25 Prill 2024

Ende janë të uzurpuara 420 shtëpi të shqiptarëve në veri

Prishtinë, 27 maj  - Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, priti sot në takim një grup asamblistësh nga komunat veriore të Kosovës dhe Këshillin e Veriut, me të cilët bisedoi për sfidat dhe problemet me të cilat po përballen qytetarët shqiptarë të asaj pjese të Republikës së Kosovës, si dhe për mundësitë e tejkalimit të tyre.

Asamblistët shqiptarë të komunave veriore e njoftuan kryetarin Veseli me zhvillimet shqetësuese që po ndodhin në atë pjesë të vendit, si pasojë e ndërtimeve të shtëpive të komunitetit serb, nëpërmjet të cilave, sipas tyre, po tentohet të ndryshohet raporti etno-demograf.

Ndërkaq, në anën tjetër, ende vazhdojnë të jenë të uzurpuara rreth 420 shtëpi të shqiptarëve, kurse mbi 200 të tjera kanë nevojë të ndërtohen dhe rindërtohen.

Kryetari Veseli, nga ana tjetër, ndau shqetësimin e tij lidhur me këto zhvillime dhe njëkohësisht, shprehu gatishmërinë për të kontribuar në kthimin e qytetarëve në pronat e veta në pjesën veriore të vendit.

“Ne bashkëndajmë këtë shqetësim, sepse kjo nuk i ndihmon as raporteve tona të fqinjësisë së mirë, por njëkohësisht nuk i ndihmon as proceseve në  të cilat jemi orientuar, atyre euro-atlantike”, theksoi kryetari Veseli.

Bashkëbiseduesit shqyrtuan mundësitë e gjetjes së rrugëve dhe marrjen e masave konkrete, nëpërmjet të cilave do të mundësohej lëvizja e lirë e të gjithë qytetarëve pa dallim dhe kthimi i qytetarëve shqiptarë në pronat e tyre legjitime.

Po ashtu u shtrua nevoja e krijimit të një mekanizmi ndërministror mes Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, Ministrisë së Shëndetësisë dhe asaj të Bujqësisë, Pylltarisë e Zhvillimit Rural, për trajtimin me prioritet të problemeve në këto tri segmente, duke i dhënë përparësi punësimit të qytetarëve të kësaj pjese, duke rritur kapacitetet e shëndetësisë publike dhe investimet në bujqësi.

Kryetari Veseli i dha përkrahje edhe idesë së ndërmarrjes së një aksioni humanitar, për ndërtimin e shtëpive në pjesën veriore të Kosovës.

Z. Veseli konfirmoi se takime të tilla me asamblistët e komunave të veriut do të jenë të vazhdueshme. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)