23 Prill 2024

Kërkesat e kosovarëve për azil në Belgjikë do të refuzohen

Prishtinë, 3 mars - Ministri i Punëve të Brendshme i Republikës së Kosovës, Skender Hyseni priti në takim Sekretarin e Shtetit për Azil dhe Migrim të Belgjikës, Theo Francken, i cili po qëndron në Kosovë për fushatën treditore për parandalim të migrimit ilegal.

Në këtë takim u bisedua për marrëdhëniet bilaterale në mes të dy shteteve, bashkëpunimin në mes të dy policive, dhe në veçanti u theksua çështja e azilkërkuesve kosovarë në Belgjikë.

“Në pajtim me qëndrimin e qartë të Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme rreth kësaj çështjeje, unë i bëra ftesë delegacionit belg që procedurat për shqyrtimin e azilit nga ana e emigrantëve të parregullt nga Kosova të shkurtohen, të bëhen sa më efikase, në mënyrë që të gjithë ata qytetarë të cilët nuk mund të marrin azil, të kthehen në Kosovë sa më shpejtë”, tha ministri Hyseni.

Ai u shpreh se është interes i Republikës së Kosovës që numri i azilkërkuesve nga Kosova të bie në mënyrë rapide, duke qenë se çështja e azilkërkuesve është kriter i rëndësishëm në rrafshin e liberalizimit të vizave.

“Kosova ka plotësuar shumicën e kritereve teknike për liberalizim dhe mendojmë se liberalizimi më i shpejtë i vizave do të zvogëlonte dukshëm shkallën e migrimit ilegal”, shtoi ministri Hyseni.

Ndërsa Sekretari i Shtetit për Azil dhe Migrim i Belgjikës, Theo Francken, tha se Belgjika e konsideron Kosovën si shtet të sigurt dhe si pasojë e kësaj, kërkesat e kosovarëve për azil në këtë vend, do të refuzohen.

“Ata marrin një vendim negativ dhe do të kthehen në shtëpi duarbosh. Ne duhet t’i parandalojmë këto tragjedi njerëzore, duke u ofruar atyre informacion të saktë, duke i ndalur nisjet e kota “, tha sekretari i shtetit Theo Francken.

Të dyja palët theksuan se të gjitha kërkesat për azil që refuzohen, kthimi i  rregullt i të refuzuarve të bëhet shpejtë, në mënyrë që qytetarët të mos kalojnë në peripeci të panevojshme të pritjes dhe ankthit që e përjetojnë deri sa e presin rezultatin përfundimtar.



 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)