24 Prill 2024

Veseli: Nënë Tereza ishte bijë e këtij populli

Kaçanik, 4 shtator - Nën kujdesin e kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, sot në Kaçanik është mbajtur manifestim në nderim të figurës së humanistes Nënë Tereza, me temën: \"Nënë Tereza - simbol i dashurisë dhe bamirësisë\".

Në manifestim morën pjesë krerë të Kishës Katolike të Kosovës, të Bashkësisë Islame të Kosovës, përfaqësues të institucioneve qendrore dhe lokale, të ftuar të tjerë dhe qytetarë të shumtë.

Në fjalën e tij të rastit, kryeparlamentari Veseli, çmoi lart figurën e Nënës Tereze, duke e cilësuar atë flamurtare të madhe të humanizmit dhe solidaritetit njerëzor dhe simbol universal të bamirësisë. Z. Veseli tha se u zgjodh Kaçaniku për të nderuar këtë figurë të madhe të kombit tonë dhe të njerëzimit, sepse Nënë Tereza, ajo vasha e dikurshme e ndrojtur, Gonxhe Bojaxhiu, ishte bijë e këtyre trevave, Kaçanikut, Shkupit, Prizrenit, bijë e traditave të fuqishme të tolerancës fetare dhe solidaritetit, që janë të rrënjosura në kulturën dhe shpirtin tonë.

\"Nënë Tereza ishte bijë e këtij populli, që shpirtin solidar të tij e shndërroi në një lëvizje botërore të humanizmit dhe bamirësisë. Nënë Tereza ishte një luftëtare e madhe e shpresës njerëzore\", theksoi kryetari Veseli, ndërsa shtoi se kjo bijë e kombit, gjithë jetën luftoi kundër barbarive që krijoi shekulli XX, duke mbajtur kështu gjallë idealin e një bote më të mirë, më solidare dhe më të drejtë.

Nënë Tereza, shtoi kreu i Kuvendit, në shekullin e urrejtjeve ideologjike e fetare, zbuloi dimensionin humanist të religjionit dhe idenë e madhe se dashuria për zotin ka kuptim vetëm duke qenë dashuri për njerëzit.


\"18 vite pas vdekjes së bijës sonë të madhe, bota vazhdon të përballet ende me probleme dhe kriza të mëdha. Urrejtja, e ndërtuar mbi abuzimin e ideve politike dhe fetare, është duke bërë kërdinë në shumë pjesë të botës, duke shkatërruar jetën e milionave njerëzve dhe duke i zhytur në mjerim social miliona të tjerë. Në këtë situatë, mesazhi jetësor i Nënë Terezës, bëhet më aktual se kurrë. Bëhet i domosdoshëm. Dhe ky mesazh është se religjioni duhet të ketë vetëm një aleat- HUMANIZMIN\", tha kryetari Veseli.

Duke nderuar sot Nënë Terezen, shtoi kryetari i Kuvendit, ne frymëzohemi me idealin e saj të bamirësisë. Kryeparlamentari Veseli tha se sot, kur rrugët e Ballkanit janë të mbushura me refugjatë të ikur nga terrori i luftës në Siri, këtë frymëzim duhet kthyer në vepra konkrete, duke ndihmuar që dhimbjet e këtyre refugjatëve të pakësohen.

\"Askush më mirë se sa ne nuk e kupton dhimbjen e braktisjes së atdheut për shkak të terrorit. Askush më mirë se sa ne nuk e ndjen trishtimin në fytyrat e fëmijëve të ikur nga lufta. Prandaj është moment që me aq sa kemi mundësi, të bëhemi pjesë e solidaritetit me njerëzit e vuajtur. Kështu e vazhdojmë misionin e bijës sonë të madhe, Nënës Terezë. Kështu, e nderojmë më së miri vetë atë\", theksoi në fjalën e tij kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)