23 Prill 2024

LDK:Opozita po përdorë dhunën për të ardhur në pushtet

Prishtinë, 13 tetor - Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me shqetësim po i përcjell ngjarjet e fundit nga të cilat po rrezikohet rendi kushtetuese, funksionimi  i institucioneve, prona dhe jeta e qytetarëve.

Vetëvendosje e përkrahur edhe nga dy partitë e tjera opozitare, mbrëmë i ka ftuar hapur qytetarët për dhunë në drejtim të policisë dhe institucioneve të drejtësisë. Madje ata edhe po krenohen për dhunën e ushtruar ndaj Policisë së Kosovës dhe lëndimin e 14 policëve që kërkuan mbrëmë ndihmë mjekësore në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

LDK-ja e respekton në plotëni ndarjen e pushteteve dhe i jep përkrahje të fuqishme institucioneve të drejtësisë dhe atyre të rendit dhe ligjit për zbatuar ligjin për të gjithë qytetarët pa dallim.

E përballur me mungesë të mbështetjes qytetare, Vetëvendosje dhe aleatët e saj po përdorin dhunën si mjet për të ardhur në pushtet. Opozita po përdor dhunë kundër institucioneve të Kuvendit, Qeverisë, Policisë, Gjykatave, Prokurorisë, kundër familjeve dhe kundër të gjithë atyre që nuk mendojnë me logjikën e dhunës si mjet për të ardhur në pushtet.

Për LDK-në si parti me traditë institucionaliste është i papranueshëm përdorimi i dhunës ndaj qytetarëve dhe pronave të tyre. Qytetarët e Kosovës kanë vuajtur shumë nga dhuna e cila nuk është në traditën e tyre. Policët e lënduar mbrëmë janë burra dhe gra të Kosovës, që kujdesen 24 orë për sigurinë tonë. Sulmi ndaj policisë për arritjen e qëllimeve politike, është sulm ndaj familjeve kosovare.

Për LDK-në nuk janë të rastësishme këto trazira të nxitura nga opozita, pasi që vendi ndodhet para tri proceseve të mëdha politike dhe ndërkombëtare, siç janë procesi i anëtarësimit në UNESCO, procesi i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit dhe procesi i liberalizimit të vizave. Rrugët me gurë dhe mbetjet tjera nga trazirat, ju shkojnë për shtati atyre që po e minojnë shtetin e Kosovës si një demokraci e re dhe integrimin e saj në iniciativat rajonale dhe euroatlantike.

Ata që po përdorin dhunë nuk kanë të ardhme politike, pasi që qytetarët e Kosovës kanë traditë ndër shekuj për t\'i rezistuar dhunës dhe imponimit.

Dhuna që po ushtrohet kohët e fundit kundër institucioneve dhe pjesëtarëve të  saj është kuptuar fare mirë nga qytetarët se ka qëllim të vetin marrjen e pushtetit pa vota të qytetarëve. Koha kur është qeverisur Kosova pa votën qytetare ka mbaruar më 12 qershor 1999 dhe tani vendi qeveriset nga ata që marrin përkrahje qytetare dhe krijojnë shumicën në Kuvend.

LDK-ja i fton qytetarët që të distancohen nga ata që dhunën e konsiderojnë mjet për të ardhur në pushtet.

LDK-ja si pjesë e Partive Popullore Evropiane, mbetet e përkushtuar për të zbatuar rregullat demokratike të funksionimit të shtetit dhe demokracisë, duke çmuar dhe ruajtur me përkushtim partneritetin dhe mirësinë me aleatët tanë europerëndimor.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)