25 Prill 2024

Në Kuvend u shfaq dokumentari “Follow us”

Prishtinë, 3 korrik - Sot, në sallën e mbledhjeve plenare të Kuvendit të Republikës së Kosovës, në prani të deputetëve të Kuvendit, përfaqësuesve të misioneve diplomatike e organizatave të ndryshme vendore e ndërkombëtare, si dhe deputeteve nga Kuvendi i Republikës së Serbisë, është shfaqur dokumentari ”Follow us” (i sponsorizuar nga Misioni i OSBE-së), i cili trajton rolin e grave në shoqëri dhe në raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Hapjen e kësaj ngjarjeje e bëri kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, i cili në fjalën e tij para të pranishmëve, takimin e sotëm e konsideroi mundësi të mirë për dhënien e mesazheve të përbashkëta të mirëkuptimit reciprok, por edhe për nxitjen e bashkëpunimit në funksion të paqes, zhvillimit dhe progresit të përgjithshëm rajonal. Kryetari Veseli tha se Republika e Kosovës beson dhe punon në politikat e fqinjësisë së mirë me të gjitha shtetet e regjionit tonë, përfshirë edhe fqinjin e saj verior - Serbinë.

“Mbi bazën e kësaj ne kemi përqafuar platformën e dialogut të vazhdueshëm me qeverinë e Serbisë, në mënyrë që raportet tona të normalizohen dhe problemet mes nesh të zgjidhen përmes komunikimit dhe marrëveshjeve. Horizonti i këtij dialogu duhet të zgjerohet. Pra, të mos jetë vetëm dialog politik dhe institucional, privilegj i elitave politike, por edhe dialog qytetar dhe kulturor, në fushën e shoqërisë civile”, theksoi kreu i Kuvendit të Kosovës, ndërsa shtoi se në Kosovë besohet se historia e konflikteve të dhunshme ka përfunduar një herë e përgjithmonë, duke i hapur rrugë një epoke të re marrëdhëniesh bashkëpunimi.

Kjo epokë, shtoi z. Veseli, udhëhiqet nga vizioni për ta bërë Ballkanin pjesë të vlerave euro-atlanike.

Këtë takim kryetari Veseli e cilësoi si një argument më shumë se vizioni evropian po zë vend në mendjet dhe zemrat e qytetarëve, në të cilin roli i deputeteve dhe i grave që ato përfaqësojnë, është shumë i rëndësishëm.

“E dimë se ende ka shumë pengesa, hezitime e paragjykime, sikurse e tregon edhe dokumentari ‘Follow Us’, por ne duhet ta kemi të qartë se jemi zgjedhur për t’i kapërcyer me vendosmëri këto pengesa dhe paragjykime. Ne jemi zgjedhur për t’i çuar përpara shoqëritë tona, drejt një të ardhme që dallon krejtësisht nga e kaluara.

Kemi shansin historik, por edhe mundësitë dhe instrumentet për t’ia arritur këtij qëllimi”, theksoi në fjalën e tij kryeparlamentari Veseli.

Lidhur me rëndësinë e dokumentarit dhe nevojën e rritjes së bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, në të cilin një rol të rëndësishëm bartin gratë përfaqësuese të Kosovës dhe Serbisë, foli kryetarja e Grupit të Grave Deputete, Blerta Deliu-Kodra.

“’Follow us’ është guxim i grave për të nisur projekte jo populiste. Prandaj sot është është një ditë reflektimi e angazhimi për sfidat që kemi përpara, me që sot nis një qasje ndryshe për të zgjedhur problemet tona të përbashkëta”, theksoi ajo. 

Në vazhdim folën edhe deputetja Teuta Sahatqija, deputetja e Parlamentit të Serbisë, Maria Obradoviq dhe shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Jean-Claude Schlumberger. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)