19 Prill 2024

FSK-a forcon bashkëpunimin me Ministrinë e Mbrojtjes së Norvegjisë

Prishtinë, 21 prill - Ministria për Forcën e Sigurisë së Kosovës (MFSK) dhe Qendra për Integritet në Sektorin e Mbrojtjes të Ministrisë së Mbrojtjes të Norvegjisë (CIDS), sot, më 21 prill 2015, në Ministrinë për Forcën e Sigurisë së Kosovës (MFSK) lansuan dy projekte: “Mbështetja për Sistemin e Menaxhimit të Resurseve Njerëzore në MFSK” dhe “Forcimi i integritetit të kornizës punuese në MFSK”.
 
Qëllimi i këtyre projekteve është mbështetja për MFSK-në në periudhë kohore prej tri viteve, si dhe të kontribuojë në krijimin e një integriteti publik më të mirë të kornizës punuese duke reduktuar rreziqet institucionale të korrupsionit e promovimit dhe profesionalizmit meritokratik në MFSK. Ministria e Mbrojtjes së Norvegjisë përmes CIDS, ka premtuar angazhimin e saj për të mbështetur qeverisjen demokratike dhe mekanizmat e kontrollit të MFSK-së.

 Në fjalën e tij tematike, Sekretari i Përgjithshëm i MFSK-së, z. Shkëlzen  Sylaj tha: “Përmes këtyre projekteve, po hapim një kapitull të bashkëpunimit bilateral në mes të dy ministrive, Ministrisë për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe Ministrisë së Mbrojtjes të Mbretërisë së Norvegjisë.

Fjala është për dy projektet e bashkë iniciuara me Qendrën e Integritetit të Ministrisë së Mbrojtjes së Norvegjisë që kanë të bëjnë me fuqizimin e kapaciteteve të burimeve njerëzore në MFSK dhe ngritjen e integritetit në MFSK. Edhe pse dy projekte të ndara, që të dyja janë komplementare sepse për qëllim final kanë ngritjen e kontrollit civil demokratik në MFSK dhe fuqizimin e parimeve të qeverisjes së mirë. Fakti që dy projektet janë tre-vjeçare, tregon angazhimin tonë të përbashkët me Qendrën e Integritetit të Ministrisë së Mbrojtjes së Norvegjisë.

Kontributi i Norvegjisë në reformën e sektorit të mbrojtës dhe sigurisë është shumë i nevojshëm dhe shumë i mirëseardhur për MFSK-së.

Ne presim që kjo mbështetje e çmuar do të bëhet formale nëpërmjet një marrëveshje bashkëpunimi ndërshtetërore, përkatësisht ndërmjet MFSK dhe MM së Norvegjisë. Kësisoj, do të forconim edhe më shumë karakterin e bashkëpunimit”.

Gjithashtu, Sekretari Sylaj u shpreh i bindur në thellimin e bashkëpunimit në mes të këtyre dy ministrive “Ne jemi të bindur që përvoja juaj në funksion të qeverisjes së mirë do të jetë tejet e nevojshme për konsolidimin e MFSK-së dhe përqafimin e kritereve të NATO-së. Ai Shprehi përkushtimin e MFSK që të jetë shumë bashkëpunues dhe të ofroj gjithë gatishmërinë me qëllim të arritjes së objektivave të këtyre projekteve. Ne do të punojmë në masa të veçanta kundër të gjitha dukurive negative duke marrë për bazë parimet e definuara me programin e NATO–s, BE–së dhe SHBA–ve, për ngritjen e Integritetit (Building Integrity Programme). Për këtë u jemi mirënjohës Qendrës së Integritetit të Ministrisë së Mbrojtjes së Norvegjisë për këtë mbështetje”, përfundoi fjalën e tij, Sekretari i Përgjithshëm i MFSK-së, z. Shkëlzen Sylaj.

Para të pranishmëve foli edhe zëvendësministri i MFSK-së, z. Fadil Gashi i cili tha se  iniciativat që kanë për qëllim ngritjen e bashkëpunimit dhe bashkëveprimit ndërshtetëror, do t’i shërbejnë në mënyrë të drejtpërdrejtë fuqizimit të kontrollit civil demokratik në Ministrinë për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe në Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Ndërsa Ambasadori i Norvegjisë Jan Braathu tha se, Integriteti dhe qeverisja e mirë janë të rëndësishme për të gjitha vendet. Korrupsioni ndikon në tërë shoqërinë dhe në fund të fundit vetë shtetin. Pjesëmarrja e Kosovës në Programin “Building Integrity” është shumë e rëndësishme. Ai gjithashtu sjell Kosovën më afër procesit të saj të integrimit në NATO. Gjithashtu me një fjalë tematike u inkuadrua z. Svein Eriksen (Center for Integrity). Prezantimin e këtyre projekteve “Mbështetje personelit dhe ngritja e integritetit në MFSK” e bëri Florian Qehaja udhëheqës i ekipit për Kosovë.

Në takimin e sotëm ishin prezent: Sekretari i Përgjithshëm i MFSK-së, Shkëlzën Sylaj, zëvendës ministri i MFSK-së, z. Fadil Gashi, komandanti i FSK-së gjenerallejtënant Rrahman Rama, gjeneral brigade Zymer Halimi, drejtori i Drejtorisë për Politika dhe Plane në MFSK Faruk Geci, ambasadori i Norvegjisë Jan Braathu, Svein Eriksen(Center for Integrity), përfaqësues të ambasadave në Kosovë, atashe ushtarak të ambasadave të akredituara në Kosovë, drejtori i Ekipit Këshillues të NATO–s, (NAT) Dominic-Haydn Braithwaite, zyrtar të Ekipit Këshillues Ndërlidhës të NATO–s (NLAT), KFOR–it, këshilltarja e MODA–së, znj. Meg Ardner, zyrtarë dhe oficerë të lartë të MFSK/FSK etj.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)