16 Prill 2024

Opozita e ndarë rreth "listes"

Prishtinë, 7 shkurt - Partitë e Bllokut Opozitar Vetëvendosje, AAK dhe Nisma, të pakënaqur me pushtetin aktual kërkojnë dorëheqjen e Qeverisë dhe shkuarjen në zgjedhje të parakohshme, por ende nuk është e qartë nëse këto subjekte opozitare do të shkojnë në zgjedhje me një listë të përbashkët zgjedhore, për të dalë fituese  kundrejt dy subjekteve më të mëdha në vend, LDK-së dhe PDK-së.

Derisa AAK-ja nuk e përjashton mundësinë e garës si opozitë e bashkuar me një listë të vetme,  Vetëvendosje  duket sikur  nuk  e ka në mendje idenë e një liste të përbashkët.

Se  blloku opozitar nuk do të shkojë me një listë  të përbashkët  në zgjedhjet eventuale të parakohshme  është shprehur edhe analisti Halil Matoshi .

Ndërkaq  Muharrem Nitaj, anëtar i Kryesisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, nuk e përjashton mundësinë që në rast të zgjedhjeve të jashtëzakonshme opozita të dalë në zgjedhje me një listë të përbashkët, megjithatë, thotë ai për Botapress se, deri tani nuk ka një vendim se si do të shkohet në zgjedhjet eventuale të parakohshme.

“ AAK e ka si opcionale edhe mundësinë që të shkojë në një listë të përbashkët me dy partitë tjera opozitare, Vetëvendosjen dhe dhe Nismën. Por, deri me sot, nuk ka një vendim se si do të shkohet në zgjedhjet eventuale, të parakohëshme”, deklaroi Nitaj për Botapress. Sipas tij bashkëpunimi i deritashëm I bllokut opozitar ka qenë konstruktiv dhe kjo është një bazë e mirë për të shkuar me një listë të përbashkët në zgjedhje.

“ Ne kemi qenë shumë konstruktiv dhe të suksesshëm në bashkëpunimin që kemi pasur për dy tema të caktuara dhe për kundërshtimin e tyre. Mendoj që kemi funskionuar shumë mirë dhe kjo mund të jetë një bazë e mirë që të jetë e mundshme edhe një listë e përbashkët. Por ajo duhet të negociohet, të dakordohet dhe nuk është edhe aq e thjeshtë”. Tha Nitaj. Ndrësa sa i përket dallimeve ndërmjet AAK-së dhe Vetëvendosjes si subjekte opozitare , Nitaj thotë se ne si subjekte politike jemi të ndara kemi veçoritë dhe dallimet tona, por lista e përbashkët në zgjedhje është e mundshme, nëse vlerësojmë se një lsitë e tillë do të bëjë ndryshime në vend.

“Ne jemi subjekte të ndara politike, i kemi veçoritë dhe dallimet tona. Por, nëse vlerësohet se një listë e përbashkët mund ta bëjë ndryshimin në këtë vend, atëherë mundësia për një listë të përbashkët është më e besueshme”, shprehet Nitaj, për Botapress.

Vetëvendosjë kunër listës së përbashkët…

Ndërkohë, Lëvizja Vetëvendosje  në asnjë rast nuk ka lënë të hapur mundësinë e shkuarjes apo jo në zgjedhje me një listë të përbashkët si opozitë e bashkuar.

Redaksia e Botapress ka dy dittë që ka bërë përpjekje përmes formave të ndryshme të komunikimit , si elektronik ashtu edhe telefonik, për të marrë  deklaratë zyrtare nga Lëvizja Vetëvendosje,  për  të konfirmuar qëndrimin e saj rreth listës së përbashkët , por nuk ka qenë e mundur. Ndryshe, sekretari i Vetëvendosjes, Dardan Molliqaj,  ditë më parë në një intervistë mediale është deklaruar se në zgjedhjet e parakohshme  Lëvizja Vetëvendosje do të fitojë, kurse koalicionin qeverisë do ta bëjë me serbët dhe një fraksion të LDK-së.

Matoshi: Lista e përbashkët opizitare nuk do të linte humbës ose fitues

Halil Matoshi,analist , mendon se opozita nuk do të garojë në zgjedhje me një listë unike, ndrësa thekson se opozita e bashkuar konceptualisht po dëshmohet e pabashkuar .

“ Opozita e bashkuar, më në fund, po dëshmohet e pabashkuar konceptualisht. Ata i ka bashkuar intenca antiqeveri, porse, në thelb, nuk i kanë synimet e njëjta. AAK dhe Nisma, pretendojnë, thjesht, pushtetin, pa reformim të shoqërisë dhe etikës së pushtetit, ndërsa Lëvizja Vetëvendosje mësyn revolucionin shoqëror, përkatësisht ndërrimin e sistemit. Tashmë po bëhet e qartë se vetëm një listë e bashkuar opozitare do ta mund të garonte që t’i fitojë zgjedhjet, mirëpo kjo mund të shpie tek integrimi në një listë zgjedhore i PDK-së dhe LDK-së, për t’i ruajtur pozicionet në shoqëri. Prandaj duket se opozita nuk do të garojë me një listë unike”, deklaroi  Matoshi për Botapress.

I pyetur për dallimet ndërmjet Vetëvendosjes dhe AAK-së, Matoshi është shprehur se dy këto subjekte kanë dallime të thella konceptuale dhe ideologjike sa i përket dinamikave të pushtetit.

“Dallimet në mes të  AAK-së  dhe Vetëvendosjes janë të thella dhe konceptuale, ideologjike edhe për sa i përket dinamikave të pushtetit. VV-ja është instrument për ndryshimin e shoqërisë, ndërsa AAK-ja pretendon që ta marrë pushtetin për ta ndryshuar etikën e pushtetit, pa i prekur Institucionet e shtetit, përkatësisht, duke respektuar Kushtetutën dhe rendi simbolik të saj!”, është shprehur për Botapress Matoshi. Duke u përgjigjur në pyetjen e Botapress  se cili subjekt  opozitar do të dalë fitues e cili humbës, nëse këto subjekte do të garojnë me një listë të përbashkët  në zgjedhjet e parakohshme , Matoshi tha se lista e përbashkët e opozitës nuk do të nxirrte humbës e as fitues, por eventualisht do të detyronte Vetëvendosjen të moderohet në kushtet e demokracisë liberale.

“ Lista e përbashkët opizitare nuk do të linte humbës ose fitues, mirëpo ajo eventualisht do ta detyronte Vetëvendosjen  që të moderohet në kushtet e demokracisë liberale. Dallimet mes këtyre dy subjekteve janë edhe të rrafshit të raporteve të Kosovës me faktorin ndërkombëtar, përkatëisht me Perëndimin e veçmas me SHBA-të. VV-ja insiton që të rishqyrtohen këto raporte, përfshirë edhe kundërshtimin e neoliberalizmit, kurse AAK-ja mësyn konservimin e këtyre raporteve, duke ruajtuar marrëdhënie të ngushta dhe të paçortueshme, sidomos me ShBA-të!”, ka deklaruar Matoshi për Botapress.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)