28 Mars 2024

IKD prezanton raportin “Llogaridhënia e sistemit të drejtësisë në Kosovë”

Prishtinë, 16 prill - Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), me përkrahje të Fondacionit Kosovar për Shoqëri të Hapur (KFOS), ka mbajtur sot një tryezë diskutimi për llogaridhënien e sistemit gjyqësor dhe prokurorial në Kosovë.

Gjatë tryezës është prezantuar edhe raporti “Llogaridhënia e sistemit të drejtësisë në Kosovë”, i cili përmban gjetjet, vlerësimet dhe rekomandimet sa i përket llogaridhënies të sistemit gjyqësor dhe prokurorial.

Raporti ka analizuar llogaridhënien e pushtetit gjyqësor, përkatësisht të Këshillit Gjyqësor dhe Këshillit Prokurorial, karrshi dy pushteteve tjera, atij legjislativ dhe ekzekutiv si dhe funksionimin e mekanizmave të brendshëm të llogaridhënies për prokurorët dhe gjykatësit. Raporti thekson se për të ndërtuar besueshmëri patjetër se duhet siguruar transparencë dhe llogaridhënie të sistemit të drejtësisë.

Krahas funksionimit të sistemit të drejtësisë, është tejet e rëndësishme që të mbrohet pavarësia e sistemit gjyqësor dhe prokurorial dhe njëkohësisht të instalohen mekanizma efikas të llogaridhënies, ashtu që gjykatësit dhe prokurorët të jetësojnë parimet më të larta të interpretimit dhe zbatimit të ligjit.

IKD ka vlerësuar aspektin formal të llogaridhënies , i cili është ngritur pas hyrjes në fuqi e Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe ligjeve  bazike për sistemin e drejtësisë, të cilat kanë paraparë mekanizma të llogaridhënies. 

Por, raporti thekson mungesën e efikasitetit dhe efektivitetit të këtyre mekanizmave të llogaridhënies në praktikë, ku rezulton se deri më tash asnjë gjykatës dhe asnjë prokuror nuk është shkarkuar nga detyra për shkak të perfomancës së dobët.

Meqenëse në Kosovë mungon kultura e llogaridhënies, raporti thekson nevojën e përcaktimit të qartë të normave ligjore për të siguruar llogaridhënien, dhe që me evoluimin e kohës të synohet ndërtimi i kulturës së llogaridhënies.

Në Kosovë si KGJK ashtu edhe KPK kanë dy mënyra përmes të cilave sigurojnë llogaridhënien e brendshme. E para përmes rezultateve të performancës, të cilat sigurohen përmes realizimit të normave në aspektin kuantitativ dhe vlerësimit të punës në aspektin kualitativ. Dhe së dyti për hetimit të sjelljeve disiplinore të gjykatësve dhe prokurorëve dhe poashtu anëtarëve të KGJK-së dhe KPK-së, të cilat hetime janë nën mandat të Zyrës së Prokurorit Disiplinor.

Ekziston një fije e hollë e dallimit në mes të asaj se çfarë përbën llogaridhënie dhe çfarë përbën ndërhyrje në punën e gjykatësve apo prokurorëve. Kemi dy aspekte të llogaridhënies, aspektin e etikës apo disiplinimit si dhe aspektin e performancës. Njëri është kryesisht vlerësim për një akt të vetëm ndërsa tjetra ka të bëjë me vlerësim të veprimeve të gjykatësve për periudha më të gjata kohore.

Sistemi i drejtësisë aktualisht ka në fuqi Kodet e mirësjelljes, por të cilat nuk specifikojnë të gjitha veprimet deri në detajin e fundit, mirëpo japin një bazë të mirë për të interpretuar se çfarë përbën sjellje të pahijshme apo shkelje të parimeve.

Raporti thekson se KGJK dhe KPK kanë mungesë të një mekanizmi i cili do të nxirrte opinione apo do të bënte interpretim të çështjeve të ndryshme të Kodit. Në mungesë të një mekanizmi të tillë, rëndësia e Kodeve nuk është ngritur në nivelin e duhur.


Një ndër çështjet e trajtuara në raport është angazhimi jashtë-gjyqësor i gjykatësve dhe prokurorëve, të cilët punë dhe fokus primar e kanë punën e tyre në funksionin gjyqësor dhe prokurorial.

Çdo angazhim jashtë-gjyqësor/prokurorial i gjyqtarëve dhe prokurorëve duhet të peshohet se si vlerësohet një angazhim i tillë nga publiku, me fokus në atë se si vlerësohet nga vëzhgues që janë mirë të informuar për sistemin.

Në Kosovë, zyrtarët qeveritarë dhe zyrtarët e institucioneve tjera shtetërore kryesisht për shkak se mbajnë pozita me ndikim të madh në shoqëri, kanë përfituar edhe poste të shumta jashtë institucioneve ku punojnë. Një fenomen i tillë gjithsesi është paraqitur edhe tek personat që janë emëruar gjyqtarë dhe prokurorë.

Të gjitha këto veprime bëhen në kuadër të ligjit por gjithsesi ka hapësirë të interpretohen edhe si shkelje të Kodit të Etikës apo Sjelljes.

Në mesin e këtyre gjykatësve dhe prokurorëve ka edhe të atillë që ushtrojnë deri në nëntë funksione të ndryshme, ku përveç detyrës së gjyqtarit angazhohen edhe në punë analitike, mësimdhënie, si dhe angazhime tjera, të gjitha këto shpërblehen me të ardhura. 

Bazuar në komentarë të Kodeve të Etikës së Gjyqtarëve, gjykatësit nuk duhet të krijojnë përshtypjen se janë duke përdorur pozitat e tyre për avancimin e interesave personale. Raporti thekson madje se “ligjshmëria e sjelljes së gjyqtari, edhe pse është relevante, nuk është faktori i vetëm për përcaktimin e rregullsisë”. Disa gjyqtarë kanë të ardhura shumë të mëdha nga përfshirja në funksione tjera jashtë gjyqësorit, të cilat përafërsisht arrijnë pagën bazë të gjyqtarit. Këtu kemi një shkelje të Kodit të Etikës dhe Sjelljes Profesionale të Gjyqtarit, pasi që ky Kod nuk lejon që shuma e kompensimit të tejkalojë 25 përqindëshin nga paga e rregullt mujore e gjyqtarit.

Raporti përmban rekomandimet konkrete sesi duhet të zgjidhen problemet e llogaridhënies në sistemin gjyqësor dhe sistemin prokurorial, të cilat përfshijnë: përpilimin dhe avancimin e Kodit të ri të Etikës dhe Sjelljes Profesionale për gjykatësit dhe prokurorët, duke marrë parasysh standardet dhe dokumentet ndërkombëtare, sidomos Parimet e Bangalorit për Sjellje në Gjyqësor; Këshilli Gjyqësor dhe Këshilli Prokurorial duhet të krijojë një Komision për Etikë, i cili do të nxirrte opinione sa i përket çështjeve të ndryshme të cilat do të parandalonin shkeljen e kodit nga ana e gjyqtarëve dhe prokurorëve;

Zyra e Prokurorit Disiplinor duhet të pavarësohet nga KGJK dhe KPK, duke u themeluar si institucion i pavarur sepse vetëm në këtë formë mund të sigurohet pavarësi dhe të ngriten kapacitetet e një zyre që duhet të sigurojë se liritë dhe të drejtat e palëve janë garantuar dhe se sjelljet e gjyqtarëve dhe prokurorëve janë në nivel të cilin kërkohet nga ta dhe përbërja e Këshillit Gjyqësor dhe Këshillit Prokurorial të Kosovës duhet të ndryshojë në atë mënyrë që të sigurohet pavarësia si për sistemin gjyqësor ashtu edhe për sistemin prokurorial.

Pjesëmarrës në këtë tryezë ishin përfaqësuesit nga: Këshilli Gjyqësor i Kosovës, Këshilli Prokurorial i Kosovës, Sekretariatet e të dyja Këshillave, Zyra e Prokurorit Disiplinor të Kosovës, Kuvendi i Kosovës, Shoqëria Civile, Zyra e BE-së në Kosovë, OSBE dhe EULEX.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)