26 Prill 2024

Qeveria miraton disa vendime

Prishtinë, 29 prill - Qeveria e Republikës së Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Isa Mustafa ka zhvilluar mbledhjen e tetëdhjetë e gjashtë, në të cilën janë miratuar vendime nga përgjegjësitë kushtetuese dhe ligjore të ekzekutivit.

Qeveria e Kosovës miratoi Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve për vitet 2017-2019. Ky dokument reflekton përkushtimin e Qeverisë në adresimin e sfidave zhvillimore afatmesme dhe paraqet kornizën buxhetore për implementimin e programit qeverisës dhe Strategjisë Kombëtare për Zhvillim.

Kryeministri Mustafa e ka cilësuar një dokument tepër të rëndësishëm që është përgatitur nga Ministria e Financave, i cili tregon për një trend shumë pozitiv të të hyrave dhe të ecurive buxhetore për periudhën e ardhshme kohore.

Kabineti qeveritar miratoi edhe Projektligjin për Regjistrimin e Popullsisë, të Ekonomive Familjare dhe të Banesave në Komunat e Kosovës që nuk kanë marrë pjesë në regjistrimin e popullsisë në vitin 2011. Me këtë Projektligj përcaktohet regjistrimi i popullsisë, i ekonomive familjare, dhe i banesave në komunat Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut, komuna këto që nuk kanë marrë pjesë në regjistrimin e popullsisë në vitin 2011. Regjistrimi përfshinë grumbullimin, përpunimin dhe publikimin e të dhënave dhe të informacioneve të tjera për popullsinë, ekonomitë familjare, banesat në komunat përkatëse sipas standardeve ndërkombëtare. Të dhënat e siguruara nga regjistrimi janë të nevojshme për institucionet shtetërore të Kosovës, për organizatat ekonomike, për institucionet akademike, për shoqërinë civile, për komunat përkatëse si dhe për shfrytëzuesit e tjerë.

Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes për Hua ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për Rehabilitimin e Rrugëve Rajonale, mori aprovimin e Qeverisë së Kosovës përmes të cilit parashihet rehabilitimi i segmentit rrugor Kllokot-Gjilan me gjatësi 17 km, si dhe zgjerimi i rrugëve në hyrje të qyteteve Gjilan, Ferizaj dhe Prizren.

Aprovimin e Qeverisë e mori edhe Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes Financiare ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime për Projektin e Rehabilitimit të Linjës Hekurudhore 10, që ka për qëllim financimin e projektit për rehabilitimin e Linjës Hekurudhore 10, nga Hani i Elezit deri në Leshak.

Qeveria miratoi edhe Rregulloren për Standardet Minimale për Procesin e Konsultimit Publik, e cila ka për qëllim nxitjen dhe sigurimin e një procesi të konsultimit publik ndërmjet organeve publike, palëve të interesuara dhe publikut, për një pjesëmarrje gjithëpërfshirëse në procesin e politikbërjes dhe vendimmarrjes për interes publik si dhe rritjen e transparencës dhe përgjegjësive të organeve publike ndaj palëve të interesuara dhe publikut.

Rregullorja për Përcaktimin e Kritereve dhe Procedurës së Përdorimit/Shfrytëzimit të Mallrave të Konfiskuara nga Dogana, u aprovua në  mbledhjen e sotme të Qeverisë. Kjo rregullore ka për qëllim menaxhimin më të mirë të mallrave të konfiskuara të cilat bëhen pronë e shtetit të Kosovës.

Qeveria e Kosovës mori vendim për ndarjen e mjeteve financiare për përmbushjen e obligimeve financiare për pjesën operacionale të vitit 2016 të Republikës së Kosovës për Qendrën për Bashkëpunim të Sigurisë.

Kabineti qeveritar, po ashtu, miratoi edhe Programin e Borxhit Shtetëror për vitet 2017-2019. Objektivi kryesor i Programit të Borxhit Shtetëror për këtë periudhë është të sigurojë që nevojat financiare të Qeverisë dhe të shërbimit të borxhit të plotësohen me koston më të ultë të mundshme, gjithmonë në nivel të tolerueshëm të rrezikut.

Qeveria në mbledhjen e sotme miratoi edhe Raportin Tremujor të Buxhetit për vitin 2016. Tremujori i parë i vitit 2016 është karakterizuar me një ritëm të përshpejtuar të rritjes së aktivitetit ekonomik krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2015, ku ndryshimet në politikat tatimore dhe reformat e të bërit biznes kanë luajtur rol të veçantë.

Kryeministri Mustafa tha se ky raport tregon për sukseset që po arrihen tek politikat fiskale dhe tek menaxhimi i buxhetit me rritjen e të hyrave prej 20 për qind dhe po ashtu për aktivitetet investive që janë shumë me intensive në këtë vit.

Në mbledhjen e sotme të Qeverisë u aprovua edhe vendimi i Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë për ndarjen e mjeteve financiare për mbështetjen e Programit Fullbright.

Qeveria mori vendim edhe për caktimin e koeficientit për koordinatorin dhe ekonomistin kryesor të Zyrës për Sfidat e Mijëvjeçarit në Kosovë në kuadër të Zyrës së Kryeministrit.

Kryeministri Mustafa tha se janë përmbushur obligimet me marrjen e vendimit për themelimin e Zyrës.

“Sekretari i Qeverisë ka marrë masa po ashtu që të gjenden zyrat dhe që ato të rregullohen dhe të jenë gati. Sot po marrim masa lidhur me përcaktimin e bazës së të ardhurave dhe të shtesave specifike për njerëzit që do të punojnë aty, të cilët kanë karakterin profesional dhe në ndërkohë do të merren masa që të lidhen kontratat nga ana e Sekretarit, Zyrës së Kryeministrit dhe që njerëzit ta bëjnë punën nga java e ardhshme. Nga java e ardhshme do ta kemi edhe misionin e MCC-së i cili do të vijë këtu për të përshpejtuar të gjitha proceset të cilat ne duhet t’i kryejmë”, tha kryeministri Mustafa.

Kabineti qeveritar, po ashtu, është njoftuar lidhur me caktimin e datës së mbajtjes së mbledhjes së përbashkët të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe të Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë.

Kryeministri Mustafa tha se është harmonizuar që kjo mbledhje të jetë më datën 3 qershor, në Prishtinë.

“Orientimi është që të mbahet në ambientet e Bibliotekës Kombëtare dhe po punohet që të rregullohen ambientet për këtë mbledhje. Ndërkaq, mbetet çështje që ne deri në fund të javës së ardhshme t’i kemi të përfunduara të gjitha marrëveshjet dhe t’i diskutojmë në Qeveri, me të cilat do të procedojmë tani si marrëveshje shtesë që mund të lidhen ndërmjet ministrive përkatëse të Republikës së Kosovës dhe atyre të Shqipërisë. Unë jam njoftuar se ministritë po punojnë në këtë. Uroj që të mos kemi vonesa. Ne gjatë javës së ardhshme do të ulemi, do t’i trajtojmë dhe pastaj do të përcaktohemi dhe do t’i harmonizojmë me Shqipërinë të gjitha këto. Unë ju kisha lutur që të punojmë dhe që ato t’i përgatisim”, tha kryeministri Mustafa.

Çështje tjetër që u diskutua ishte edhe ajo e investimeve kapitale në komunat veriore.

Kryeministri Isa Mustafa e ka njoftuar kabinetin qeveritar edhe për vizitën që ka zhvilluar në Bruksel, bashkë me ministrin e Integrimeve, Bekim Çollaku.

“Kemi biseduar me kryetarin e Komisionit Evropian dhe me përfaqësuesen e lartë, Mogherini lidhur me proceset aktuale në Kosovë. Kemi informuar për objektivat tona themelore dhe për plotësimin e prioriteteve qeveritare. Në mënyrë specifike kemi biseduar lidhur me liberalizimin e vizave. Është vlerësuar se ajo çfarë është kërkuar nga Kosova është përmbushur sa i përket liberalizimit të vizave. Natyrisht se ne në procesin e integrimeve evropiane duhet të punojmë edhe më tutje në rrugën e mëtejme të integrimit tonë, mirëpo në këtë fazë ajo që është kërkuar nga Kosova është përmbushur dhe janë dhënë vlerësime shumë të larta për përkushtimin e të gjitha institucioneve të Republikës së Kosovës, Parlamentit, Qeverisë, të institucioneve të drejtësisë dhe të agjencioneve të pavarura, të cilat kanë qenë të involvuara në këtë proces. Mbetet që në javët në vijim, besojmë që Komisioni Evropian dhe institucionet e Bashkimit Evropian do të marrin vendim pozitiv sa i përket kësaj. Prandaj, unë kisha për qëllim t’ju falënderoj për përkushtimin e të gjitha ministrive dhe të gjitha institucioneve të Republikës së Kosovës në këtë proces, por po ashtu t’ju them se procesi i integrimeve është një proces afatgjatë dhe ne duhet të vazhdojmë edhe më tutje të punojmë në këtë fushë”, tha kryeministri Isa Mustafa.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)