08 Maj 2024

Të ndërtohet një spital për të burgosurit!

Prishtinë, 3 korrik - Kohë më parë një i dënuar me 14 vite burg u arratis nga Spitali Rajonal në Pejë ku ishte dërguar pasi Qendra Korrektuese në Dubravë nuk kishte kushte për trajtimin e tij.

I dënuari ishte dërguar në Pejë me udhëzimin e mjekut të Burgut të Dubravës dhe në përputhje me procedurat për sigurinë në raste të tilla. Nuk ishte ky rasti i parë dhe nuk do të jet as i fundit që një i burgosur, duke shfrytëzuar pakujdesinë e ekipit përcjellës të arratiset pas së cilave ka reagime akuzuese dhe shfajësuese.

Në Kosovë, numri i të paraburgosurve dhe të dënuarve sillet midis  1800 – 2000  individë, mosha është e ndryshme dhe rrjedhimisht, në mesin e tyre ka të tillë me probleme të rënda apo të lehta shëndetësore që i kanë pasur para se të privoheshin nga liria apo sëmundje që i kanë fituar gjatë vuajtjes së dënimit.

KMDLNj,  si organizatë që monitoron qendrat e ndalimit, qendrat e paraburgimit dhe ato korrektuese shumë herë e ka ri – përsëritur kërkesën për ndërtimin e një qendre spitalore ku do të trajtoheshin të gjithë personat e privuar nga liria sepse, në rrethanat dhe me kapacitetet aktuale, njësia shëndetësore e Shërbimit Korrektues të Kosovës nuk ka potencial, as profesional e as teknik për trajtimin e tyre.

Për këtë arsye ka ankesa të shumta të burgosurve për trajtim jo – adekuat mjekësor sikur edhe kërkesa për trajtim mjekësor jashtë objekteve të Shërbimit Korrektues të Kosovës.

Për KMDLNj – në është e pa pranueshme që 16 vite pas përfundimit të luftës, përkundër rinovimeve të shumta ( kryesisht të dështuara) të institucioneve korrektuese dhe ndërtimit të kapaciteteve të reja, Pavijoni për Dëshmitarë të Mbrojtur, Qendrat e paraburgimit në Hajvali dhe Gjilan ( duke u ndërtuar) e sidomos Burgu për Siguri të Lartë në Dyz, askush nuk ka ndërmarrë iniciativë për ndërtimin e një qendreje spitalore për të burgosur me të cilën do të plotësoheshin kushtet e parapara sipas Ligjit për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale, Rregullave Evropiane të Burgjeve dhe Konventave që e parandalojnë trajtimin çnjerëzor dhe diskriminues.

Me ndërtimin e një Spitali për të burgosur do të binte ndjeshëm numri i rasteve të trajtimit jashtë ambienteve të burgut, do të zvogëloheshin në minimum shpenzimet për shërim jashtë burgut dhe këto mjete të kursyera do të përdoreshin për stimulimin e stafit mjekësor dhe përmirësimin e kushteve fizike për trajtim si dhe do të eliminohej rreziku për arratisjen e të burgosurve gjatë qëndrimit në QKUK apo në Spitalet Rajonale.

Procesi i transportimit të një të burgosuri nga vendi ku vuan dënimin deri në vendin e trajtimit kërkon angazhim të një numri të madh të personelit përcjellës, personelit që e ruan gjatë qëndrimit në trajtim jashtë burgut dhe është i kushtueshëm finaciarisht sikur edhe krijon kushte të favorizimit apo diskriminimit në bazë të statusit shoqëror që e kanë pasur më parë.

KMDLNj mendon se me zgjerimin e kapaciteteve në Burgun për Siguri të Lartë, do të mund të krijohej një spital për trajtimin e së paku 60 – 80 rasteve që janë më të rënda dhe ky spital do t’i plotësonte kushtet e parapara për siguri dhe ato klimatike. 


Ky investim nuk do të ishte shumë i kushtueshëm apo do të ishte shumë më pak i kushtueshëm se sa mënyra që zbatohet sot për trajtimin e rasteve për të burgosurit.

Deri atëhere, KMDLNj propozon  që në kuadër të QKUK – së apo Spitalit Rajonal ( kryesisht ai në Pejë) të ndahet një hapësirë prej 5 – 8 dhomave që do të ishte e veçuar nga hapësirat tjera dhe e cila më lehtë do të kontrollohej.

Nuk është aspak ndjenjë e mirë kur pacientët në QKUK apo Spitale Rajonale përballen me policë që i ruajnë të burgosurit dhe në këto raste edhe arratisja është shumë e lehtë. Këtë Marrëveshje duhet ta bëjnë Ministria e Shëndetësisë dhe Shërbimi Korrektues i Kosovës në të kundërtën edhe në të ardhmen do të përballemi me trajtim jo të mirë të burgosurve, kërkesat për trajtim jashtë burgut do të rriten, arrastisjet do të jenë në rritje, trajtim diskriminues, rritje të shpenzimeve materiale dhe shkelje të drejtave të njeriut të personave të privuar nga liria, sikur edhe të stafit që përkujdeset për ta.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)