26 Prill 2024

Qeveria ka miratuar raportin për gjendjen e natyrës në Kosovë

Prishtinë, 5 shkurt – Qeveria e Republikës së Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Isa Mustafa ka zhvilluar mbledhjen e 73-të të rregullt, në të cilën ka shqyrtuar dhe miratuar një varg vendimesh nga përgjegjësitë kushtetuese dhe ligjore.

Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin për shqyrtim të mëtejshëm të kërkesës për shpronësim dhe krijimin e detyrueshëm të servitutit për interes publik për pronat të cilat preken nga ndërtimi i linjës së dyfishtë 110 kV Nën Stacioni Peja 3 dhe Peja 1 dhe Rehabilitimi i Linjës ekzistuese 110 kV Nën Stacioni Peja 2 dhe Nën Stacioni Deçan.

Është miratuar edhe revokimi i pjesërishëm i vendimit përfundimtar Nr.03/30, datë 20.05.2015 dhe korrigjimin e vendimit përfundimtar Nr. 08/47 datë 02.09.2015.

Kabineti qeveritar ka miratuar vendimin për sigurimin e buxhetit për angazhimin e ekspertëve për studime rasti lidhur me përvojat ndërkombëtare, në rastet e ngjashme me Ndërmarrjen “Trepça” në shumën prej 15 mijë euro.

Kjo do të shërbejë në hartimin e Strategjisë dhe të Ligjit për “Trepçën”.

Kryeministri Isa Mustafa tha se kanë zhvilluar takime me të gjitha palët e interesuara lidhur me Trepçën dhe janë ndarë disa prej detyrave që të punohet në transformimin e Trepçës. “Është një orientim që ne të kemi studime të rastit, të kompanive të ngjashme me Trepçën, në mënyrë që ato t’i marrin si modele gjatë hartimit të Strategjisë dhe të Ligjit për Trepçën. Këto mjete, janë të destinuara për ato qëllime”, tha kryeministri Mustafa.

Në mbledhjen e sotme është miratuar Programi për Mbrojtjen e Konsumatorit për periudhën 2016-2020.

Qeveria gjithashtu ka miratuar edhe Raportin për gjendjen e natyrës në Kosovë 2010-2014, dhe për këtë do të informojë edhe Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Me vendime të ndara, Qeveria e Republikës së Kosovës ka emëruar sekretarët e përgjithshëm, për një mandat trevjeçar, Arton Berisha në Ministrinë e Administratës Publike dhe Xhelil Bekteshi në Ministrinë e Infrastrukturës.

Është miratuar propozimi për themelimin e Komisionit për Verifikimin e Diplomave të lëshuara nga Universiteti i Mitrovicës së Veriut.

Edhe vendimi që të kërkohet rekomandimi i Presidentes së Republikës së Kosovës për dhënien e autorizimit Ministrit të Integrimit Evropian, për nënshkrimin e Marrëveshjes financiare për IPA 2015 ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian, ka marrë miratimin e Qeverisë në mbledhjen e sotme.

Kabineti qeveritar është informuar për rezultatin dhe rekomandimet nga takimet e Dialogut të Procesit të Stabilizim Asociim për Drejtësi, Liri dhe Siguri dhe Inovacion, Kapital Njerëzor, Politika Sociale dhe Shoqërinë Informative, që janë zhvilluar nga 26 deri më 28 janar 2016 në Prishtinë.

Është aprovuar edhe vendimi përfundimtar për shpronësimet të cilat preken nga ndërtimi i Autostradës R6 Prishtinë-Hani i Elezit, Sektori C2b, Komuna e Ferizajt.

Në mbledhjen e sotme, Qeveria e Republikës së Kosovës ka emëruar Ibrahim Makollin, kryetar të delegacionit të Kosovës për bisedime në çështjen e personave të zhdukur.

Me kërkesë të kryeministrit, ministri i Integrimeve Evropiane, Bekim Çollaku, ka njoftuar kabinetin qeveritar në lidhje me procesin e plotësimit të tetë rekomandimeve të Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave. Sipas ministrit Bekim Çollaku, nga tetë rekomandime, gjashtë janë plotësuar ndërsa dy janë në proces. Ministri Çollaku është shprehur i bindur për një vendim meritor për liberalizim të vizave nga ana e Komisionit Evropian.

Gjatë mbledhjes, u bë e ditur se gjatë periudhës së përgatitjes së dokumenteve për kompletimin e strukturës së financimit të projektit të hekurudhave të linjës 10-të është lënë jashtë vendimit nr.08/44 të datës 12.08.2015, pjesa e marrëveshjes me Bankën Evropiane për Investime dhe aty është përfshirë vetëm për Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Me këtë rast, Qeveria e Kosovës mori vendim që t’i kërkojmë Presidentes së Kosovës, ta plotësojë autorizimin e saj për ministrin e Financave për nënshkrimin e marrëveshjes, e cila është dashur të jetë pjesë në mbledhjen e Qeverisë të datës 12.08.2015.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)