18 Prill 2024

Thaçi: Izolimi nga BE-ja është i padrejtë

Prishtinë, 28 tetor - Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka mbledhur sot Këshillin Kombëtar për Integrim Evropian.

Presidenti Thaçi ka theksuar se është jashtëzakonisht e rëndësishme që ky këshill të vazhdojë të funksionojë, por duhet të jetë kuptimplotë dhe i drejtuar kah rezultatet.

Presidenti ka thënë se Kosovës nuk i duhet edhe një takim, këshill, komunikatë apo fotografi protokollare më shumë. “Duhet të lëvizim edhe një hap më larg prej burokracisë dhe të shkojmë përpara një hap drejt komunikimit, bashkëpunimit dhe angazhimit konkret”, ka thënë presidenti Thaçi.

Ai ka thënë se këshilli duhet të jetë më shumë një platformë shtesë për të identifikuar bashkërisht mundësitë për ta avancuar procesin e integrimit të vendit tonë në Bashkimin Evropian, por edhe të adresojmë sfidat dhe ngecjet aty ku janë.

Presidenti Thaçi ka shtuar se qëllimi jonë i vetëm është ta ofrojmë vendin tonë përmes punës së përbashkët, më afër BE-së. Por, sipas tij, për këtë duhet të flasim hapur dhe konkretisht, se ku jemi dhe çfarë duhet të bëjmë.

“Prandaj edhe tema e takimit të sotëm është shumë konkrete: Izolim apo Integrim!”, ka thënë ai.

Presidenti Thaçi ka thënë se nëse shikojmë nga perspektiva e integrimit evropian, kemi të bëjmë me një situatë mbase paradoksale.  

Sipas tij, Kosova ka bërë hapat më të mëdhenj drejtë BE-së, duke kurorëzuar punën tonë të shtetndërtimit, të më se një dekade e gjysmë pas çlirimit dhe 8 viteve pas shpalljes së pavarësisë së Republikës së Kosovës.

Ai ka thënë se Kosova ka nënshkruar një marrëveshje kontraktuale të dyanshme mes Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian, kurse hyrja në fuqi e kësaj marrëveshjeje ka formalizuar dhe e bën të pakthyeshëm procesin e anëtarësimit të vendit në Bashkimin Evropian.

“Dje ishte përvjetori i parë i nënshkrimit të MSA-së, kësaj marrëveshjeje historike. Fatkeqësisht, kjo datë e rëndësishme kaloj në heshtje për shkak të situatës aktuale stagnuese në vendin tonë”, ka shtuar ai.

Presidenti ka bërë thirrje për një kulturë dhe maturi politike, për një debat të hapur politik, me respekt të ndërsjellë, që sjell zgjidhje të çështjeve me mjete demokratike.

Ai më pas është ndalur te dy çështje konkrete, te vazhdimësia e procesit reformues dhe te procesi i liberalizimit të vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës.

Presidenti Thaçi ka thënë se me gjithë zhvillimet dhe debatet me të cilat jemi duke u marrë, ne nuk kemi luksin që të lejojmë të kemi stagnim.

“Dhe këtu kemi të gjithë një rol. Tani kur kemi filluar të prekim rezultatet e para të zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit si një kontratë për të ardhmen tonë evropiane, duhet të dëshmojmë seriozitet dhe rezultate në zbatimin e obligimeve dhe reformave”, ka shtuar ai.

Si president i vendit, ai ka thënë se do të ofroj gjithë mbështetjen institucionale për të zbatuar këtë agjendë të reformave të cilat janë jo vetëm që janë të rëndësishme për të ardhmen tonë evropiane, por në radhë të parë e zhvillojnë vendin dhe përmirësojnë kualitetin e jetës së qytetarëve të vendit.

Presidenti ka folur edhe për çështjen e dytë, të cilës ka kërkuar që t’i kushtohet vëmendje e veçantë, për të përfunduar sa më shpejtë procesin e liberalizimit të vizave.

“Është e pajustifikueshme gjendja ekzistuese në të cilën qytetarët e Kosovës vazhdojnë të jenë të privuar nga e drejta për të lëvizur pa viza në vendet e Bashkimit Evropian, respektivisht në Zonën Schengen. Ne jemi të zgjedhur dhe kemi përgjegjësi kushtetuese dhe morale para qytetarëve tanë që ta zgjidhim problem”, ka thënë ai.

Presidenti Thaçi ka ritheksuar se sado e padrejtë të konsiderohet kjo qasje e Bashkimit Evropian në raport me Kosovën, e vërteta është që vendimi nga institucionet e BE-së për liberalizimin e vizave është peng i përmbylljes së ratifikimit të Marrëveshjes për shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi, por edhe me demonstrimin e rezultateve bindëse në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

“Si president i vendit e konsideroj krejtësisht jo të drejtë këtë qasje të Bashkimit Evropian”, ka shtuar ai.

Presidenti Thaçi ka pyetur përfaqësuesit e BE-së dhe ambasadorët e shteteve anëtare të BE-së, se sa kufij shtetëror i kanë shënuar dhe ratifikuar shtetet e rajonit, duke filluar nga Serbia, Maqedonia, Shqipëria, Mali i Zi dhe Bosnje e Hercegovina, përpara se BE-ja të merrte vendimin për liberalizimin e vizave?

Ai ka thënë se një përgjigje të zakonshme, që e dëgjojmë vazhdimisht në raste të tilla, është se BE-ja nxjerrë mësime nga përvojat dhe gabimet e mëparshme.

“Por, fatkeqësisht as ky argument nuk qëndron fare, sepse brenda disa javëve për qytetaret e Gjeorgjisë dhe Ukrainës, Parlamenti i Bashkimit Evropian dhe Këshilli i BE-së do të vendos për heqjen e vizave”, ka thënë presidenti.

“Cilët kufij shtetëror i kanë shënuar këto dy shtete për të cilat BE me entuziazëm pritet të merr vendim për heqjen e vizave?”, ka pyetur presidenti Thaçi.

Për të mos u keqkuptuar, presidenti Thaçi ka thënë se Kosova i gëzohet çdo vendimi për heqjen e vizave për qytetarët e së cilit shtet, por nuk pranon të diskriminohet në mënyrë të hapur nga BE-ja.

Presidenti Thaçi ka folur edhe për fuqizimin e luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

“Kjo është një punë e vazhdueshme, e cila duhet të fuqizohet edhe më shumë. Prandaj, as BE-ja dhe askush tjetër nuk ka të drejtë të bëj presione në punën e gjyqësorit, e cila do të vazhdojë edhe pas liberalizimit të vizave”, ka thënë presidenti Thaçi.

Në fund, presidenti Thaçi ka thënë se izolimi i padrejtë i kosovarëve duhet të marrë fund sa më shpejt që të jetë e mundur, sepse Bashkimi Evropian dhe shtetet anëtare të saj nuk e kanë as edhe një argument të vetëm që t’i mbajnë të izoluar qytetarët e Republikës së Kosovës.

Kjo është hera e parë, që presidenti Thaçi ka thirrur Këshillin Kombëtar për Integrim Evropian, prej që ka marrë këtë post në prill të vitit 2016.

 

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)