20 Prill 2024

Për krime lufte do të ndiqen 23 shqiptarë

Prishtinë, 27 korrik - ​Në Prokurorinë Speciale të Kosovës janë duke u hetuar 35 persona nën dyshimin se janë të përfshirë në terrorizëm.

Proceseve gjyqësore që janë duke u zhvilluar ndaj ish pjesëtarëve të UÇK-së në Kosovë mund t’u shtohen emra të rinj. Kësaj radhe proceset do jenë të iniciuara nga prokurorët vendorë.

Shefja e Prokurorisë Speciale të Kosovës, Sevdie Morina, konfirmon se prokurorët vendorë janë duke hetuar 23 shqiptarë të dyshuar për krime lufte, ndonëse nuk ka dhënë detaje nëse do të ketë aktakuza.

“Janë pesë prokurorë vendorë që janë duke u marrë me këto raste dhe pas hetimeve do të dalim me rezultate”, ka thënë Morina.

Sipas saj këta prokurorë e kanë guximin dhe nuk do të ndikohen nga çfarëdo presioni që mund të vijë gjatë ose pas hetimit të këtyre lëndëve.

Kryeprokurorja në një intervistë për \"Drejtësia në Kosovë\" ka kritikuar mënyrën se si deri më tani organet e ndjekjes janë marrë me hetimin e krimeve të luftës pasi, sipas saj, shumë prova të vlefshme janë zhdukur dhe hetimi në disa raste është edhe i pamundur.

Morina e cila që nga qershori i këtij viti është vënë në krye të Prokurorisë Speciale pas ridefinimit të mandatit të EULEX-it, ka folur edhe për hetimet në rastet e terrorizmit dhe korrupsionit të cilat është duke i kryer kjo prokurori.

Sipas saj, në këtë prokurori janë duke u hetuar 35 persona nën dyshimin se janë të përfshirë në terrorizëm. Këta persona, tha ajo, kryesisht janë të dyshuar se kanë marrë ose janë duke marrë pjesë në luftën në Siri, si pjesë e grupit të shpallur terrorist ISIS.

Ndërsa duke folur për lëndët e korrupsionit, kryeprokurorja Morina ka bërë të ditur se ka një numër të madh të lëndëve të kësaj natyre dhe se janë duke punuar në ngritjen e aktakuzave. Ajo nuk ka përjashtuar mundësinë që në aktakuzat e reja të ketë edhe zyrtarë të lartë shtetërorë të dyshuar për korrupsion.

Morina ka kritikuar punën e prokurorive të tjera të vendit për mënyrën se si prokurorët e prokurorive themelore po kërkojnë që lëndët e tyre të barten në Prokurorinë Speciale. Ajo ka thënë se tashmë kanë nisur që në disa raste t’i kthejnë mbrapsht kërkesat e prokurorëve të prokurorive themelore që lëndët e tyre të barten në Prokurorinë Speciale. (KD/INA)

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)