20 Prill 2024

Përurohet monumenti i Hasan Prishtinës në Polac të Skenderajt

Polac, 26 nëntor - Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, mori sot pjesë në ceremoninë e përurimit të monumentit të Hasan Prishtinës në fshatin Polac të Skenderajt. 

Në fjalën e tij të rastit, kryeparlamentari Veseli shkoqiti aspekte të veprimtarisë atdhetare të kësaj figure markante të kombit, si në nxitjen, organizimin dhe udhëheqjen e kryengritjeve të armatosura kundër pushtuesit, ashtu edhe në angazhimin e pareshtur për arsimimin e gjeneratave. 

Kryetari Veseli tha se Lagjes Veliu, Polacit heroik dhe djepit të UÇK-së, Drenicës, sot i është rikthyer lavdia, e cila personifikohet në figurën me dimension unikat në historinë tonë kombëtare, Hasan Prishtinës.

“Hasan Prishtina ishte një nga kreatorët e pavarësisë së kombit tonë, i cili me guxim, Mexhlisit otoman iu drejtua me fjalët: ‘Ka ardhur fundi juaj’. Me idetë dhe organizimin e tij, filloi rezistenca dhe kryengritja kundër pushtuesve, që kulmuan me ngritjen e flamurit kombëtar dhe shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë. Ai vazhdoi luftën për liri edhe nga Shqipëria, duke i dhënë mbështetje lëvizjeve luftarake në Kosovë dhe viset e tjera të pushtuara, në krye me Azem Bejtën, por dhe në rrafshin diplomatik, me përpjekjet dhe angazhimet në qendrat e ndryshme ballkanike dhe evropiane, si Vjenë, Selanik e gjetiu”, theksoi kryetari Veseli.

Në vazhdim të fjalës së tij, kryetari i Kuvendit potencoi kontributin e jashtëzakonshëm të Hasan Prishtinës edhe në rrafshin arsimor, si segment krucial i zhvillimit të gjithmbarshëm të një kombi.  

“Hasan Prishtina mbolli farën e lirisë e të përparimit edhe tek të rinjtë, duke nxitur dhe kontribuar me të gjitha mjetet që të kryejnë shkollimin, si mundësi e vetme për shqiptarët që të zënë hapin e zhvillimit me vendet e përparuara”, tha ndër të tjera në fjalën e tij kreu i Kuvendit, Kadri Veseli.

Nga Drenica e Adem Jasharit, kryetari Veseli përcolli mesazhe urimi për të gjithë shqiptarët, me rastin e Festës së 28 Nëntorit. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)