18 Prill 2024

Themelohet Komisioni për hartimin e Kodit Civil

Prishtinë, 30 mars - Ministria e Drejtësisë sot ka organizuar takimin e parë të Komisionit për Hartimin e Kodit Civil të Republikës së Kosovës, takim ky  që u kryesua nga Ministri i Drejtësisë, Prof. Dr. Hajredin Kuçi.

Në fjalën e tij para të pranishmëve, Ministri Kuçi ka folur për rëndësinë e themelimit të Komisionit për hartimin e Kodit Civil, që është i përbërë nga ekspertë vendorë, njohësit më të mirë të lëmisë civile, i përbërë nga teoricien dhe prakticien, të cilët do të mbështeten nga ekspertët ndërkombëtarë përmes projekteve të cilat i kemi sot këtu.

Ministri Kuçi tha se, themelimi i këtij Komisioni nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës është pjesë e asaj që kemi projektuar si arkitekturë të drejtësisë në vendin tonë dhe si pjesë e asaj që e quajmë, standarde të domosdoshme në ndërtimin e sistemit të drejtësisë.

“Ne së bashku me partnerët ndërkombëtar po e ndërtojmë sistemin e drejtësisë me ambicie të mëdha dhe me synime që të përmbushim pritjet e qytetarëve tanë dhe partnerëve ndërkombëtar, për një sistem që ofron drejtësi për të gjithë, që respekton të drejtat e liritë e njeriut dhe që drejtësia vendoset me përgjegjësi, profesionalizëm dhe guxim”, ka thënë Kuçi.

Ministri Kuçi ka theksuar punën që është bërë deri më tani në hartimin e ligjeve sistemore dhe Kodeve, sidomos në fushën Penale. “Ministria e Drejtësisë, përveç angazhimit për plotësimin e infrastrukturës ligjore për drejtësinë penale, gjegjësisht hartimin dhe finalizimin e Kodit Penal dhe Kodit të Procedurës Penale, ka përgatitur dhe finalizuar ligjet përkatëse për drejtësinë civile duke përfshirë në radhë të parë Ligjin për Marrëdhënien e Detyrimeve, Ligjin për Procedurën Kontestimore, Ligjin për Procedurën Jokontestimore, Ligjin për Trashëgiminë, Ligjin për Familjen, Ligjin për Procedurën Përmbarimore, si dhe plotësim/ndryshimet e ligjeve përkatëse” shtoi Kuçi.

Sipas tij, nëse vitet e shkuara kanë qenë vite të ndërtimit të sistemit të drejtësisë, tani janë vite të funksionalizimit të tij, të reformimit të thellë dhe të përafrimit të tij me sistemet e vendeve demokratike përmes kodifikimit edhe të së Drejtës Civile.

“Në Kosovë ka mbaruar periudha e nevojës që vetëm të kemi ligje, por tani po fokusohemi që të kemi ligje të mira, e ligje të mira janë ato që i respektojnë kriteret dhe standardet e BE-së, por njëkohësisht janë funksionale te ne. I tillë synojmë të jetë edhe Kodi Civil, për të cilin jemi edhe të përkushtuar”, ka thënë Kuçi.

Ministria e Drejtësisë ka përgatitur propozimin për emërimin e Komisionit për Hartimin e draft – Kodit Civil, duke marrë parasysh fushëveprimin dhe angazhimin e Ministrisë së Drejtësisë në vitet e fundit për hartimin dhe plotësimin e infrastrukturës ligjore për drejtësinë civile dhe penale, si dy nga shtyllat bazë të sistemit të drejtësisë.

Kuçi ka thënë se Kodifikimi i së drejtës civile në Republikën e Kosovës nuk ka nevojë që të jetë ndryshe nga kodifikimet që janë bërë në kontinentin e Evropës. Ministri Kuçi shtoi se nëpërmjet kodifikimit të së drejtës civile të Republikës së Kosovës dhe përgatitjes së Kodit Civil do të ndërtohet dhe stabilizohet materia civile-juridike si një nga shtyllat orientuese të sistemit dhe rendit juridik, duke kontribuar në forcimin e mëtejmë të sigurisë juridike të pjesëmarrësve në qarkullimin privat - juridik.

Ministri Kuçi ka falënderuar të gjithë bashkëpunëtorët të cilët kanë kontribuar, në veçanti, partnerët ndërkombëtar, Komisionin Evropian, përmes Projektit të GIZ-t për Mbështetje në hartimin e Kodit Civil dhe të Drejtat Pronësore, si dhe Projektit të USAID-it për Prona dhe partnerët tjerë ndërkombëtarë për mbështetjen e vazhdueshme në fushën e drejtësisë, duke përfshirë harmonizimin e legjislacionit të fushës civile dhe hartimin e Kodit Civil.

Për rëndësinë e themelimit të këtij Komisioni, ka folur edhe Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Isa Mustafa, i cili  ka deklaruar se mbështet të gjitha reformat që duhet të ndërmerren për të siguruar legjislacion koherent, si dhe një gjyqësor të pavarur dhe efikas.

Themelimin e Komisionit për hartimin e Kodit Civil e ka përshëndetur edhe Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, z. Samuel Zbogar, Kryeprokurori i Shtetit, z. Sylë Hoxha, Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, z. Enver Peci, si dhe përfaqësues të tjerë të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)