25 Prill 2024

Kodheli: Kosova është gati të ketë Forcën e saj të Armatosur

Tiranë, 27 janar - Ministri i ministrisë për Forcën e Sigurisë së Kosovës (MFSK), zotëri Haki Demolli,  sot, u prit me nderime të larta shtetërore nga ministrja e Mbrojtjes se Republikës së Shqipërisë, zonja Mimi Kodheli.

Ministri Demolli e falënderoi ministren e Mbrojtjes, zonjën Kodheli, për mbështetjen e dhënë me ekspertë shqiptar si pjesë e Misionit Këshillues të NATO-s pranë FSK-së, si dhe vlerësoi lartë prezencën dhe kontributin e ushtarakëve shqiptarë në kuadër të KFOR-it.

Gjatë takimit të dy ministrave, ministri Demolli e njoftoj gjithashtu ministren Kodheli mbi zhvillimin dhe profesionalizimin e FSK-së, pastaj mbi rekomandimet e dala nga procesi i Rishikimit Strategjik të Sektorit të Sigurisë të Kosovës, si dhe mbi përgatitjet që po bëhen rreth implementimit të këtyre rekomandimeve.

Ministri i FSK-së, zotëri Demolli u shpreh gjithashtu se ministria për FSK dhe FSK-ja janë shumë të angazhuara në intensifikimin e bashkëpunimit si dhe konkretizimin e këtij bashkëpunimi të ngushtë në shumë fusha në kuadër të marrëveshjes bilaterale dhe protokolleve të bashkëpunimit  ndërmjet të dyja ministrive.

Të dy homologët gjithashtu diskutuan për sfidat me të cilat po përballet sot rajoni. Ata vlerësuan marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve.

Nga ana e saj zonja Kodheli, fillimisht i uroi zotëri Demollit detyrën e re në qeverinë e Kosovës si dhe  shprehu edhe një herë tjetër vendosmërinë e Qeverisë shqiptare për mbështetjen e pakursyer sa i takon aspiratës euroatlantike të Kosovës.

 Znj. Kodheli tha se mbështetja e Shqipërisë për anëtarësimin e Kosovës në NATO do të jetë e gjithanshme.

“Reformat në FSK i konsideroj mbresëlënëse. Mendoj se Kosova është gati të ketë Forcën e saj të Armatosur, nëse të gjithë faktorët politikë të Prishtinës e mbështesin dhe e dëshirojnë këtë gjë. Rruga për anëtarësim në NATO është e vështirë, kërkon vizion, vendosmëri dhe korrektesë në përmbushjen e kritereve të forta që ka Aleanca. Ne do të jemi për ju këshilltarët, trajnuesit dhe udhërrëfyesit më të mirë në këtë rrugë”.

 Gjatë qëndrimit në Tiranë, ministri i FSK-së, Haki Demolli dhe delegacioni qe e shoqëron vizituan edhe Komandën e Forcave Speciale të Forcave të Armatosura shqiptare, në Zall Herr, ku u njoftuan nga afër me taktikat stërvitore për pjesëmarrje në misione paqeruajtëse, si dhe në përgjithësi mbi punën dhe aktivitetet e Batalionit të Forcave Speciale të FA të RSH.

 Në emër të ministrisë për FSK dhe ministrisë të Mbrojtjes të RSH, Planin për Bashkëpunim në Fushën e Mbrojtjes, për vitin 2015 e firmosën kolonel Ilir Qeriqi, shef i Departamentit për Siguri e Bashkëpunim Ndërkombëtarë dhe zotëri Igli Hasani, drejtor i Planifikimit strategjik të Mbrojtjes. 

Gjatë tërë vizitë ministri Demolli u shoqërua nga Ambasadori i republikës së Kosovës në Tiranë, zotëri Ramiz Lladrovci, ndërda pjesë e delegacionit nga MFSK-ja ishin: kolonel Ilir Qeriqi, shef i Departamentit për Siguri e bashkëpunim ndërkombëtarë, nënkolonel Enver Dugolli, atashe i Kosovës në Tiranë, Xhevdet Halili, shef i Kabinetit të ministrit dhe Gafurr Dugolli, shef i Protokollit në MFSK.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)