18 Prill 2024

Veseli: Të jetojnë, punojnë dhe zhvillohen të lirë, në vendin e vet

Prishtinë, 5 maj -  Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, sot, mori pjesë dhe mbajti një fjalë rasti në Akademinë Përkujtimore, e cila u organizua nga Shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së, në shënim të 5 Majit - Ditës së Dëshmorëve të Kombit.

Në fjalën e tij para të pranishmëve të shumtë, kryeparlamentari Veseli këtë ditë e konsideroi moment kujtimi për të pavdekshmit, dëshmorët e kombit, të cilët sakrifikuan për lirinë, të tashmen dhe të ardhmen e vendit tonë. Kreu i Kuvendit tha se në këtë ditë është rast i mirë që të kujtohen edhe përkrahësit dhe miqtë, që ndihmuan në situatat jetike të popullit tonë.

“Parësore për neve sot është mirëqenia e qytetarëve, zvogëlimi i papunësisë, rritja e përgjegjësisë që jeta e qytetarëve, fëmijëve dhe rinisë tonë, ashtu siç e deshën dëshmorët e kombit. Të jetojnë, punojnë dhe zhvillohen të lirë, në vendin e vet”, theksoi kryetari Veseli. Ai shtoi se ndërtimi i institucioneve të shtetit, integrimet veri-atlantike dhe zhvillimi ekonomik, janë mesazhi më i mirë se po jetësohet ëndrra e dëshmorëve.

Kryeparlamentari Veseli shtoi se zotimi i institucioneve të Kosovës për shtet ligjor, shtet që përjetëson amanetin e dëshmorëve, bëhet edhe më me peshë, sepse i detyrohen asaj sakrifice të shenjtë, sakrificës madhore për atdhe.

“Duke kujtuar dëshmorët dhe jetën e tyre, sot, ne i bëjmë shërbim fëmijëve tanë, rinisë sonë, që të mos lejojnë t’u cenohet e drejta për liri, e drejta për jetë me dinjitet, e drejta për të njohur të kaluarën tonë, dhe të ardhmen që po e ndërtojmë, për të gjithë qytetarët e vendit. Populli që harron historinë e vet, është i dënuar ta përsëris atë. Liria e meriton çdo sakrificë. I përjetshëm do të jetë kujtimi për Dëshmorët e Kombit. Lavdi jetës dhe veprës së Dëshmorëve të Kombit”, tha në fjalën e tij kryeparlamentari Veseli.

Në këtë Akademi, kryetari Veseli u nderua nga organizatorët me mirënjohje, me motivacionin - Ndihmesë në udhëheqjen e luftës së UÇK-së.

Pjesëmarrës në këtë Akademi ishin familjarë të dëshmorëve, ish-drejtues dhe pjesëtarë të UÇK-së, deputetë dhe bartës të tjerë të përgjegjësive institucionale të vendit, si dhe studiuesi Shaban Sinani e historiani Pëllumb Xhufi, të cilët gjithashtu u nderuan me mirënjohje.

Mirënjohje post mortum iu dhanë edhe personaliteteve Xhavit Haziri dhe Xhafer Istrefi.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)