29 Mars 2024

Hyseni kërkon përkrahje për anëtarësimin e Kosovës në Interpol

New York, 28 maj - Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës z. Skender Hyseni, gjatë qëndrimit të tij në New York, dje dhe sot ka vazhduar me një sërë takimesh me përfaqësues të përhershëm të vendeve të akredituara pranë Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) me qëllim të sigurimit të mbështetjes sa më të gjerë për anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL.

Në veçanti, Ministri Hyseni ka zhvilluar takime me Ambasadorin Vladimir K. Safronkov, zëvendës Përfaqësues i Përhershëm i Federatës Ruse pranë OKB-së, Ambasadorin Sebastiano Cardi, Përfaqësues i Përhershëm i Italisë, Ambasadorin Vladimir Drobnjak, Përfaqësues i Përhershëm i Kroacisë, Ambasadorin Yoshifumi Okamura, zëvendës Përfaqësues i Përhershëm i Japonisë, Ambasadorin Alvaro Mendonca e Moura, Përfaqësues i Përhershëm i Portugalisë, Ambasadorin Ib Petersen, Përfaqësues i Përhershëm i Danimarkës, Ambasadorin Martin Sajdik, Përfaqësuesin e Përhershëm të Austrisë, si dhe Ambasadorin Francois Delattre, Përfaqësuesin e Përhershëm të Francës pranë OKB-së.

Në të gjitha takimet, Ministri Hyseni ka biseduar me përfaqësuesit e përhershëm për nevojën e intensifikimit të rolit të Kosovës në bashkëpunimin policor ndërkombëtar duke theksuar profesionalizmin e Policisë së Kosovës dhe gatishmërinë e saj për të qenë partner i barabartë në luftimin e krimit të organizuar sidomos nëpërmjet shkëmbimit të informacioneve me vendet anëtare të INTERPOL-it.

Me gjithë respektin për rolin e UNMIK-ut deri më tash Ministri ka theksuar se është esenciale që Kosova të ketë qasje direkt në informacionin e INTERPOL-it dhe të ofrojë informacion nga ana e saj rreth çështjeve që bien nën juridiksionin e INTERPOL-it.

Rrjedhimisht, Ministri Hyseni u ka kërkuar përfaqësuesve të përhershëm që të mbështesin Kosovën në përpjekjet e saja për tu bërë anëtare e plotë e INTERPOL-it, si mekanizëm tejet i rëndësishëm për bashkëpunim policor.

Ministri Hyseni është ndarë nga këto takime me bindjen se Kosova ka bërë progres të jashtëzakonshëm sidomos në aspektin policor viteve të fundit dhe për këtë ka përkrahjen e vendeve që të bëhet pjesë e INTERPOL-it.

Ministri Hyseni po vazhdon takime me përfaqësues tjerë të përhershëm deri në përfundim të vizitës së tij të enjten.


 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)