29 Mars 2024

LB: Kosovës i duhet ende konsensus kombëtar

Prishtinë, 26 nëntor - Lëvizja për Bashkim (LB) ka deklaruar se 28 nëntori është pa dyshim festa më e madhe e kombit shqiptar. Kjo festë gjithmonë i ka bashkuar shqiptarët kudo që jetojnë.

Tanimë, kur jemi në prag të kësaj feste, partitë opozitare kanë paralajmëruar manifestim protestues pikërisht në ditën e festës.

Lëvizja për Bashkim e konsideron të drejtën e protestës vlerë të çdo shoqërie. Por ne, si subjekt politik, me këtë rast dëshirojmë t’u bëjmë thirrje edhe partive opozitare, edhe Qeverisë,  edhe qytetarëve pjesëmarrës të protestës, që të kontribuojnë në atë mënyrë që ky manifestim të jetë paqësor dhe mesazhi të jetë në frymën e ndërtimit të bashkëpunimit të të gjitha forcave politike për çështjet që kanë të bëjnë me interesin tonë nacional.

\"Të mos shfrytëzohet kjo festë bashkuese për të përcjellë mesazhe përçarëse e për të krijuar atmosferë ndarëse. Përndryshe, protesta do të shndërrohet në keqpërdorim të Festës kombëtare!\", thekson LB.

Lëvizja për Bashkim, që para fillimit të bisedimeve me Serbinë ka paralajmëruar se këto bisedime janë të pashmangshme, por ato po fillojnë të papërgatitura, pa konsensus kombëtar e pa platformë politike dhe në këto rrethana rezultatet do të jenë me pasoja tepër të rënda për Kosovën dhe për shqiptarët në përgjithësi.

Por injorimi i kësaj thirrjeje, si nga pozita, ashtu edhe nga opozita e atëhershme dhe pozicionimi i tyre ekstrem ka bërë që përmbajtja e asaj se çka duhet të bisedohet me Serbinë të mbetet nën hijen e asaj se a të bisedohet apo jo me të.  Dhe për shkak të këtyre qëndrimeve të skajshme nga të dyja blloqet e mëdha politike, sot po përballemi me një situatë shumë të rëndë e të dëmshme për vendin.

Ne vazhdojmë të jemi të bindur se një konsensus kombëtar, i ndërtuar mbi parimin e reciprocitetit si bazë e zgjidhjes së këtyre problemeve, do të prodhonte një situatë krejt tjetër, shumë më të favorshme krahasuar me këtë që e kemi sot.

Prandaj, Lëvizja për Bashkim edhe sot bën thirrje për uljen e tensioneve dhe për gjetjen e kurajës për t’u ulur së bashku i gjithë spektri politik i shqiptarëve, me qëllim të arritjes së një konsensusi për rrugën e mëtutjeshme të vendit.

Të vendosim së bashku për fatin e vendit sot, në mënyrë që të mos e akuzojmë njëri-tjetrin nesër!
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)