19 Prill 2024

Për 7 muaj, evidentohen 8 shkelje ligjore nga ­Kuvendet e Komunave

Prishtinë, 31 gusht – Kuvendet e Komunave të mëdha të Kosovës në shtatë muajt e vitit 2016 në tetë raste kanë marrë vendime që nuk janë në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Gjatë periudhës kohore janar-korrik 2016, në bazë të vlerësimeve të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) del se në KK-në e Prishtinës janë konstatuar tri shkelje ligjore, derisa në ata të Gjakovës dhe Ferizajt nga dy, në KK-në e Prizrenit një shkelje ligjore, dhe në anën tjetër në Pejë, Gjilan dhe Mitrovicë të jugut nuk janë evidentuar shkelje ligjore.   
Sipas informatave të marra nga MAPL-i, KK-ja e Prishtinës i ka rishqyrtuar të tria vendimet brenda afateve ligjore, Gjakova një vendim e ka rishqyrtuar dhe tjetrin jo, Prizreni e ka rishqyrtuar vendimin e vetëm, derisa KK-ja e Ferizajt ka pasur në dispozicion akoma afat për rishqyrtimin e dy vendimeve. 

MAPL ka sqaruar se në KK-në e Prishtinës gjatë periudhës janar-korrik 2016, shkeljet ligjore janë evidentuar te vendimi për formimin e grupit punues për plotësim-ndryshimin e Rregullores për organizimin dhe bashkëpunimin e komunës me fshatra, vendbanime dhe lagje urbane; pastaj te vendimi komunal për lejimin e afatit shtesë AKP-së për lirimin e hapësirave, të cilat i janë dhënë me qira në bazë të kontratës; dhe vendimi për caktimin e komisionit për udhëheqjen dhe koordinimin e punës për përzgjedhjen e Këshillave të fshatrave, vendbanimeve dhe lagjeve urbane. Të tria këto vendime sipas MAPL-it janë harmonizuar brenda afatit ligjor.

Në Gjakovë, MAPL-i ka konstatuar dy shkelje ligjore, njërën te vendimi për shpalljen e interesit publik me qëllim të dhënies në shfrytëzim afatshkurtër të disa hapësirave shkollore, i cili akt është rishqyrtuar dhe harmonizuar; dhe tjetrën te vendimi paraprak për dhënien në shfrytëzim të pronës së paluajtshme komunale, që ende nuk është rishqyrtuar nga KK-ja ani pse MAPL-i ka kërkuar një gjë të tillë me shkresën e datës 8 qershor 2016.

Në Prizren, MAPL-i ka gjetur shkelje ligjore në vendimin për dhënien në shfrytëzim të pronës komunale, por KK-ja në përputhje me kërkesën e ministrisë përkatëse e ka harmonizuar këtë akt komunal brenda afatit ligjor.

Në Ferizaj, MAPL-i ka kthyer dy vendime për rishqyrtim që kanë të bëjnë me dhënien në shfrytëzim afatgjatë të pronës së paluajtshme të KK-së së Ferizajt të destinuara për zhvillim ekonomik, e për të cilat akte KK-ja ka pas afat për rishqyrtim.

Ndërsa gjatë vlerësimit të ligjshmërisë së akteve të KK-ve të Pejës, Gjilanit dhe Mitrovicës së Jugut në periudhën janar-korrik 2016 MAPL-i nuk ka evidentuar asnjë shkelje ligjore.

Duke i marrë për bazë të dhënat e mësipërme, EC Ma Ndryshe konsideron se KK-të e lartpërmendura duhet të jenë më të përgjegjshme gjatë vendimmarrjes, sidomos te aktet për dhënien në shfrytëzim të pronës komunale. EC edhe njëherë përkujton se Kuvendi i Komunës është organi më i lartë përfaqësues në nivel lokal dhe se të gjithë anëtarët e KK-ve betohen se do t\'i kryejnë detyrat dhe ushtrojnë autorizimet sipas ligjit, prandaj dhe duhet të shtojnë nivelin e përgjegjësisë për vendimmarrje në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Për këtë arsye KK-të përsëri rekomandohen që pas marrjes së vlerësimeve nga niveli qendror në afatin sa më të shkurtër kohor t’i rishqyrtojnë aktet që nuk janë në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe t’i harmonizojnë ato në linjë me udhëzimet e marra nga MAPL-i.

Projektin “Indeksi i Reformës së Transparencës Komunale” EC Ma Ndryshe ka nisur që ta zbatoj nga maji i vitit 2015, falë përkrahjes së Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar në Prishtinë, i cili ka shtrirje në komunat e mëdha të Kosovës, Prishtinë, Prizren, Pejë, Mitrovicë, Gjilan, Ferizaj dhe Gjakovë, sikurse edhe në Suharekë, Rahovec, Malishevë, Dragash, Mamushë dhe Shtërpcë. Projekti në fjalë ka për qëllim që ti asistoj komunat në identifikimin e mangësive kryesore sa i përket transparencës sikurse edhe të ofroj udhëzime për adresimin dhe tejkalimin e tyre. Indeksi i Transparencës paraqet edhe një përpjekje të strukturuar për të mbështetur komunat e Kosovës në përmbushjen e standardeve të qeverisjes së mirë, të përcaktuara me reformën e qeverisjes lokale dhe agjendën evropiane të Kosovës.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)