29 Mars 2024

Qeveria dhe kryetarët e komunave apel për dialog

Prishtinë, 8 shkurt - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, ka pritur sot në takim kryetarët e Komunave të Kosovës.

Gjatë takimit, ku ishte i pranishëm zëvendëskryeministri i parë, njëherësh ministri i Jashtëm, Hashim Thaçi, ministri i Financave Avdullah Hoti dhe zëvendësministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Bajram Gecaj, është biseduar për prioritetet gjatë vitit 2016 që kanë të bëjnë me integrimet evropiane, me proceset e zhvillimit të brendshëm dhe me avancimin e qeverisjes lokale.

Kryeministri Isa Mustafa, theksoi se një prej çështjeve shumë të rëndësishme në të cilën duhet të punohet bashkërisht sivjet, është Marrëveshja për Stabilizim Asociim, si një hap shumë i rëndësishëm i Kosovës në integrimin përfundimtar drejt BE-së.

“Kemi të bëjmë me sfida të përbashkëta, jo vetëm në fushën e zhvillimit ekonomik dhe të përgatitjes së bizneseve tona që të kenë qasje në tregun evropian, por kemi edhe në forcimin e shtetit ligjor, integrimin e komuniteteve dhe sigurimin e paqes dhe stabilitetit në vend, që është detyrë e jona e përbashkët”, tha kryeministri.

Kryeministri Mustafa ka veçuar edhe punën e përbashkët që duhet të bëhet për plotësimin e kritereve dhe rekomandimeve për liberalizimin e vizave dhe zhvillimin e gjithanshëm ekonomik, infrastrukturor dhe social të vendit.

Ndërkaq, duke folur për aktualitetin politik, kryeministri Mustafa, i ka njoftuar kryetarët e komunave për takimin e sotëm te Presidentja e vendit për të tejkaluar situatën në të gjendet Kosova.

Kryeministri Isa Mustafa tha se ka shprehur gatishmërinë e plotë që përmes dialogut, sidomos në Kuvendin e Republikës së Kosovës, të realizohen synimet e përbashkëta që kanë të bëjnë me interesin e vendit, me partneritetin evropian dhe euroatlantik, si çështje madhore të vendit, për të cilat nevojitet konsensus dhe punë e përbashkët.

“Ne konsiderojmë se dhuna nuk është zgjidhje e problemeve të qytetarëve, as e problemeve politike. Ajo na dëmton, e dëmton vendin dhe na pamundëson që ne të realizojmë edhe shumë prej objektivave tona zhvillimore, sidomos sa i përket stabilitetit ekonomik dhe tërheqjes së investimeve të huaja. Prandaj, ju ftoj që edhe këtu bashkërisht të punojmë në mënyrë që në çdo hapësirë të Kosovës të krijojmë kushte normale dhe besim të qytetarëve tanë dhe besim të partnerëve tanë që të investojnë në Kosovë dhe ta zhvillojmë vendin ashtu siç e meritojnë qytetarët dhe siç e meriton Kosova”, tha kryeministri Mustafa.

Zëvendëskryeministri i parë, njëherësh ministër i Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi, duke përgëzuar për punën e mirë që kanë bërë kryetarët e komunave, theksoi se një sukses edhe më i madh mund të arrihet me koordinim mes institucioneve qendrore dhe atyre lokale.

Zëvendëskryeministri Thaçi më tutje ka folur për angazhimet e përbashkëta dhe dialogun e vazhdueshëm ndërmjet institucioneve qendrore dhe lokale, të cilat kanë rezultuar me të arritura të mëdha në të gjitha fushat e jetës dhe në shërbim të interesave të qytetarëve.

“Është edhe në interesin e çdo subjekti politik, është në vullnetin e çdo qytetari të Kosovës që të kemi funksionim normal të institucioneve, institucione stabile, të respektohet vota e lirë e qytetarëve. Dhe natyrisht të kemi një distancim të të gjithëve kundër dhunës dhe kundër gjërave të paligjshme që janë përdorur në Kuvend, edhe jashtë Kuvendit dhe kudo. Askush askënd nuk e ka votuar për gjëra të tilla, por përkundrazi, që të kemi një relacion të punës së përbashkët të agjendës shtetërore të Republikës së Kosovës”, tha Thaçi, duke veçuar rëndësinë e komunikimit për interesa të përbashkëta të të gjithë qytetarëve.

Zëvendëskryeministri Thaçi më tutje  theksoi se çelësi i suksesit është stabiliteti institucional, funksionimi normal i institucioneve dhe natyrisht një imazh më i mirë për Kosovën. “Kosova nuk është ajo çfarë paraqitet nganjëherë me pamje të Parlamentit apo jashtë Parlamentit. Çështjet që janë ngritur edhe sa i përket dy preteksteve për reagime të tilla, është fakt që sot në takimin që kemi pasur me zërin opozitar as që janë ngritur si çështje tash e tutje. A është qeverisja e mirë apo jo, e vendosin qytetarët me votën e vet, dhe ne do të respektojmë. Theksoj se është momenti për një urtësi, mençuri, dhe përgjegjësi qytetare e shtetërore. Kemi kaluar situata shumë më të rënda bashkërisht e jam shumë i bindur që edhe këto momente incidentale e të panevojshme do t’i tejkalojmë”, tha zëvendëskryeministri Thaçi.

 

Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, njëherësh kryetar i Komunës së Shtimes, Naim Ismajli, shprehu gatishmërinë e komunave të Kosovës që  t’i bashkërendojmë aktivitetet me qëllimin të shfrytëzimit të mundësive në agjendën e integrimeve, të zhvillimit ekonomik dhe bashkërenditjen e aktivitetet për t’u përballuar me sfidat para vetes.

“Ne inkurajojmë dialogun politik dhe gjithë spektrin politik për një komunikim të vazhdueshëm dhe dialog politik, me qëllimin që të zgjidhim problemin politik, sepse nuk mund të jemi indiferent as ne si kryetarë të komunave karshi gjendjes aktuale politike, gjithmonë duke përjashtuar si opsion dhunën politike, sepse dhuna nuk është zgjidhje e problemeve politike në vend. Edhe problemet më të mëdha të cilat kanë eskaluar me lufta dhe konflikte, në fund janë zgjidhur me dialog politik, dhe zgjidhen me dialog politik. Dhe kjo është arsyeja dhe argumenti i fuqishëm që dialogun politik ne duhet ta vazhdojmë dhe nuk kemi nevojë ta eskalojmë në dhunë. Edhe dhuna në institucione, edhe dhuna në rrugë janë skena të cilat realisht pengojnë të gjitha aktivitetet, e bashkë me të atakojnë edhe aktivitetet në nivele komunale”, tha kryetari Ismajli. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)