filluar nga Deklarata Universale për të Drejtat e Njeriut e Kombeve të Bashkuara, Konventa Evropiane për të Drejta e Njeriut dhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës e garantojnë dhe e mbrojnë lirinë e  fjalës dhe të shprehjes duke sanksionuar ata që e mohojnë apo e shkelin këtë të drejtë.

Kosova si çdo vend i botës që është duke e kaluar  periudhën e pasluftës apo kohën e trazicionit , prej një vendi ku ka mbizotëruar dhuna deri te përpjekjet për ndërtimin e një demokracie është përballur dhe po përballet me kufizimin apo instrumentalizimin e  lirisë së fjalës dhe të shprehjes dhe një numër jo i vogël  i gazetarëve është kërcënuar, është keqtrajtuar fizikisht dhe ka pasur edhe raste me fatalitet
në mbrojtje të lirisë së fjales dhe lirisë së shprehjes. Me infrastrukturën ligjore të Kosovës është rregulluar çështja e lirisë së fjalës dhe të shprehjes ndonëse ka hapësirë për përmirësimin e kësaj të drejteje  duke i sanksionuar shkelësit apo mohuesit  gjë që nuk është bërë sa duhet deri më tani.

Përkundër këtyre përparimeve për KMDLNj –në është shqetësues fjalori fyes, përjashtues, paragjykues gjë që po përdoret kohëve të fundit në hapësirën mediatike të Kosovës ku më shumë trajtohet personi (ad hominem ) se dukuria e cila trajtohet. Ky fjalor po përdoret në një luftë të ashpër  qe po bëhet midis pozitës dhe opozitës ku, asnjëra palë nuk mund të shquhet për korrektësi apo respektimin të kodit të mirësjelljes ( qoftë ai politikan apo gazetar).

Paragjykimi se dikush qenka kriminel, vrasës, hajdut, rrospi e Serbisë, qen apo këlysh serb, se e ka nënën serbe dhe se ka gjak serbi se qenka kurvë e Smederevës, se paraardhësi i tyre ua ka ndukur mishin me darë shqiptarëve, se ka trafikuar organe dhe shumë cilësime tjera, pa e kaluar një proces të rregullt gjyqësor nuk ka të bëjë fare me lirinë e fjalës por paraqet rast eklatant i linçimit dhe pushkatimit mediatik gjë që është në kundërshtim të plotë me ligjet në fuqi.

Ky fjalor është intensifikuar sidomos në kohën e ngërçit politik që edhe sot është duke zgjatur.

Agresivitetin e fjalorit përjashtues dhe fyes po e përdorin edhe politikanët serbë që po hyjnë në Kosovë , sikur në bahçe të babës si dhe  Kisha Ortodokse serbe në Kosovë e cila çdo sulm kundër serbëve ende pa përfunduar hetimet e paraqet si të motivuar etnikisht sikur që të gjitha sulmet, të sqaruara dhe të pasqaruara i paraqet si sulme të radikalizmit islamik apo të ISIS – it. Përgjithësimi i një sulmi apo dukurie e kualifikuar si radikalizëm është shndërruar si xhoker edhe në duart e disa politikanëve kosovarë.

Prandaj, KMDLNj i fton të gjitha palët të tregohen të përmbajtura, të mos përzihen në punën e hetuesisë,  prokurorisë dhe të gjyqësorit duke përdorur fjalor të urrejtjes sepse fjalori i urrejtjes është i mbushje për armën e cila pastaj edhe mund të shkaktojë viktima.

Deklarimi publik nënkupton edhe përgjegjësi publike dhe ligjore andaj fjalori i urrejtjes duhet të eliminohet si mjet për luftimin e kundërshtarëve politikë nëse e duan një shoqëri demokratike ndërsa për ata që janë në kundërshtim me ligjin në fuqi vetëm gjykatat janë kompetentë të caktojnë fajësinë apo pafajësinë e tyre. Mosmarrëveshjet politike dhe lufta për pushtet nuk e arsyetojnë asnjë cilësim paragjykues, përjashtues dhe fyes, as në baza etnike, fetare, racore, besimit fetar, bindjeve politike, statusit shoqëror apo orientimit seksual ndryshe! Totalitarizmi verbal është derë hyrëse në një anarki faktike !
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)