19 Prill 2024

Ymeri: Falë betejave tona ne mbërritëm të forconim pozitën politike

Prishtin, 24 korrik - Kryetari i VV-së, Visar Ymeri në mbledhjen e III-të zgjedhore të Këshillit të Përgjithshëm të VETËVENDOSJE-s, ka deklaruar se në 300 e më shumë pika aktualisht në vv! janë rreth 2000 aktivistë nëpër Kosovë që kanë detyrë konkrete në kryesinë e celulës bazë të organizimit tonë, pikës.


Fjalimi i Visar Ymerit në mbledhjen e III-të zgjedhore të Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes VETËVENDOSJE

Të dashur aktiviste dhe aktivistë

Të nderuar anëtare dhe anëtarë të deleguar nga qendrat në Këshillin e Përgjithshëm të Lëvizjes VETËVENDOSJE!
Të respektuar gazetarë e punonjës të medias.

Ju uroj mirëseardhjen në këtë mbledhje të Këshillit të Përgjithshëm, që është e veçantë pasi është në të njëjtën kohë edhe Kuvendi i Tretë zgjedhor.
Ky Kuvend Zgjedhor është rezultat i Zgjedhjeve të Brendshme, të cilat janë zhvilluar në muajt e fundit në të gjitha pikat e qendrat e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, anembanë Kosovës, në shumicën e fshatrave e lagjeve të qyteteve.

Midis jush këtu, sot ka shumë anëtarë të cilët janë delegatë të rinj, që nuk kanë qenë më parë pjesëmarrës në këtë forum. Dua ti përshëndes në mënyrë të veçantë pikërisht ata që janë këtu për herë të parë, duke iu uruar që sa më shpejt të përshtaten me ritmin e punëve e të diskutimeve në këtë forum, që është forumi ynë më i rëndësishëm.

Këshilli i Përgjithshëm është organi më i lartë vendimmarrës në Lëvizjen VETËVENDOSJE!, ku midis aktivistëve të përzgjedhur nga qendrat, mbizotërojnë vlerat e sinqeritetit dhe drejtpërdrejtësisë, modestisë e vetësakrifikimit, punës edhe thellimit intelektual.
Për këtë arsye, është përgjegjësi e madhe për secilin nga ne pjesëmarrja dhe puna jonë këtu, sepse në këtë organ e përfaqësojmë besimin dhe punën, idealet dhe pritshmëritë, shpresën dhe ëndrrat e atyre dhjetëra mijëra aktivistëve që na kanë votuar dhe na kanë sjellë të gjithëve këtu.

Pra mirëserdhët

Siç e përmenda, dhe siç e dini të gjithë ju, Lëvizja ka qenë këto kohë në një proces të zgjedhjeve të brendshme, që i ka prekur të gjitha nivelet. Janë zgjedhur strukturat në mbi 300 pika dhe në gjithsej 26 qendra. Ky proces ka prodhuar energji të reja për Lëvizjen tonë, dhe ka afruar shumë njerëz të rinj në struktura. Në të njëjtën kohë ky proces ka sjellë një prej rritjeve më të mëdha të anëtarësimeve që kemi pasur në Lëvizjen tonë.

Në 300 e më shumë pika aktualisht në Lëvizjen VETËVENDOSJE! janë rreth 2000 aktivistë nëpër Kosovë që kanë detyrë konkrete në kryesinë e celulës bazë të organizimit tonë, pikës.
Gjatë këtyre zgjedhjeve të brendshme vetëm 5 kryetar nga gjithsej 26 sosh që e kanë mandatin e dytë. Të gjithë të tjerët janë të rinj në këtë detyrë. Unë shfrytëzoj rastin që t’ua uroj të gjithëve këtë detyrë të re, dhe t’u urojë punë e përkushtim shembullor të cilën që ta ndjekin aktivistët.

Në këto 26 qendra, 24 në Kosovë plus qendra në Suedi dhe ajo në Zvicër, 5 prej kryetarëve janë gra. Ky fakt më gëzon. Dua që veçanërisht e secilën personalisht ta falënderoj për angazhimin e ta urojë për besimin e marrur nga aktivistët. Urime Aidë, kryetare e qendrës në Vushtrri, urime Besë, kryetare e qendrës në Gjilan, urime Albanë, kryetare e qendrës në Fushë Kosovë, urime Shqipe, kryetare e qendrës në Klinë, urime Lirije, kryetare e qendrës në Suedi. Përgjithësisht mbi 30% të strukturave drejtuese në të gjitha nivelet e organizatës sonë janë gra. Secila prej tyre është dëshmi e zëshme se angazhimi politik e publik, dija e aftësia, guximi e vetëmohimi nuk kanë gjini. Nuk ka gra në politikë, e as burra, por ka aktivistë, qytetarë aktiv.
Gjatë kësaj periudhe i kemi pasur mbi 4000 anëtarësime të reja.

Ka një numër arsyesh për këtë rritje të Lëvizjes sonë. Por unë këtu dua t’i përmbledh këto në tre:

Së pari, janë betejat tona, qëndresa jonë në krahun e të drejtës.
Pa u lodhur e pa e marrë parasysh interesin vetjak qytetarë të shumtë i janë bashkuar VETËVENDOSJE!-s në këto beteja, për të ndalur projektet tepër të dëmshme për sovranitetin dhe shtetndërtimin e Kosovës, që ishin Zajednica dhe Demarkacioni.

Falë betejave tona të përbashkëta ne mbërritëm të forconim pozitën politike të argumenteve tanë. Dhe arritëm ta ndalim me sukses edhe Zajednicën, edhe Demarkacionin, të cilat Isa Mustafa e Hashim Thaçi deshën t’i zbatonin qysh në shtatorin e 2015.
 
Protestat tona masive, gatishmëria jone për aksione brenda e jashtë Kuvendit, madje edhe refuzimi i frikës përballë shtypjes policore dhe burgut.
Kanë qenë momente të vështira, përballë një pushteti qe ka qenë në të gjitha kuptimet, antipopullor dhe despotik.

I kemi parë zyrat tona të thyhen, deputetët tanë të nxirren zvarrë prej Kuvendit, dhe aktivistët tanë të privohen prej të drejtave qytetare e politike.

Por sa më e fortë dhuna e padrejtësisë, aq më e fortë rezistenca e së drejtës, aq më e fortë drita e së vërtetës që kemi mbërritur të ndezim në vetëdijet e qytetarëve.
Qytetarët na sprovuan edhe kësaj radhe, e panë se qëndrimet tona janë të njëmendta, e jo taktika për pushtet, dhe ndaj na u bashkëngjitën, kur panë se i detyruam edhe Gjykatën Kushtetuese, edhe Kuvendin, që të mos i avancojnë projektet e dëmshme.
Sfida të tilla ka pasur edhe në të shkuarën. Sfida të tilla do të ketë edhe në të ardhmen. Dhe vazhdimisht, është detyrë e jona që me qëndrueshmëri, ti provojmë qytetarëve, popullit tonë, por edhe pushtetit, pushteteve të ndryshme, se ne nuk i negociojmë bindjet tona politike.

Arsyeja e dytë se pse jemi rritur, është organizimi jonë, është vetë organizata.
Ne nuk jemi një grup ëndërrimtarësh, që kanë mendime të mira dhe që dinë të flasim bukur. Ne jemi një Lëvizje e madhe, e cila i ka 20.000 anëtarë, e cila është e organizuar në të gjitha Komunat e Kosovës.
Një organizatë e cila është e përfaqësuar në të gjitha nivelet qendrore e lokale, dhe kudo ku janë deputetët e asambleistët tanë, jemi opozita më aktive, më e denjë.
Ka një dallim të madh mes atyre që e shohin popullin, qytetarin e thjeshtë, si një mjet lëvizës drejt pushtetit personal, dhe neve që e shohim veten si një mjet lëvizës për popullin.
Ky mjet lëvizës, ky tren që është Lëvizja VETËVENDOSJE! shkund vetëdije e ndërgjegje, zgjon masat prej gjumit që ndillet prej mjeteve propagandistike të pushtetit.
E që ky tren të jetë i mjaftueshëm sa ta bartë gjithë popullin, që ta lëvizë prej gjendjes së varfërisë dhe papunësisë, prej gjendjes së desubjektivimit e të shtypjes kombëtare, duhet të jetë i madh, i sigurt, e në shina të mbara.
Materiali prej të cilit është i bërë ky tren, çeliku i tij, janë aktivistët. Por krejt projekti dinamik, duke përfshirë dhe shinat, përbën atë që sot e quajmë organizim e organizatë.
Organizimi nënkupton disiplinë, sepse, përfytyrojeni vetë, çfarë sigurie mund ti ofrojë udhëtarëve të vet një tren që nuk i ka të disiplinuar vagonët, apo që rrotat nuk i ka të renditura mirë në shina.
Disiplina është ai kufizim i domosdoshëm i vetvetes së gjithësecilit, që në fund prodhon çlirimin dhe zgjerimin e kufijve të së përbashkëtës, të publikes sonë shqiptare.
Sajë këtij organizimi neve kemi alternativën tonë politike, produkt i punës kreative të dhjetëra ekspertëve në komitete e nënkomitete. Sajë këtij organizimi ne kemi një paraqitje shembullore të anëtarëve tanë të të gjitha niveleve qendrore e lokale, në media, ku shumicën dërrmuese të debateve i kemi fituar bindshëm.
Sajë këtij organizimi të palodhur neve kemi mbërritur të përmirësojmë ndjeshëm marrëdhëniet tona me diplomatë të huaj, dhe të ndërtojmë raporte shumë të mira me parti progresive e të majta në Europë.
Sajë këtij organizimi e kemi fituar Komunën e Prishtinës, dhe kemi mbërritur të bëjmë gjëra shumë të mira, duke e transformuar përgjithmonë mënyrën se si shihet pushteti lokal prej qytetarëve, pra duke e emancipuar vizionin e tyre për pushtetin lokal.
Dhe ky organizim shembullor, i ndërtuar rreth vlerave të demokracisë e transparencës, por gjithnjë për një ideal e një aspiratë kombëtare që është përcaktuese e çdo veprimit tonë, ky organizim mban peshën më të madhe të fitoreve tona.
Ky organizim ka bërë të mundur që Vetëvendosje në sondazhe, që prej tetorit 2015 e deri sot, të tregojë një rritje masive në mbështetje. Falë organizatës dhe organizimit, ne tani e dimë se jemi shumë pranë fitores së zgjedhjeve, dhe e kemi bindjen se në bashkëpunim me organizime të tjera qytetare, do t\'i fitojmë ato.

Arsyeja e tretë se pse jemi rritur janë vetë zgjedhjet e brendshme.
Zgjedhjet janë një moment specifik kur organizata hapet. Ky moment e ka një anë pozitive dhe një pak më kritike. Ana pozitive është se, siç po e shohim në këtë përbërje të Këshillit, por siç e kemi parë edhe në të gjitha pikat e qendrat ku kemi shkuar për konstituimin e kryesive dhe këshillave, Lëvizja ka pranuar në gjirin e saj shumë anëtarë të rinj cilësorë.
Aspekti më kritik i këtij momenti është se, zgjedhjet në vetvete janë një moment i konkurrencës. Dhe si konkurrencë brenda llojit, ndonjëherë zgjedhjet dikë mund ta bëjnë që ta shohë si rival bashkëaktivistin, dhe të hyjë në taktika për të mbërritur pozita brenda Lëvizjes.
Por, është e rëndësishme të kuptojmë se, pavarësisht konkurrencës zgjedhore, e cila ka qenë përgjithësisht e shëndoshë dhe parimore, aktivisti nuk mund të jetë rival për aktivistin.
Lëvizja nuk i është bërë kurrë pengesë për ambicie asnjërit prej anëtarëve të vet, por është e rëndësishme të kuptojmë se nuk mund të lejohet që ambiciet personale të bëhen barrierë për Lëvizjen.
Beteja të rëndësishme na presin, dhe është e rëndësisë të kuptohet se duhet të qëndrojmë shumë pranë njëri tjetrit në muajt që vijnë. Nuk duhet të lejojmë që pozitat e dikujt në Lëvizje të bëhen arsye për largimin me aktivistët e tjerë.
Në Lëvizje kryetari, anëtarët e kryesisë, deputetët, delegatët, nuk janë ata që përcaktojnë suksesin tonë në betejë. Atë sukses e përcaktojnë aktivistët e thjeshtë, me punën dhe sakrificën e tyre të përditshme.
Ndaj, secila instancë e cila zhvillon sjellje autoritare, apo që nuk sillet mirë me aktivistët duhet të nisë ta shohë veten me autokritikë.
Ne nuk jemi këtu që të përsërisim skemat e pushtetit që bëhen në partitë e tjera. Ne jemi këtu për ta transformuar rrënjësisht pushtetin.
Ne nuk e duam pushtetin për vete. Ne pushtetin duam t\'ia japim qytetarit, popullit, programit dhe ideve tona, dhe aspiratave kombëtare. Kjo sjellje ndaj pushtetit, qoftë ky edhe pushteti i jonë, na dallon prej të tjerëve. E ky dallim duhet të mbetet i fortë.

Gjatë muajit gusht, kjo rritje e ky përparim në anëtarësi, në strukturë, në organizatë e në aktivizëm, do ët vihet në sprovë. Qeveritarët tanë siç duket do të provojnë të rikthejnë në tryezat politike çështjen e demarkacionit. Por ne jemi të vendosur ta ndalim çdo dëmtim të tillë, që është katastrofal për tërësinë territoriale të kësaj Kosove që është çliruar me gjak.
Tashmë, kemi nisur të planifikojmë e të organizojmë aktivitetet tona të rezistencës.
Kërkoj, në cilësinë e kryetarit, nga të gjithë ju, që ta keni prioritet organizimin e aksioneve e protestave që do të ndërmarrë Lëvizja kundër demarkacionit. Sepse së bashku, nëse tregojmë të njëjtin vetësakrifikim, kemi për ta ndalur sërish. Me çdo kusht.

Me kaq po e mbyll fjalën time, duke ju uruar një mbledhje të mbarë të Këtij Kuvendi Zgjedhor ku do të diskutohen e do të votohen amendime të rëndësishme në statusin e Lëvizjes, si dhe do të votohet për kryesinë e re të Lëvizjes Vetëvendosje.

Ju uroj suksese e diskutim të mbarë e cilësor. Faleminderit.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)