18 Prill 2024

Mustafa: Fuqizimi i rolit të gruas i domosdoshëm për zhvillimin e vendit

Prishtinë, 30 qershor - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë në konsultimet e nivelit të lartë rreth procesit të integrimit evropian dhe barazisë gjinore, të organizuara nga Ministria e Integrimit Evropian, Agjencia për Barazi Gjinore dhe Qendra Kosovare për Studime Gjinore.

Para të pranishmëve, kryeministri Mustafa tha se barazia gjinore nuk është çështje që i përket vetëm integrimit dhe agjendës evropiane, por është e ndërlidhur ngushtë me agjendën e brendshme kosovare.

“Dëshirojmë që të ndërtojmë një shtet i cili ka vlera të demokracisë së brendshme, ka vlera të barazisë gjinore dhe vlera të barazisë nacionale dhe në të cilin, të gjithë qytetarët do të ndjehen të barabartë pa marrë parasysh dallimet gjinore, etnike ose dallimet sociale”, tha kryeministri.

Kryeministri Mustafa, theksoi domosdoshmërinë e krijimit të kushteve të barabarta të kyçjes së të gjithë qytetarëve në proceset zhvillimore, në proceset e arsimit, proceset e kulturës, në barazinë e punësimit dhe barazinë sociale.

“Ne konsiderojmë se pa gratë dhe vajzat ne s’mund të bëjmë asgjë në këtë aspekt. Jo vetëm nga fakti se gjysmën e popullsisë sonë e përbëjnë gratë, përkatësisht gjinia femërore, por edhe nga fakti se të gjitha studimet tregojnë se në vendet ku ka angazhim më të madh të gruas në proceset ekonomike dhe në proceset zhvillimore, ato vende janë më të zhvilluara, janë më kohezive, më inkluzive dhe kanë arritur që t’i zgjidhin problemet shumë më shpejt se sa në vendet tjera ku kemi ndryshime më të mëdha gjinore në pikëpamje të pjesëmarrjes në zhvillimin ekonomik dhe zhvillime tjera”, tha kryeministri.

Kryeministri Mustafa më tutje foli për proceset integruese evropiane dhe mundësitë që hapin këto procese për avancimin e pozitës së gruas në shoqërinë kosovare.

“Tani, ne jemi në fazën e implementimit të Marrëveshjes për Stabilizim Asociim, që është një marrëveshje shumë e rëndësishme për ne, është një marrëveshje që hap perspektivën tonë kontraktuale me vendet e Bashkimit Evropian, që nënkupton se do të kemi qasje më të madhe në tregun e Bashkimit Evropian, një treg prej mbi 500 milionë banorësh. Do të kemi obligime, por edhe shanse më të mëdha të bashkëpunimit regjional me vendet në regjion, me vendet fqinje dhe me vendet e Bashkimit Evropian. Do të kemi po ashtu shanse më të mira në lëvizjen e lirë në vendet e BE-së përmes rekomandimit që është dhënë nga Komisioni Evropian për liberalizimin e vizave, dhe natyrisht përmes detyrimit tonë që të përmbushim edhe detyrimet e fundit që na janë paraqitur si kushte për liberalizimin e vizave që duhet ta bëjmë. Por, në të gjitha këto procese pa marrë parasysh se nuk dallojnë në aspektin gjinor, në rolin e burrave dhe grave, ato paraqesin shanse shumë të mëdha të integrimit të të dy gjinive, sidomos të grave në pikëpamje ekonomike, në pikëpamje sociale, në pikëpamje arsimore, në pikëpamje kulturore, në pikëpamje shëndetësore. Mendoj se këto janë shanse të cilat ne domosdoshmërisht duhet t’i shfrytëzojmë edhe në Kosovë”, tha kryeministri.

Kryeministri Mustafa foli po ashtu për hapat e bërë sa i përket harmonizimit të legjislacionit me atë evropian në pikëpamje të barazisë gjinore.

“Tani nuk vuajmë nga ajo se ne nuk kemi ligje dhe se këto ligje nuk janë në harmoni me standardet evropiane dhe standardet botërore, por ngecim në pikëpamje të implementimit të mjaftueshëm të tyre, të cilat pastaj do të krijojnë kushte më të mira të një pjesëmarrje më të madhe të gruas dhe vajzave në këto procese. Kemi bërë një hap po ashtu edhe sa i përket udhëzimit administrativ për të lehtësuar regjistrimin e pronës në emër të të dy bashkëshortëve, por edhe në emër të vajzave. Jemi të interesuar që të arrijmë përparime më të mëdha sa i përket pronës, sepse prona është baza themelore e zhvillimit ekonomik por edhe një bazë themelore e realizimit të të drejtave të çdo qytetari dhe të çdo qytetareje tonë. Unë mbetem i përkushtuar si kryeministër që sugjerimet, propozimet, vërejtjet tuaja t’i implementojmë. Mbetem i përkushtuar po ashtu edhe që të krijojmë hapësirë më të madhe të domosdoshme të prezencës më të madhe të gruas dhe të vajzave në organet e Republikës së Kosovës, në të gjitha institucionet”, tha kryeministri.

Doke folur për përfaqësimin në institucione, kryeministri Mustafa theksoi se duhet të rritet pjesëmarrja e gruas në Qeveri edhe në institucione tjera qeveritare.

“Kemi nevojë që edhe në krye të institucioneve tjera të kemi një pjesëmarrje më të madhe të grave, se pastaj ajo rritet në proporcione gjeometrike, për arsye se vetë gratë pastaj krijojnë kushte që të përfshijnë gratë tjera në këto procese, dhe nuk do të jemi ne pastaj, meshkujt ata që do të merreshim me këto çështje, por këtë rol do ta marrin gratë. Unë mendoj se duhet të vijmë në një situatë që gratë të marrin iniciativa, ato të hapin perspektiven, dhe ne detyrimisht, ashtu siç na detyron Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe ligjet, të ecim në këto procese të cilat janë shumë të rëndësishme për ne”, u shpreh kryeministri Mustafa, duke theksuar nevojën që bashkërisht të arrihen rezultate në krijimin e kushteve për barazi të plotë gjinore në të gjitha proceset e zhvillimit ekonomik, zhvillimit social, dhe zhvillimit demokratik të vendit.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)