19 Prill 2024

Italiani i UÇK-së që ra dëshmor për Kosovën

Prishtinë, 31 mars - Heronjtë shuhen në heshtje. Francesco Bider, hebre me origjinë dhe shtetas italian, njihet shumë pak nga populli shqiptar.

Po çfarë e lidhi atë me shqiptarët? Francesco iu bashkua luftës çlirimtare të Kosovës, aty ku edhe ra dëshmor. Francesco Bider lindi në një familje hebrenjsh në Rosazza të Piemontes dhe më pas u konvertua në besimin katolik.

Me nisjen e luftërave jugosllave ai u angazhua në vitin 1993 duke ndihmuar që 500 aktivistë të paqes të arrijnë në Bosnje-Hercegovinë, ku vetëm karvani i tij mundi të hyjë në qytet.

Francesco u impresionua shumë nga filmi “Black Cat, White Cat” i Emir Kusturicës që në opinionin e tij paraqiste një luftë simbolike midis të mirës dhe të keqes, midis jetës dhe vdekjes.

Më pas ai udhëtoi me të tjera misione paqeje në Kukës, aty ku ishin ngritur kampet e refugjatëve shqiptarë nga Kosova, që ishin përzënë brutalisht nga ushtria serbe. Francesco u trondit nga pamja e kampeve të refugjatëve dhe kjo e shtyri atë t’i bashkohej UÇK-së në luftën për çlirimin e Kosovës, pavarësisht pikëpamjeve të tij pacifiste dhe antimilitare.

Pas një muaji pritje, Francesco u bashkua me UÇK-në duke fituar simpatinë për vendosmërinë e treguar. Ai  ra dëshmor gjatë një prej betejave më të përgjakshme, asaj të Koshares, më 7 maj 1999 pas plagëve të marra gjatë luftimeve.

“La Repubblica” në një shkrim të sajin në vitin 1999,  thoshte se Francesco Bider është i vetmi perëndimor i rënë në luftën e Kosovës. Ai u varros në qytetin e Kukësit. Familjarët u njoftuan për lajmin e vdekjes pas tre muajsh nga shokët e tij të cilët emigruan pas lufte në Austri.  (Shekulli)




 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)