20 Prill 2024

Kuvendi të mërkurën mblidhet në seancë plenare

Prishtinë, 4 maj - Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, sot, në mbledhjen e saj të përbashkët me kryetarët e grupeve parlamentare, të udhëhequr nga kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, vendosi që të mërkurën, më 6 maj, në orën 10:00, Kuvendi të mblidhet në seancë plenare.

Në këtë seancë pritet të shqyrtohen një varg projektligjesh, raportesh e rekomandimesh.

Pas dy pakave të zakonshme të mbledhjeve të rregullta plenare, koha për deklarime jashtë rendit të ditës, koha për pyetje parlamentare, Kuvendi, në mbledhjen e të mërkurës, do të shqyrtojë Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të përmirësuar pajtueshmërinë e rregulloreve tatimore në nivel ndërkombëtar dhe zbatimin e rregulloreve FATCA, si dhe do të emërojë anëtarët e Bordit të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale.

Më pas, do të shqyrtohen për herë të parë 11 projektligje: Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për menaxhimin e financave publike dhe përgjegjësitë, Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për festat zyrtare në Republikën e Kosovës, Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për pajisje me armë, municion dhe pajisje përkatëse të sigurisë për institucionet e  autorizuara shtetërore për siguri, Projektligji për armë, Projektligji për letërnjoftim, Projektligjit për Avokatin e Popullit, Projektligji për barazi gjinore, Projektligji për mbrojtje nga diskriminimi, Projektligji për trashëgiminë kulturore, Projektligji për Provimin e Maturës Shtetërore (debati ka përfunduar në seancën e mëparshme) dhe Projektligji për Digjitalizimin e transmetimeve radio-difuzive tokësore.

Në vazhdim, do të shqyrtohet në lexim të dytë Projektligji për mbikëqyrjen elektronike të personave të cilëve u kufizohet lëvizja me vendim të Gjykatës ose Panelit për Lirim me Kusht, si dhe Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik.

Mbledhja do të vazhdojë me emërimin e shtatë anëtarëve të Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore, shqyrtimin e rekomandimit të Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Personat e Pagjetur dhe Peticione lidhur me Peticionin e qytetarëve të Rahovecit për ndriçimin e fatit të Ukshin Hotit, si dhe me shqyrtimin e rekomandimit të po këtij komisioni, lidhur me Peticionin kundër ngritjes së çmimit të energjisë elektrike.

Sipas kërkesës së deputetit Nait Hasani, mbështetur edhe nga gjashtë deputetë të tjerë, ndërkaq, do të debatohet lidhur me gjendjen e arsimit në Luginë të Preshevës, ndërsa më pas do të shqyrtohen gjashtë raporte për vitin 2014, të institucioneve të pavarura.

Kështu, deputetët do të shqyrtojnë raportin e Organit Shqyrtues të Prokurimit, raportin e Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik, Raportin e Auditimit për vitin 2013, të Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm, raportin e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës për vitin 2014, raportin e Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas dhe raportin e Zyrës së Rregullatorit për Energji.

Do të shqyrtohet, gjithashtu, edhe raporti financiar për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2014, ai i Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale lidhur me mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për Këshillin Ekonomiko-Social dhe raporti i Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për investimet e huaja.

Në fund, pritet të formohet Komisioni ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për anëtarë të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës të Shërbimit Civil të Kosovës nga radha e komunitetit serb.

Në mbledhjen e sotme, Kryesia diskutoi edhe për çështje të tjera nga fushëveprimtaria e saj. Kështu, Kryesia përkrahu punën e deritashme të Komisionit për Legjislacion dhe atë të Nënkomisionit për Mandate, Imunitete dhe Rregullore të Punës së Kuvendit lidhur me draftimin e Projektligjit për Kuvendin dhe të Rregullores së re të Punës, si dhe i inkurajoi ato që të vazhdojnë punën në këtë drejtim, sipas agjendës së paraparë. U miratua, gjithashtu, Korniza Afatmesme e Shpenzimeve për vitet 2016-2018, Deklarata për Transparencë Parlamentare, kërkesa e grupit punues për hartimin e Planit Strategjik të Kuvendit 2015-2020, si dhe disa kërkesa për vizita të ndryshme zyrtare jashtë vendit nga ana e komisioneve parlamentare.

 

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)