23 Prill 2024

Ternava: Nuk ka ekstremizëm fetar në Kosovë

Prishtinë, 21 gusht - Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Naim Ternava ka thënë së BIK nuk do t\'i lejojë askujt të cenojë tolerancën fetare dhe ardhmërinë e Kosovës. 

Ai për DW prononcohet edhe për arrestimet e fundit dhe gjendjen nëpër xhami.

“Bashkësia Islame e Kosovës (BIK) e përkrah çdo aksion që vjen nga institucionet tona. Çdo aksion, i cili ka të bëjë me sigurinë e vendit, me ardhmërinë, prosperitetin dhe me çuarjen përpara të të gjitha proceseve të vendit tonë. Ne kemi një tolerancë jashtëzakonisht të madhe fetare, të cilën e kemi trashëguar shekuj me radhë dhe të cilën BIK synon ta ruajë edhe më tutje.\"

\"Ne me siguri që do të bëjmë çmos që ketë tolerancë dhe harmoni ndërfetare dhe ta ruajmë atë. Kjo tolerancë fetare karakterizon jo vetëm Kosovën por të gjitha trojet etnike shqiptare. Edhe një herë po e them: të arrestuarit me siguri që janë marrë për diçka. Ata janë të fajësuar dhe akuzuar por jo edhe të gjykuar. Janë të dyshuar për veprimtari, të cilën po e quajmë ekstremizëm, terrorizëm etj, por duhet të priten vendimet”, theksoi Ternava.

I pyetur se a ka ekstremizëm fetar në Kosovë, ai mohon këtë.

“Ju lutem, unë nuk them se ka ekstremizëm në Kosovë. A ka ekstremizëm, apo terrorizëm kjo mbetet të diskutohet edhe më tutje. Me siguri që ka të dyshuar për këtë, por shteti i di më mirë këto gjëra, sepse unë nuk jam i thirrur t\'i di ato.\"

\"Nga syri i një udhëheqësi të një bashkësie fetare autoktone, më të madhes në Ballkan, sigurisht që shoh dhe vërej atë që ndodh brenda xhematit tonë, brenda pjesëtarëve të komunitetit tonë të besimit islam. Po e them edhe një herë: BIK do të punojë me tërë fuqinë e vet në parandalimin e çdo mundësie të çfarëdo lloj ekstremizmi që dikush përpiqet ta fusë brenda komunitetit tonë. Është një e vërtetë e pamohueshme, se pas luftës, hyrjet dhe daljet në Kosovë kanë qenë në një farë mënyre të pakontrolluara”, nënvizoi kreu fetar mysliman në Kosovë.

Sipas tij, BIK sikur edhe deri tani përmes imamëve që i ka në tërë Kosovën, përmes trajnimeve, tubimeve dhe bisedave të ndryshme, në vazhdimësi ka tërhequr vërejtjen për rrezikun e futjes së elemetëve nga jashtë dhe ndikimin e tyre tek të rinjtë dhe xhemati jonë.

“BIK do të bëj gjithçka ka mundësi për të mirën e këtij vendi. Neve Zoti këtu na ka falë dhe mbi Kosovën nuk ka asgjë. Kosova është e shenjtë dhe nuk do të tolerojmë askënd t\'i bëj keq vendit tonë, sigurisë dhe ardhmërisë së vendit tonë, pavarësisht se kush është ai: ekstremist, terrorist apo dreq i mallkum!”, theksoi Naim Ternava. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)