29 Mars 2024

Në FSK u certifikuan trajnerët e deminimit

Prishtinë, 27 - Ministri i Ministrisë për Forcën e Sigurisë së Kosovës(MFSK), Haki Demolli dhe gjenerellejtënant Rrahman Rama morën pjesë në ceremoninë e certifikimit të trajnerëve për Deminim, Eleminim të mjeteve të pashpërthyera(EOD) dhe pastrim të fushëbetejave (BAC), si dhe u zhvillua pranim-dorëzimi i një donacioni me pajisje shkollore dhe operacione të Deminimit, e dhuruar nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë.

Me këtë rast,  ministri Demolli në fjalën e tij tha se ekzistimi i zonave të minuara dhe njëkohësisht edhe zonave të afektuara nga to, nuk përbën vetë një rrezik potencial për jetën e njerëzve por edhe e rëndon gjendjen ekonomike të banorëve në këto zona, për shkak të pamundësisë për të pasur qasje në pronat e tyre.

Mënjanimi i mjeteve të rrezikshme, nga ato zona është një parakusht për shfrytëzimin e resurseve të saja natyrore. 

Për këtë arsye shtoi Ministri, Njësitë e Deminimit të FSK-së janë duke punuar në krijimin e një mjedisi të sigurte nga minat dhe mjetet tjera eksplozive të pashpërthyera.

Që nga viti 1999 e këndej në Kosovë janë pastruar gjithsejtë mbi 49 milion metra katror sipërfaqe dhe janë eliminuar 87 mijë e 162 mjete të pashpërthyera.

Në fund, ministri Demolli, theksoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë mbështetur në mënyrë të vazhdueshme FSK në këtë fushë, si me trajnime, pajisje e mbështetje tjera dhe më këtë rast Ai, falënderoi Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe instruktorët e komandës Amerikane për Evropë, të cilët trajnuan deminierët e FSK-së, ndërsa  Ambasada dhuroi donacion në vlerë prej 105 mijë dollarëve amerikan.

Ministri Haki Demolli  krejt në fund i uroi pjesëtarët e FSK-së për certifikimin dhe i përgëzoi ata se vazhdimisht po kryejnë një mision sa fisnik po aq edhe human.

Nga ana e tij, Komandanti i FSK-së gjenerallejtënant Rrahman Rama, u shpreh mirënjohës dhe falënderues ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Komandës së SHBA-ve për Evropë si dhe ndaj Ambasadës Amerikane për mbështetjen që po i japin FSK-së e në veçanti Kompanisë së Deminimi, si një prej njësive më rëndësi të veçantë për FSK-në dhe Kosovën. Gjeneral Rama i uroj gjithashtu edhe trajnerët e rinj të FSK-së për arritjet në përvetësimin e programit.

Në ceremoni ishte e pranishme edhe e ngarkuara me punë pranë Ambasadës Amerikane në Prishtinë, Jenifer Bacus e cila u shpreh se është e lumtur që gjendet në mesin e pjesëtarëve të FSK-së të cilët u certifikuan sot, si dhe për dorëzimin e donacionit në emër të Ambasadës Amerikane dhe Qeverisë Amerikane për FSK-në.

Ajo gjithashtu u shpreh e lumtur që instruktorët amerikan për tre javë kanë stërvitur trajnerët e FSK-së, për ti përgatitur ata që të trajnojnë të tjerët për deminim.

Zonja Bacus u shpreh se është e lumtur që FSK-ja  tani ka profesionist të mirë të kësaj fushe dhe se pajisjet janë një ndihmesë e madhe për kryerjen e punës me sukses. Ajo tha se donacioni në vlerë prej 105 mijë dollarëve është siguruar nga programit për ndihma i Komandës së SHBA-ve për Evropë.

Në fund të ceremonisë, ministri Demolli, përfaqësuesja e Ambasadës amerikane, zonja Bacus si dhe gjeneral Rama u ndanë certifikatat 15 pjesëtarëve që mbaruan trajnimin trajno trajnerët për deminim, si dhe u bë pranim dorëzimi i donacionit me pajisje shkollore dhe për operacione të deminimit.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)