19 Prill 2024

Kosovarët migrojnë për të gjetur punë jashtë vendit

Prishtinë, 30 qershor - Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) dhe Friedrich Ebert Stiftung (FES) organizuan tryezën me titull “Pse migrojnë Kosovarët? ”, me ç ‘rast u prezantuan dy hulumtime mbi këtë temë, të realizuara nga këto dy organizata.

Në tryezë ishin prezent përfaqësues të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, përfaqësues të organizatave lokale dhe ndërkombëtare si dhe një numër i madh i mediave.

Në fjalën hyrëse, Besa Luzha nga FES u shpreh që kjo tryezë është e veçantë për shkak se ofron një pasqyrë gjithëpërfshirëse të migrimit të qasur nga dy kënde të ndryshme dhe me këtë rast jep një pasqyrë të plotë të fenomenit të migrimit në Kosovë.

Këshilltari i Ministrit të Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), Michael Sauer, u shpreh që qëllimi kryesor i MPMS është për të menaxhuar migrimin i cili bëhet për arsye pune. Sipas tij, MPMS është e përkushtuar për alternativa ligjore të cilat mundësojnë angazhimin me punë jashtë vendit, identifikimin e alternativave ligjore për angazhim me punë në vende tjera përmes bashkëpunimit bilateral, dhe si përfundim, të zvogëlojë dhe të luftojë migrimin ilegal.

Përderisa, sipas Burim Ejupit, drejtor ekzekutiv i INDEP, migrimi është pjesë e pashmangshme e zhvillimit të shoqërisë, dhe njerëzit lëvizin nga fshati në qytet, nga një qytet në tjetrin, për të gjetur një jetë më të mirë. Lëvizjet në kohën e globalizmit janë të pashmangshme dhe në fakt ato mund të sjellin zhvillim të brendshëm të vendit.

Ai shtoi se brenga më e madhe për vendin në këtë kontekst është migrimi ilegal dhe ky duhet të jetë fokusi jonë dhe i politikave të qeverisë sonë për tu adresuar. Për më tepër, ai theksoi që ka nevojë për prezantim të masave konkrete dhe të prekshme për punësim nga ana e Qeverisë së Kosovës, në mënyrë që të kthehet shpresa tek qytetarët.

Gjatë prezantimit të punimit “Një vështrim mbi imigrimin e kosovarëve në BE: imigrimi si dukuri shumëdimensionale” të përgaditur nga INDEP, Zana Dobruna, autore e punimit,  shtjelloi kontekstin historik si dhe prezantoi informata të tjera ndihmëse lidhur me forcat që e nxitin emigrimin nga Kosova dhe më pas u fokusua tek eksodi i periudhës 2014-2015.

Sipas saj, në bazë të gjetjeve të punimit, mund të përfundojmë se ka pasur një tendencë në rritje për migrim pas luftës. Shihet qartë që është kryesisht gjinia mashkullore e cila e lëshon vendin për të gjetur punë jashtë vendit dhe pastaj për të shikuar mundësitë për të tërheq gjithë familjen.

Po ashtu, është mosha nga 18-34 vjeç që migrojnë më së shumti, duke shpresuar që të gjejnë mundësi për punë. Sipas statistikave del që Kosovarët migrojnë më së shumti drejt Gjermanisë dhe Zvicrës.

Për më tepër, sipas saj, është interesante të shihet që vala e fundit e migrimit përkon me trendet interesante demografike të BE-së, ku sipas statistikave të EUROSTAT, më shumë se gjysma e popullsisë së BE-së është mbi 41 vjeç, përderisa mosha dominuese e emigrantëve nga Kosova është e grupmoshës 18-34 vjeçare.  

Ndërsa punimi i FES “Fluksi i migracionit drejt Evropës: njerëzit, mënyrat dhe arsyet”, autorja e punimit, Bardha Qirezi, shpalosi trendet e fundit të migrimit, duke pasqyruar të dhëna direkte nga individët të cilët ndoqën rrugën e migrimit gjatë periudhës 8-14 shkurt, dhe të atyre të cilët tashmë ishin vendosur nëpër kampet e refugjatëve në Gjermani gjatë muajit shkurt, por të cilët ishin larguar nga Kosova gjatë valës së migrimit janar-shkurt. Si pjesë e këtij prezantimi u shpalosën raste konkrete dhe përvoja të veçanta të qytetarëve të Kosovës të cilët emigruan gjatë fluksit të fundit.

Prezantimet u pasuan me debat të thuktë dhe gjithëpërfshirës, me ç ‘rast përfaqësues të institucioneve të ndryshme kërkuan që përfundimisht të bëhet një koordinim në mes të masave të ndërmarra nga institucionet zyrtare dhe të mundësohet identifikimi i alternativave konkrete për të adresuar këtë problem shoqëror.

Gjithashtu, rëndësi e veçantë iu dha nevojës për të shfrytëzuar arsimin dhe trajnimin profesional si një ndër mënyrat më strategjike për të bërë një gjë të tillë, ku u bë thirrje për koordinim të politikave në mes të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës si dy akterët përgjegjës për këtë fushë.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)