28 Mars 2024

Edhe OVLUÇK-ja s’merr pjesë në protestë

Prishtinë, 26 janar -   Shoqatat e dala nga Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) nuk do të marrin pjesë nesër në protestën e paralajmëruar gjithëpopullore për në orën 12:00 në Prishtinë.


Në një komunikatë të përbashkët të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Shoqatës së Invalidëve të Luftës së UÇK-së dhe Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së, thuhet se këto organizata nuk do të bëhen argat të partive politike që përmes dhunës synojnë pushtetin. 


“Ne ju bëjmë thirrje gjithë anëtarësisë tonë që të mos i përgjigjen thirrjes për protestën e nesërme, dhe po ashtu njoftojmë gjithë opinionin se ne nuk do të bëhemi argat të partive politike për të arritur qëllimet e tyre qoftë edhe të dhunshme që të vijnë në pushtet, e të cilat dëshirojnë t’i keqpërdorin pakënaqësitë e arsyeshme të qytetarëve të Kosovës dhe të drejtën e tyre që në mënyrë paqësore t’i shprehin pakënaqësitë përmes protestave paqësore”, është thënë në komunikatën e OVLUÇK-së.


Më herët edhe kryetarja e Shoqatës “Thirrjet e Nënave” Nysrete Kumnova ka paralajmëruar se nuk do të marrin pjesë në protestën e nesërme.
 
Komunikata e plotë e OVLUÇK-së:
 
Anëtarësia e gjerë e Shoqatave të dala nga Lufta e UÇK-së ishin pjesëmarrës të protestës së organizuar më 24 janar 2015 nga disa subjekte politike dhe nga disa shoqata të shoqërisë civile.

Pjesëmarrja jonë kishte të bëjë me mbështetjen e disa kërkesave elementare, që nënkuptojnë nëpërkëmbjen e lirisë së fituar me gjakun e Dëshmorëve të Kombit, qoftë  nga individë të qeverisë aktuale, qoftë edhe me disa veprime të Kuvendit të Kosovës, sidomos me veprimet lidhur me statusin e Trepçës. 


Por, duke parë se si po politizohej protesta, duke parë se si po partizohej protesta dhe rrjedha e saj, atëherë u bë e qartë se Shoqatat e dala nga Lufta e UÇK-së, më nuk e kishin vendin në një protestë të tillë. 


Sepse, jemi kundër çdo politizimi të protestave të tilla, ku cilësori kryesor do të duhej të ishte ruajtja e dinjitetit të lirisë sonë, si dhe ruajtje e pasurisë së Kosovës, e jo lufta partiake dhe politike, ku shahet një subjekt dhe lavdërohet një subjekt tjetër politik.

Po ashtu, organizatorët e kësaj proteste do të duhej të na jepnin një përgjigje të qartë dhe pa politizime të panevojshme, se kush ishin ata pjesëmarrës në protestë që ngrehnin tre gishta, që na rikujtonte simbolet e njohura sllave, sidomos në ngjarjet kundër shqiptarëve, që përfunduan me Luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Pra ato simbole nga Kosova nuk i kishte larguar politika e ditës në Kosovën e asaj kohe, por Lufta e UÇK-së.


Më tutje, Shoqatat e dala nga Lufta e UÇK-së, edhe pjesëmarrësit e kësaj proteste, të datës 24 janar 2015, shprehin qëndrimin e tyre kundër vandalizmit që mori përmasa rrugaçërie në atë protestë, kundër objekteve dhe pasurisë sonë, qoftë asaj shtetërore, qoftë asaj private. 


Këto dhe elementë të tjerë të mënyrës së manifestimit në këtë protestë, bën që të distancohemi nga veprime të këtilla të organizatorëve të protestës, kushdo qofshin ata.


Andaj duke u bazuar në këto ne ju bëjmë thirrje gjithë anëtarësisë tonë që të mos i përgjigjen thirrjes për protestën e nesërme, dhe po ashtu njoftojmë gjithë opinionin se ne nuk do të bëhemi argat të partive politike për të arritur qëllimet e tyre qoftë edhe të dhunshme që të vijnë në pushtet, e të cilat dëshirojnë t’i keqpërdorin pakënaqësitë e arsyeshme të qytetarëve të Kosovës dhe të drejtën e tyre që në mënyrë paqësore t’i shprehin pakënaqësitë përmes protestave paqësore.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)