24 Prill 2024

Mustafa: Kemi plotësuar 87 kritere prej 95 sa janë

Prishtinë, 7 tetor - Qeveria e Republikës së Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Isa Mustafa, ka zhvilluar mbledhjen e rregullt, në të cilën ka miratuar vendime nga përgjegjësitë e saj kushtetuese dhe ligjore.

Gjatë mbledhjes, kryeministri Isa Mustafa ka njoftuar për vizitën e zhvilluar në Nju Jork, nga 26 deri më 1 tetor, ku pjesë e delegacionit kanë qenë edhe zëvendëskryeministri i parë, njëherësh ministri i Jashtëm, Hashim Thaçi, ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku dhe ministri i Brendshëm, Skender Hyseni.

Kryeministri tha se në takimet në Nju Jork, delegacioni qeveritar i sivjetshëm ka qenë në numër më i vogël në krahasim me ato të viteve të kaluara.

“Ne atje kemi pas kontakte me përfaqësues të administratës të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kemi pas kontakte me përfaqësues të Bashkimit Evropian, dhe po ashtu me shtete të ndryshme. Kemi marrë pjesë në Samitin Global të Liderëve në Luftën kundër ISIS-it dhe Ekstremizmit të Dhunshëm, me ftesë të presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ftesën e kam pas unë, ka qenë edhe zëvendëskryeministri Thaçi dhe ministri i Brendshëm, Hyseni. Jemi trajtuar në mënyrë të barabartë sikurse edhe të gjitha vendet tjera në selinë e Kombeve të Bashkuara”, tha kryeministri.

Kryeministri Mustafa po ashtu bëri të ditur se në kuadër të takimeve me administratën e SHBA-ve janë takuar me zëvendës sekretarin amerikan, Antony J. Blinken, ndihmës sekretaren, Victoria Nuland, dhe ndihmës sekretarin Hoyt Yee.

“Kemi biseduar për shumë çështje. Një ndër çështjet që e kemi shprehur gati në të gjitha takimet ka qenë anëtarësimi jonë në UNESCO. Kemi biseduar po ashtu edhe për përkrahjen e tyre sa i përket liberalizimit të vizave. Kemi biseduar lidhur me anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL, për procese tjera euroatlantike, dhe po ashtu kemi biseduar për përkrahjen e tyre lidhur me transformimin e FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës. Kemi takuar po ashtu edhe përfaqësues të vendeve të ndryshme.\"

\"Jemi takuar me presidentin e Bullgarisë, me kryeministrin e Turqisë, me kryeministrin e Luksemburgut, me ministrin e Jashtëm të Norvegjisë, i cili ka qenë shef i delegacionit atje, me ministrin e Jashtëm të Greqisë, me ministrin e Jashtëm të Zvicrës. Kemi pas po ashtu takime edhe me sekretarin për Marrëdhënie me Shtete të Selisë së Shenjtë, në Nju Jork”, bëri të ditur kryeministri, duke theksuar se edhe zëvendëskryeministri Thaçi ka marrë pjesë në takime të veçanta me vendet e Ballkanit Perëndimor, me ato të A5-shit, dhe po ashtu edhe me grupe të ndryshme.

Kryeministri Mustafa po ashtu ka bërë të ditur se gjatë vizitës janë takuar edhe me sekretarin e Organizatës së Bashkëpunimit Islamik, ku është kërkuar që të gjitha shtetet e këtyre organizatave ta njohin pavarësinë e Kosovës dhe që të përkrahin anëtarësimin e Kosovës në UNESCO.

“Sa i përket takimeve me përfaqësues të BE-së, kemi takuar presidentin e Këshillit Evropian, Donald Tusk, me përfaqësuesen e lartë të BE-së, Federica Mogherini, dhe komisionerin e BE-së për Migrim dhe Çështje të Brendshme dhe Shtetësi, Dimitris Avramopoulos, me të cilin kryesisht kemi këmbyer çështjet që kanë të bëjnë me MSA-në, me liberalizimin e vizave dhe me proceset e integrimeve tona, edhe çështjet që kanë të bëjnë me dialogun me Serbinë dhe proceset e këtij dialogu. Mund t’iu them se kemi marrë përkrahjen e të gjithëve, edhe të administratës së SHBA-ve, për proceset të cilat ne i kemi kapërcyer këtu, edhe sa i përket vendimit për Gjykatën Speciale, edhe sa i përket demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, edhe katër marrëveshjeve të cilat ne i kemi arritur në Bruksel më 25 gusht të këtij viti”, theksoi kryeministri.

Kryeministri Mustafa po ashtu ka thënë se është paralajmëruar se së shpejti do të ndodh nënshkrimi i Marrëveshjes për Stabilizim Asociim, dhe se në momentin kur jepet vlerësimi se janë plotësuar të gjitha kushtet teknike, sa i përket liberalizimit të vizave, do të merret vendimi politik për caktimin e datës për liberalizim.

“Mund t’iu them se sipas vlerësimeve tona, por edhe të komisionit i cili e ka bërë vlerësimin, ne kemi plotësuar plotësisht 87 kritere prej 95 sa janë. Kanë mbetur 8 të cilat i kemi plotësuar gati në shumicën prej tyre, por kanë mbetur që të përplotësohen krejtësisht.\"

\"Ne kemi pas një bisedë këtu me përfaqësuesit e institucioneve tek të cilat bien edhe këto kritere, edhe të ministrive të caktuara të Qeverisë së Republikës së Kosovës, Ministrisë së Punëve të Brendshme, Ministrisë së Integrimeve Evropiane, Ministrisë së Drejtësisë, pastaj kryeprokurorin, kryetarin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, drejtorin e Policisë, dhe jemi marrë që të gjitha këto institucione të punojnë, në mënyrë që deri më datën 30 nëntor ne t’i përfundojmë tërësisht të gjitha kriteret që shtrohen para nesh sa i përket liberalizimit të vizave.\"

\"Unë ju garantoj që do të punohet shumë për këtë, dhe do të arrijmë që gjatë kësaj periudhe të mos ketë asnjë vërejtje sa i përket edhe këtyre çështjeve që kanë mbetur, që më tepër janë çështje teknike, të cilat do t’i realizojmë dhe do t’i adresojmë së shpejti. Unë jam i bindur që nuk ka mandej asnjë arsyetim që Bashkimi Evropian, përkatësisht institucionet e BE-së të mos reflektojnë në datën e liberalizimit të vizave për Kosovën.

Vendimi përfundimtar pritet gjatë këtij muaji. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)