28 Mars 2024

Mustafa: Nëna Terezë simbol global i humanizmit dhe devotshmërisë

Prishtinë, 26 gusht - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë në ekspozitën kushtuar ditëlindjes së Nënës Terezë, e cila u hap në Katedralen “Nëna Terezë” në Prishtinë.

 

Para të pranishmëve, kryeministri Mustafa tha se për të personalisht dhe për Qeverinë e Kosovës është një nder i veçantë që të jenë pjesë e aktiviteteve për nder të Nënës Terezë.

 

Duke vlerësuar rëndësinë që ka për Kosovën dhe kombin shqiptar shenjtërimi i Nënës Terezë, kryeministri theksoi se ajo është simbol i humanizmit dhe një veprimtare e devotshme e cila nuk i takon vetëm shqiptarëve por krejt botës.

 

“Ne krenohemi me Nënën Terezë, por krenohemi edhe me ju dhe me të gjithë artistët tanë për këtë ekspozitë kaq të rëndësishme dhe për të gjitha këto aktivitete që po zhvillohen këto ditë para se Nëna Terezë të shenjtërohet. Unë ju falënderoj shumë, ju uroj shumë suksese në punë, dhe po ashtu shpreh përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës që gjithmonë në aktivitete të tilla të jemi në krah me ju, sepse konsiderojmë që po bëni një punë të mrekullueshme për të gjithë ne”, tha kryeministri duke vlerësuar edhe punën tepër të madhe që po bën Ipeshkvia e Kosovës.

 

Imzot Dodë Gjergji, para të pranishmëve, ka thënë se paqja është më e dobishmja dhe më e domosdoshmja për të gjithë ata që jetojnë në Kosovë, por edhe për mbarë botën sot.

 

“E Nëna Terezë ka dashur që me duart e veta dhe me zemrën e vet t’i mësojë njerëzit të jetojnë në paqe me të varfrit, në paqe me të fortit, në paqe me të gjithë njerëzit, nëpërmjet shërbimit dhe nëpërmjet dashurisë. Sot, në vazhdën e takimeve dhe të përgatitjeve tona për Shenjtërimin e Nënës Terezë, jemi në Katedralen e saj, për të hapur ekspozitën që e kemi organizuar në bashkëpunim me “Infinity Art”, dhe unë i falënderoj për bashkëpunimin, dhe i falënderoj për këtë mundësi ku të rinjtë dhe të rejat e këtij grupi, e zbërthejnë bukurinë e shpirtit të vetë, të frymëzuar prej Nënës Terezë, që duhet të jetë frymëzimi kryesor dhe duhet të jetë dielli që shndrit shpirtin tonë”, tha Imzot Dodë Gjergji.

 

Marjan Nikolla nga “Infinity Art” ka përshëndetur të pranishmit në këtë ngjarje.

 

“Faleminderit që keni ndarë kohën që ta festojmë së bashku këtë ditë madhështore, të Nënës Terezë, të cilën gjithë bota e feston dhe ne si grup i artistëve sadopak me ngjyra ta zbukurojmë këtë ditë”, tha Nikolla.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)