26 Prill 2024

KMDLNj: Përgjegjësia për dështime në drejtësi nuk është individuale

Prishtinë, 25 maj - Kohëve të fundit është shtuar presioni dhe kërkesa nga partitë opozitare për shkarkimin e ministrit të Drejtësisë, z. Hajredin Kuçi.

Kjo kërkesë ka qenë edhe mbetet si njëra nga kërkesat e partive opozitare në protestën e fundit që u organizua nga opozita sikur që edhe u kërkua në interpelancën e fundit në Kuvendin e Kosovës ku u ftua dhe u përgjigj në pyetjet e deputetëve z. Kuçi, ministër aktual i Drejtësisë.

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut vlerëson se akuzat ndaj ministrit të Drejtësisë janë gjenerale e që identifikohen me dështimin në sistemin e Drejtësisë si tërësi dhe specifike,  siç janë përgjegjësia për krijimin e Gjykatës Speciale apo “Dhomave të Veçanta”si dhe favorizimi i të arrestuarve apo të dënuarve (nga partia e z. Kuçit) e që konsiderohen si VIP të arrestuar dhe të dënuar.

KMDLNj pajtohet se sistemi i drejtësisë në Kosovë është shumë i brishtë dhe në shumë segmente jofunksional por adresa e përgjegjësisë në asnjë mënyrë nuk mund të identifikohet vetëm me ministrin aktual të Drejtësisë apo me një ministër që më herët ka qenë në këto pozitë.

Para z. Kuçit këtë post e kanë ushtruar Jonuz Salihaj si anëtar i AAK-së, e ndjera Nekibe Kelmendi nga LDK dhe për disa muaj edhe Haki Demolli nga LDK. Të gjithë jemi dëshmitarë se në fushën e drejtësisë kompetencat kanë qenë në duar të ndërkombëtarëve ndërsa tanët vetëm e kanë bartur tupanin. 

Po ndalemi vetëm në dy kërkesa të opozitës me të cilat KMDLNj pjesërisht pajtohet e që kanë shërbyer si arsyetim dhe argument për të kërkuar dorëheqjen e ministrit Kuçi:

1.Përgjegjësia e z. Kuçi për formimin e Gjykatës Speciale që po del se është materializim i një raporti të Dik Martit për dyshime se disa pjesëtarë të UÇK-së kanë vrarë civilë të pafajshëm serbë dhe joshqiptarë pasi i kanë rrëmbyer dhe i kanë dërguar në Shqipëri ku ua kanë marrë organet dhe i kanë trafikuar ato organe.

Akuzë e çmendur krejtësisht nëse merret parasysh koha kur ka ndodhur kjo dhe rrethanat në të cilat dyshohet se ka ndodhur trafikimi. Por, sqarimi i kësaj çështjeje dhe akuze nga Dik Mark dhe Karla Del Ponte më tepër po del të jetë çështje politike se çështje drejtësie.

KMDLNj e ka kundërshtuar themelimin e kësaj Gjykate Speciale jo pse është kundër hetimeve për krime eventuale të luftës dhe krime kundër njerëzimit por pse kjo Gjykatë po e legalizon dhe afirmon ndarjen e drejtësisë sipas parimit ekskluzivisht etnik ku të gjithë të hetuarit, të akuzuarit apo të dënuarit eventual janë vetëm shqiptarë kurse hetuesit, gjyqtarët, prokurorët dhe gardianët e burgjeve ku ata do të mbahen të paraburgosur apo si të dënuar janë të huaj.

Drejtësia që ndanë drejtësi që për fakte ka përkatësinë etnike, si për të dyshuar ashtu edhe për viktima është drejtësi selektive apo padrejtësi flagrante.

Drejtësi shembullore është ajo drejtësi kur ata që janë dyshuar apo u vërtetohet se kanë kryer krime dënohen në përputhje me përgjegjësinë konkrete të tyre pavarësisht përkatësisë etnike sikur që edhe viktimat i trajton si viktima , gjithashtu pavarësisht përkatësisë së tyre etnike e që qartazi nuk është qëllimi i Gjykatës Speciale.

Për themelimin e Gjykatës Speciale për krimet e supozuara sipas raportit të Dik Martit kanë votuar më herët  të gjitha subjektet politike, pjesë e Kuvendit të Kosovës (përjashtuar disa individë) ndërsa kundër themelimit të kësaj gjykate si subjekt politik ka qenë vetëm Vetëvendosja. T

ash, pasi Gjykata Speciale po themelohet me vendim politik të ndërkombëtarëve (BE, SHBA dhe si kërcënim edhe me OKB) e pëlqimin politik për këtë e kanë dhënë edhe trileqja politike e Kosovës (ish kryeministri, presidentja dhe ish kryetari i Kuvendit) është e pamoralshme të gozhdohet vetëm ministri Kuçi i cili më shumë ka qenë korrier midis ndërkombëtarëve dhe trileqes politike kosovare se një faktor që ka ndikuar në këtë proces e të mos flasim fare për rolin e tij vendimmarrës për formimin e “Dhomave të Veçanta” që është përpjekje që t’i iket terminologjisë se bëhet fjalë për Gjykatën Speciale.

Qartazi, tjerët i kanë hëngër hudhrat ndërsa vetëm ministri Kuçi po thonë po i vije erë hudhre.  E pamoralshme, pa dyshim! Pastaj, shumica e ligjeve që janë votuar në Kuvendit e Kosovës (disa esencialisht e kanë dëmtuar Kosovën) janë miratuar nga deputetët e pozitës dhe opozitës (atëherë LDK, AAK, tash Nisma) ndërsa vetëm nga Vetëvendosje nuk janë votuar. Kjo është e vërteta prandaj e themi se përgjegjësia për dështimin e drejtësisë nuk është individuale por sistemore. Është edhe më e keqe se shumë ligje  janë votuar në pako në Kuvend (në asnjë vend normal nuk ndodh kjo!!) dhe pa u lexuar fare nga deputetët!

Dhe e dyta:

2. Trajtimi i të akuzuarve dhe dënuarve si persona VIP! Se në Kosovë ka persona të arrestuar dhe të dënuar e që janë trajtuar dhe trajtohen si VIP, KMDLNj e ka thënë këtë para disa viteve kur Hajredin Kuçi nuk ka qenë fare ministër i Drejtësisë.

Edhe në kohën kur burgjet janë menaxhuar nga ndërkombëtarët ka pasur VIP të burgosur, edhe në kohën e Jonuz Salihajt, Nekibe Kelmendit dhe Haki Demollit ka pasur VIP të burgosur sikur që ka të tillë edhe në kohën e Hajredin Kuçit.

KMDLNj e thotë me përgjegjësi se as më parë e as sot VIP e burgosur nuk janë trajtuar e as nuk trajtohen në bazë të përkatësisë partiake prandaj është e padrejtë të kërkohet përgjegjësi individuale (dorëheqje) për një përgjegjësi kolektive që ka qenë më parë e që është edhe sot.

Të privilegjuar ka pasur dhe janë ish pjesëtarët të UÇK-së, kësi të FARK-ut, anëtarë të PDK-së, LDK-së, AAK-së, Nisma për Kosovës dhe njerëz të fuqishëm të nëntokës pa identitet politik dhe partiak por të fuqishëm financiarisht. Si “përfitues” të trajtimit VIP janë përjashtuar vetëm aktivistët e arrestuar të Vetëvendosjes dhe jo për shkakun se janë diskriminuar për shkak të përkatësisë partiake por se e kanë refuzuar një trajtim të tillë.

Trajtim të tillë ka pasur edhe në mesin e të burgosurve dhe të dënuarve të pakicave kombëtare përkatësisht serbët janë trajtuar si të tillë.

KMDLNj nuk pajtohet me deklaratën e ministrit Kuçi, se disa të burgosur apo të dënuar gjithmonë do t’i trajtojë si heronj sepse heronjtë trajtohen si të tillë vetëm deri sa nuk inkriminohen në vepra të rënda kriminale.

Nëse dënohen për vepra të rënda kriminale duhet të trajtohen në përputhje me peshën dhe natyrën e veprës sikur të gjithë personat e tjerë të dënuar për vepra penale.

Prandaj, si përfundim, para Hajredin Kuçit duhet të japin dorëheqje politikanët që kanë dhënë pëlqimin për formimin e Gjykatës Speciale (trileqja politike vendimmarrëse) sikur edhe ata që kanë bërë presion dhe kanë pasur ndikim për trajtimin e të burgosurve dhe të dënuarve si VIP.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)