23 Prill 2024

Qeveria miratoi Dhomat dhe dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar

Prishtinë, 3 gusht -  Qeveria e Republikës së Kosovës, e kryesuar nga kryeministri Isa Mustafa, zhvilloi mbledhjen e 42-të. 

Në këtë mbledhje, kabineti qeveritar miratoi Projektligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, si dhe Projektligjin për Mbrojtjen Juridike dhe Mbështetjen Financiare të Personave të Akuzuar Potencialë në Proceset Gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara.

Pas aprovimit nga ana e Kuvendit të Kosovës të ndryshimeve kushtetuese, Qeveria ka shqyrtuar edhe miratuar këto dy Projektligje duke i proceduar në Kuvendin e Republikës së Kosovës me procedurë të shpejtë.

Gjatë shqyrtimit të Projektligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, kryeministri Isa Mustafa theksoi se lidhur me tekstin e këtij Projektligji janë zhvilluar bisedime dhe janë bërë përpjekje maksimale që Projektligji t’i përshtatet nevojave të Kosovës dhe të jetë në harmoni me interesat e kërkesat e Kosovës.

“Unë vlerësoj se ekipi ynë, së bashku me ministrin, kanë bërë një punë të shkëlqyeshme, ka pas një përkushtim shumë të madh, është arritur ajo çka mund të arrihet edhe në Bruksel, edhe këtu në Prishtinë”, tha kryeministri Mustafa.

Kryeministri Isa Mustafa po ashtu theksoi se së bashku me zëvendëskryeministrin dhe me kryetarin e Kuvendit kanë zhvilluar biseda me ekipin e Brukselit dhe kanë bërë përpjekje maksimale që të gjitha vërejtjet, sugjerimet profesionale të cilat kanë qenë, të kërkohen që të inkorporohen në tekst.

“Ajo që ka mund të arrihet është arritur. Qëndrimi përfundimtar ka qenë që teksti përfundimtar mbetet ai që sot e tha ministri para jush, do të thotë i fundit të muajit maj. Ky tekst është para nesh, është një tekst i cili ka mbetur si tekst përfundimtar dhe në të cilin ne nuk kemi arritur të bëjmë ndryshime”, tha kryeministri Mustafa, duke shtuar se edhe sot në Qeveri nuk kërkohet që të bëhen ndryshime të tilla sepse pastaj shtrohet pyetja që ky tekst duhet të jetë në harmoni dhe i bashkërenditur me Bashkimin Evropian. 

Qeveria e Kosovës po ashtu ka miratuar Projektligjin për Mbrojtjen Juridike dhe Mbështetjen Financiare të Personave të Akuzuar Potencialë në Proceset Gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara.

Sa i përket këtij projektligji, kryeministri Mustafa ka thënë se është një praktikë që e kanë aplikuar edhe të gjitha vendet tjera.

“Ne nuk mund t’i konsiderojmë njerëzit që janë fajtorë përderisa gjykata nuk i shpallë si të tillë dhe ne duhet që të gjithë t’i përkrahim, që ky proces të kryhet në mënyrën më të drejtë, që familjet e tyre të mos ngarkohen dhe mos ta bartin pasojën e dyshimeve për individë.\"

\"Ne urojmë që procesi të jetë i drejtë dhe natyrisht përkrahja e Qeverisë në këtë aspekt është përkrahje që ne t’iu mundësojmë që ky proces të kryhet në mënyrë të drejtë dhe të mundësojmë që të gjitha palët atje ta kenë mundësinë që të marrin pjesë në mënyrë të barabartë në një proces gjyqësor”, tha kryeministri Mustafa. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)