26 Prill 2024

Bashkëpunimi çelës në luftimin e korrupsionit dhe shpëlarjes së parave

Prishtinë, 28 prill - Ministri i Drejtësisë, Prof. Dr. Hajredin Kuçi, sot ka marrë pjesë në konferencën përmbyllëse të projektit kundër Krimit Ekonomik në Kosovë – PECK, me ç’rast u bë lansimi i raportit të vlerësimit mbi pajtueshmërinë me standardet ndërkombëtare në fushën e luftimit të pastrimit të parave dhe luftimit të financimit të terrorizmit, (LPP/LFT).

Në këtë konferencë, Ministri Kuçi duke folur për rëndësinë e këtij projekti, tha se PECK-u ka qenë një ndër projektet më të rëndësishme që BE, në bashkëpunim me Këshillin e Evropës dhe institucionet e tjera kanë realizuar në Kosovë.

Ministri Kuçi tha se lufta kundër korrupsionit, shpëlarjes së parave dhe financimit të luftimit të terrorizmit, është një proces i vështirë dhe sfidues. Në angazhimin tonë të deritanishëm, shtoi Kuçi, kemi hedhur hapat e parë duke krijuar parakushtet ligjore dhe resurse për të luftuar këto dukuri.

“Arkitektura të cilën e kemi ndërtuar, është në fazën e saj fillestare, por që ka dhënë rezultate të dukshme. Legjislacioni nga ky raport, i Kodit Penal dhe Procedurës Penale është adekuat për luftimin e këtyre tri dukurive, por kemi vërejtur edhe rekomandimet ku shihet nevoja për amandamente në mënyrë  që të lehtësohet puna, qoftë e hetuesve, prokurorëve, por edhe e gjyqtarëve”, tha Kuçi.

Ministri Kuçi, tha se do të jenë  të kujdesshëm që të përmirësojnë infrastrukturën ligjore, në veçanti të ketë dispozita që do të mundësonin zbatimin e tyre të lehtë në praktikë dhe njëkohësisht vështirësimin e aktiviteteve të gjithë atyre që pretendojnë të bëjnë vepër të terrorizmit, shpëlarje të parave apo edhe të korrupsionit.

Lidhur me raportin e publikuar, Ministri Kuçi tha se do të merren masa konkrete lidhur me rekomandimet e përfshira në këtë raport, si në Kodin Penal dhe të Procedurës Penale, ashtu edhe rekomandimet lidhur Bashkëpunimin Juridik Ndërkombëtar.

“Kemi vërejtur që në përgjithësi sa i përket legjislacionit, përkatësisht Kodit Penal dhe Kodit të Procedurës Penale dhe ligjet e tjera të ndërlidhura, raporti vënë në pah se këto akte në përgjithësi përputhen me standardet Evropiane. Sidoqoftë, ne i kemi pranuar dhe do ti pranojmë rekomandimet e dhëna në kuadër të projektit që kanë për qëllim përmirësimin e kornizës ligjore, veçanërisht në ato dispozita ku për arsye të ndryshme është hasur në vështirësi në zbatimin e tyre në praktikë” ka thënë Kuçi.

Lidhur me nevojën e bashkëpunimit ndërinstitucional, e cila theksohet në këtë raport,  Ministri Kuçi tha se, sistemi institucional dhe ai i drejtësisë janë të strukturuara në formën e zinxhirit hallkorë. “Suksesi varet në funksionimin e drejtë dhe efikas të secilës prej këtyre hallkave, mjafton që një nga institucionet, të mos funksionojë në nivelin e duhur, dhe kjo mund të shkaktojë dështim në tërë sistemin. Andaj suksesi në luftimin e këtyre dukurive negative mund të arrihet vetëm me bashkëpunim të ndërsjellë në mes të të gjitha institucioneve” tha Kuçi.

Ai ka kërkuar që të ketë një partneritet me BE-në dhe SHBA-në si dhe vendet e Rajonit, në mënyrë që të luftohen këto dukuri, në veçanti tha ai, do të kërkohet bashkëpunim në bartjen e eksperiencave për përgatitjen e kuadrove për kriminalitetin kibernetikë dhe atë financiar.

Dukurit e veprave penale të cilat përfshihen në Kodin Penal, përfshirë vrasjet dhe vepra tjera të rënda, duhet të dënohen, tha Kuçi. Dukuritë e luftimit të korrupsionit, shpëlarjes së parave, terrorizmit, e cenojnë të gjithë shoqërinë në Republikën e Kosovës, dhe me këtë rast angazhimi ynë do të jetë edhe më i madh në parandalimin e këtyre dukurive, shtoi Kuçi.

Ministri Kuçi ka premtuar që rekomandimet e këtij raporti do t’i marrin me shumë seriozitet,  ndërsa luftimin e këtyre tri dukurive do t’i kenë prioritet.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)