20 Prill 2024

Qeveria vlerëson profesionalizmin e pjesëtarëve të policisë së Kosovës

Prishtinë, 6 shkurt  - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, ka pritur sot në takim përfaqësuesit e Sindikatës së Policisë së Kosovës, të kryesuar nga Shaban Tasholli.

Në takim ishin të pranishëm edhe zëvendëskryeministri i parë, njëherësh ministër i Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi, ministri i Punëve të Brendshme, Skender Hyseni dhe ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi.

Pas takimit, ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi dhe përfaqësuesi i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Shaban Tasholli, kanë shprehur përkushtimin për bashkëpunim të mëtejshëm në funksion të avancimit të mirëqenies së pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.

Ministri Abrashi tha se gjatë takimit është biseduar për një numër çështjesh, duke shprehur vlerësimet më të larta të Qeverisë lidhur me profesionalizimin e Policisë së Kosovës.

“Mendojmë se është një prej policive më profesionale në regjion, ndoshta edhe shembull për policitë tjera, me profesionalizmin e tyre. Në kuadër të kësaj jemi duke krijuar mekanizma ligjor, institucionalë të cilët do të përkrahin edhe më shumë policinë”, tha Abrashi, duke theksuar përkrahjen financiare por edhe në krijimin e infrastrukturës e cila i siguron policët gjatë lëndimeve në detyrë, pensionimin e parakohshëm, sigurimet shëndetësore.

Ministri Abrashi theksoi se gjatë takimit u shpalosën shumë tema dhe u bisedua edhe për zhvillimet e fundit aktuale ku Policia e Kosovës është vënë në një pozitë shumë të vështirë.

“Policët po sulmohen për motive të ndryshme politike dhe kjo e vendos policinë në një situatë të vështirë, sidoqoftë reagimi i tyre ka qenë gjithmonë profesional dhe ne e çmojmë këtë”, tha Abrashi.

Shaban Tasholli, nga Sindikata e Policisë së Kosovës, ka falënderuar Qeverinë e Kosovës për përkrahjen e ofruar për mirëqenien e pjesëtarëve të policisë.

“Si pikë e veçantë ishte sigurimi shëndetësor. Ne e dimë se policisë kjo gjë i mungon shumë, sepse kemi të lënduar shumë në kryerje të detyrës por edhe sëmundje të ndryshme të tjera. Na është premtuar se do të shqyrtohet kjo në dy mënyra, në tërësi apo si sigurim personal, siç i ka Dogana. Biseduam edhe për pika të tjera për mirëqenie, për pajisjet që i kemi. Ne si çdo herë kemi pas mbështetje prej stafit menaxhues, prej Ministrisë, për punën tonë të mëtutjeshme”, tha Tasholli,

Lidhur me ngjarjet e fundit, Tasholli kërkoi që Policia të mos sulmohet gjatë protestave që po ndodhin.

“Kohëve të fundit i kemi disa lëvizje të cilat po na ndodhin në vendin tonë, protestat që po na ndodhin. Ne jemi të detyruar ta mbrojmë Kushtetutën, ta mbrojmë vendin tonë gjithherë, pavarësisht lëvizjeve politike që kanë qenë, dje, sot, nesër, kurdo të jenë, ne do të jemi në thirrje të popullit”, tha Tasholli, duke apeluar që gjatë çdo lëvizjeje apo proteste që bëhet Policia të mos sulmohet.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)