20 Prill 2024

Pavarësia e Kosovës, falë aleancës strategjike me SHBA-të

Prishtinë, 31 gusht - Ministrja për Dialog e Qeverisë së Republikës së Kosovës, Edita Tahiri, sot ka pritur në takim njoftues ambasadorin e ri të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Greg Delawie.

Gjatë këtij takimi, ministrja Edita Tahiri i uroi atij mirëseardhje në Republikën Kosovës dhe shprehu përkushtimin për një bashkëpunim të ngushtë për të mirën e shtetit të Kosovës dhe marrëdhënieve të shkëlqyera bilaterale. Ministrja Tahiri foli për progresin e arritur në shtetndërtimin demokratik të Kosovës dhe vizionin euroatlantik të Kosovës duke theksuar reformat e gjithanshme që Qeveria e Kosovës është duke ndërmarrë.

Ajo tha se liria dhe pavarësia e Kosovës është realizuar falë aleancës strategjike me SHBA-të dhe kërkoi që SHBA-të të vazhdojnë të luajnë rol kryesor në mbështetje të progresit, stabilitetit dhe integrimit të Kosovës në BE, NATO, OKB e organizma tjerë ndërkombëtar.

Më tej, ministrja Tahiri foli për progresin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore  në mes të Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësuar nga BE dhe me mbështetjen e fuqishme të SHBA-ve, duke e vlerësuar si dialog që forcon sovranitetin shtetëror të Kosovës si dhe kontribuon për paqe dhe fqinjësi të mirë në rajon.

Në këtë kuadër vlerësoi marrëveshjet e fundit të arritura në Bruksel duke thënë gjithashtu se ato ndihmojnë për t’i dhënë fund ndërhyrjeve të Serbisë në Kosovë, përmes shuarjes së strukturave paralele në veri të vendit dhe heqjen e pengesave për integrimin e serbëve në sistemin shtetëror të Kosovës. Marrëveshjet janë me dobi politike, ekonomike dhe të sigurisë dhe do të përmirësojnë jetën e qytetarëve në shtetin tonë theksoi ajo.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Greg Delawie, vlerësoi lartë progresin e deritashëm në Kosovë dhe siguroi se SHBA-të do të vazhdojnë përkrahjen e fuqishme për Kosovën dhe rrugëtimin e saj për integrime euroatlantike. Ai theksoi mbështetjen për dialogun e Brukselit si një proces të rëndësishëm për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve si dhe konfirmoi angazhimin e Qeverisë së SHBA-ve për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit bilateral ndërmjet dy vendeve.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)