19 Prill 2024

Schlumberger: Mediat e lira dhe profesionale janë gurthemel i demokracisë

Prishtinë, 3 maj - Në Kosovë janë arritur standarde të respektueshme të lirisë së shtypit përgjatë viteve, duke krijuar një skenë mediale dinamike e të shumëllojshme, por këto përpjekje duhet të vazhdojnë në mënyrë që të trajtohen sfidat e mbetura, tha Jean-Claude Schlumberger, Shef i Misionit të OSBE-së në Kosovë, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Lirisë së Shtypit.

 

“Herë pas here, liria e mediave në Kosovë shkelet, kur gazetarët përballen me frikësime, kërcënime dhe ndonjëherë edhe me sulme fizike. Në vitin 2015 janë regjistruar 27 raste të dhunës ndaj gazetarëve dhe së paku pesë raste janë regjistruar gjatë tremujorit të parë të vitit 2016,” tha ai.

 

Ambasadori Schlumberger u bëri thirrje strukturave të zbatimit të ligjit dhe institucioneve të drejtësisë që t’i japin prioritet më të lartë luftimit të frikësimit ndaj gazetarëve dhe të arrijnë rezultate të prekshme dhe pa vonesa në trajtimin e rasteve të dhunës ndaj gazetarëve. 

 

“Mediat e lira dhe profesionale janë gurthemel i demokracisë,” tha ai. “Në këtë ditë, Misioni i OSBE-së në Kosovë thekson rëndësinë e medias në ndërtimin e shoqërisë demokratike. Po ashtu, e shfrytëzojmë këtë rast që ta përgëzojmë punën e palodhshme dhe përkushtimin e shumë gazetarëve në Kosovë, të cilët pasqyrojnë frymën dhe vlerat e lirisë dhe profesionalizimit të medias. Në të njëjtën kohë, i bëjmë thirrje të gjitha institucioneve që të japin maksimumin për të përmirësuar respektimin e lirisë së shtypit dhe së drejtës së publikut për të qenë i informuar.”

 

Schlumberger u bëri thirrje rregullatorëve të mediave që të sigurojnë një mjedis të favorshëm për mediat dhe të përcjellin për së afërmi çdo shkelje të kodeve etike të sjelljes nga mediat audiovizuale, të shtypura dhe elektronike.

 

“Për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të Lirisë së Shtypit, Misioni do të mbështetë tre debate televizive, në gjuhën shqipe dhe serbe, të cilat promovojnë lirinë e shprehjes dhe lirinë e medias” tha Schlumberger.

 

Misioni i OSBE-së në Kosovë ka mandat mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut, demokratizimin dhe zhvillimin e sektorit të sigurisë publike. Ai ndihmon në ruajtjen e lirisë së mediave dhe lirisë së shprehjes, si dhe mbështetë zhvillimin e mediave.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)