01 Maj 2024

Mustafa vlerësoi përkushtimin e komunitetit boshnjak

Prishtinë, 28 shtator - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë në konferencën ceremoniale për festimin e Ditës së Komunitetit Boshnjak në Kosovë.

Të pranishëm në këtë ngjarje ishin ministra, deputetë dhe zyrtarë të pushtetit lokal, përfaqësues të komunitetit boshnjak anekënd Kosovës, zyrtarë të misioneve dhe organizatave ndërkombëtare si dhe qytetarë të komunitetit boshnjak të Kosovës.

Me këtë rast, kryeministri Mustafa tha se historia e komunitetit boshnjak është histori e ndërtimit të urave të përbashkëta, duke dëshmuar vlera të ndërtuara me punë dhe përkushtim.

Kryeministri Mustafa po ashtu tha se Dita e Komunitetit Boshnjak është bërë një festë zyrtare e Republikës së Kosovës, e cila shënohet me respekt dhe e cila e respekton edhe historinë tonë të përbashkët.

“Prandaj, vlerësoj se ne kështu vazhdojmë traditën e begatshme të vendit tonë, në të cilin jetojmë bashkërisht, diversitetin kulturor, diversitetin etnik dhe fetar, dhe jemi të angazhuar që këtë diversitet ta forcojmë dhe ta mbajmë në vazhdimësi. Historia e komunitetit boshnjak në Kosovë është shembull i jetës së përbashkët, është histori e jona, ku bashkë e kemi ndarë të mirën dhe të keqen, është një histori me shumë mundime, por një histori e lavdishme dhe shumë e dinjitetshme”, tha kryeministri.

Duke vlerësuar se kjo festë nuk është vetëm festë e boshnjakëve po është festë e të gjithë qytetarëve të Kosovës, kryeministri Mustafa tha se këto raporte e bëjnë Kosovën më të mirë, më të bukur dhe një vend me të cilin krenohemi të gjithë bashkërisht.

“Çdo ditë dhe pandalshëm komuniteti boshnjak i Kosovës e ka dëshmuar dhe po e dëshmon këtë vlerë të përbashkët, të trashëguar me gjenerata dhe të ndërtuar me punë dhe përkushtim të përbashkët. Ne gjithmonë e kemi parë dhe jemi bindur se komuniteti boshnjak gjithmonë dhe pa hezitim dhe me përkushtim të plotë është përpjekur në mënyrë të pandalshme për ta demokratizuar këtë vend dhe për t’i ndërtuar institucionet e Republikës së Kosovës. Shqiptarët dhe të gjithë të tjerët e dinë dhe duhet ta dinë dhe ta vlerësojnë këtë përkushtim dhe ta çmojnë si vlerë. Ky përkushtim i komunitetit boshnjak të Kosovës është përkushtim për një Kosovë multietnike, për një Kosovë të zhvilluar dhe për një Kosovë e cila duhet të integrohet sa më shpejt në Bashkimin Evropian”, tha kryeministri.

Kryeministri Mustafa ka shprehur mbështetje për komunitetin boshnjak në Kosovë, nevojat arsimore të këtij komuniteti, nevojat ekonomike, ato kulturore, identitare dhe ka shprehur angazhimin për ta ndërtuar një Kosovë në të cilën të gjithë duhet të jenë të barabartë, pa përjashtim për askënd, dhe një Kosovë në të cilën të gjithë do të kenë mundësi të barabarta të ndërtimit dhe prosperitetit.

“Prandaj, unë shfrytëzoj këtë rast që t’iu uroj të gjithë juve Ditën e Komunitetit Boshnjak, dhe të shpreh përcaktimin e politikave të Qeverisë sonë, të cilat na obligojnë që të vazhdojmë të përkujdesemi për zhvillime të reja, për mundësi të reja të barabarta dhe për prosperitet. Ne do të punojmë me një përkushtim ashtu siç kemi punuar deri më tani, dhe po ashtu do realizojmë të gjitha synimet që i kemi, edhe në fushën e zhvillimit ekonomik, edhe në fusha tjera të përbashkëta. Gëzuar Dita e Boshnjakëve dhe ju uroj juve suksese edhe personale por edhe suksese si komunitet, të cilat do të jenë suksese të gjithë Kosovës”, tha kryeministri Isa Mustafa.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)