29 Mars 2024

Prokuroria ngriti aktakuzë kundër 7 personave për terrorizëm

Prishtinë, 2 mars - Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka ngritur aktakuzë, pranë Departamentit për Krime të Rënda të Gjykatës Themelore në Ferizaj, kundër të pandehurve: Zeqirja Qazimi, Ilir Berisha, Sadat Topojani, Burim Ballazhi, Jetmir Kyqyku, Liridon Kabashi dhe Ilir Krraba, për kryerjen e disa veprave penale që ndërlidhen me terrorizmin.

Të pandehurit: Zeqirja Qazimi, Ilir Berisha, Sadat Topojani, Burim Ballazhi dhe Jetmir Kyqyku, u kanë bërë thirrje personave të tjerë për të kryer ose për të marrë pjesë në kryerjen e veprave terroriste, të marrin pjesë në aktivitetet e grupit terrorist dhe të sigurojnë fonde dhe burime materiale, kështu që me këtë kanë kryer veprën penale: “Rekrutimi për terrorizëm”, nga neni 139 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Të pandehurit: Ilir Berisha, Sadat Topojani, Burim Balazhi, Liridon Kabashi dhe Ilir Krraba, kanë marr pjesë në veprimtarinë e grupit terrorist, në atë mënyrë që paraprakisht janë dakorduar që të shkojnë në luftë në Siri dhe t’i bashkohen grupit të shqiptarëve që kanë luftuar në anën e organizatës terroriste “ISIS”, me këtë kanë kryer veprën penale: “Organizimi dhe pjesëmarrja në grupin terrorist”, nga neni 143 par.2 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. 

I pandehuri Zeqirja Qazimi, duke e keqpërdorur pozitën e tij si Imam në Xhamin “ El-Kuddus” në Gjilan, publikisht ka nxitur dhe përhapur urrejtje, përçarje dhe mosdurim midis grupeve kombëtare, racore, fetare, etnike dhe grupeve tjera që jetojnë në Republikën e Kosovës, me këtë ka kryer veprën penale: “Nxitja e urrejtjes, përçarjes ose mos durimit kombëtar, racor, fetar apo etnik” nga neni 147 par.2 lidhur me par. 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

I  pandehuri Ilir Berisha, që nga muaji janar i vitit 2014 ka mbajtur në pronësi pa leje valide një pistoletë Ekol Special-99, e kall.9 mm Gas, me këtë ka kryer veprën penale: “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 374 par.1 të KPRK.  

Aktakuza është ngritur nga një prokuror vendës i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, i cili i ka propozuar Gjykatës që pas administrimit të provave dhe përfundimit të shqyrtimit gjyqësor të pandehurit, për veprat penale që akuzohen, t’i shpallë fajtor dhe t’i gjykojë sipas ligjit.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)