20 Prill 2024

Presidenti Thaçi prezanton prioritetet para ambasadorëve të BE-së

Prishtinë, 4 maj - Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur sot në takim ambasadorët e të gjitha shteteve të Bashkimit Evropian, vetëm pak orë para vendimit të Komisionit Evropian për liberalizmin e vizave.

Para ambasadorëve, presidenti Thaçi ka shpalosur edhe prioritetet e tij për mandatin pesëvjeçar. “Sundimi i së drejtës, zhvillimi ekonomik, bashkëpunimi rajonal, anëtarësimi në NATO dhe në BE janë fushat në të cilat do të angazhohem më së shumti”, ka thënë Thaçi para korit diplomatik, duke shtuar se prioritetet e tij janë vetëm pasqyrim i aspiratave të vetë qytetarëve të Kosovës, që të jetojnë me dinjitet dhe prosperitet.

Ai ka thënë se anëtarësimi i djeshëm në UEFA, ambiciet për medalje në Lojërat Olimpike, por edhe rekomandimi për liberalizim të vizave, janë disa nga lajmet e tjera të mira që po i përjetojmë apo që po i presim me padurim. 

Më pas, presidenti Thaçi ka falënderuar të gjitha shtetet për përkrahjen që kanë dhënë vazhdimisht për fuqizimin e shtetit të Kosovës.

“Si president do të inkurajoj amendamentimet e ligjeve ekzistuese apo hartimin e ligjeve të reja për të mbushur çdo boshllëk që mund të gjendet. Përpilimi i një manuali për vendimet gjyqësore, forcimi i transparencës dhe përgjegjësisë së gjyqësorit janë disa nga hapat që i nevojiten Kosovës. Inkurajuese janë edhe lajmet nga ekonomia dhe konfirmimet e trendit pozitiv”, ka thënë ai.

Presidenti ka shtuar se fillimi i zbatimit të MSA-së është një prej lajmeve më të mira për bizneset vendore, sepse tregu i Evropës tashmë po hapet për prodhuesit kosovarë.

Ai ka folur edhe për dialogun me Serbinë, si rrugë e vetme për paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm në Kosovë.

Presidenti Thaçi ka thënë se do të vazhdojë ta përkrahë këtë proces dhe është i gatshëm të kontribuojë sa herë të jetë e nevojshme.

“Besoj se janë pjekur kushtet që i tërë procesi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë të kalojë në një nivel tjetër”, ka shtuar ai.

Duke folur për luftën kundër terrorizmit, presidenti Thaçi ka thënë se me të drejtë jemi cilësuar lider në rajon në luftimin e radikalizmit dhe ekstremizmit.

Në anën tjetër, ambasadorët e shteteve të Bashkimit Evropian e kanë përgëzuar presidentin Thaçi për anëtarësimin e Kosovës në UEFA.

Ata i kanë ofruar mbështetje për prioritetet e tij në sundimin e së drejtës dhe në procesin e anëtarësimit të Kosovës në BE dhe NATO.

Gjithashtu, ambasadorët bënë thirrje që të shfrytëzohet momentumi i lajmeve të mira për Kosovën, për të dinamizuar procesin e zhvillimit ekonomik të Kosovës.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)