25 Prill 2024

Kosova ka ende punë për plotësimin e kritereve për liberalizim

Prishtinë, 4 maj - Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ka mbledhur sot Këshillin Kombëtar për Integrim Evropian, për të diskutuar përparimin në përmbushjen e kritereve të mbetura që janë vënë nga Komisioni Evropian si kërkesa kryesor për të mundësuar lëvizjen e lirë, pa viza, të qytetarëve të Republikës së Kosovës në shumicën e shteteve evropiane.

Në këtë takim ku të pranishëm ishin edhe kryeministri Isa Mustafa, kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, ministri i Integrimeve Evropiane Bekim Çollaku dhe përfaqësuesi i BE-së në Kosovë Samuel Zhbogar, u theksua se ka ende punë për të plotësuar kriteret e kërkuara nga Bashkimi Evropian për procesin e liberalizimit të vizave.

Kur Kosovës i ka mbetur edhe pak kohë që të dërgojë raportin për përmbushjen e kritereve, ministri i Integrimeve Evropiane Bekim Çollaku, tha se ky raport është në gjendje të keqe dhe si i tillë në çfarë gjendje është tani nuk paraqet përmbushje të kritereve.

Presidentja e vendit Atifete Jahjaga, kërkoi që institucionet të përmbushin detyrimet që kanë dhe të mos vonohen edhe më tej në përmbushjen e detyrave për liberalizim, duke theksuar në të njëjtën kohë se ky proces është vonuar edhe nga vala e fundit e migrimeve.

\"Jemi në fazën e fundit të përmbushjes së kritereve të Komisionit Evropian dhe vlerësoj që përmbushja e këtyre kritereve tash është çështje e vullnetit tonë politik për ta përmbyllur këtë proces.\"

\"Kërkesat e mbetura që i kemi përpara varen tërësisht nga ne dhe ekziston një pajtim i përgjithshëm që në fund të këtij muaji, pra në fund të muajit maj, të jemi në gjendje ta dorëzojmë raportin dhe ta ftojmë Komisionin për të vlerësuar përmbushjen e standardeve me bindje për një vlerësim pozitiv gjatë këtij viti që do t’i hapte rrugë procesit të liberalizimit vitin e ardhshëm\".

\"Andaj sot ju bëj thirrje që ta shfrytëzojmë këtë takim të përbashkët për t’u sqaruar dhe për të tejkaluar çdo pengesë institucionale apo ligjore që do të na mundësonte plotësimin e të gjitha kritereve të kërkuara nga Komisioni Evropian\", ka theksuar Jagjaga.

Nga aspekti i përmbushjes së obligimeve të Kosovës, reagimi institucional për ta ndalur migrimin ilegal sipas saj ishte i shpejtë dhe si rezultat nuk pres që ky episod i dhembshëm të ndikojë negativisht në procesin e liberalizimit të vizave.

Por Jahjaga ka theksuar se mungesa e rezultateve në vendosjen e rendit dhe ligjit dhe krijimin e shtetit të së drejtës do të jetë faktori përcaktues për shpejtësinë me të cilën Kosova do t’iu hapë rrugë investimeve të huaja në vend aq të nevojshme për krijimin e vendeve të punës dhe të ecë drejt Bashkimit Evropian për ta realizuar vizionin tonë që na bashkon.

Praktikave korruptive duhet t’iu vihet fund, sepse ato po lëkundin besimin e qytetarëve tanë dhe po shkatërrojnë shpresën e tyre për ta bërë Kosovën vend të perspektivës dhe të prosperitetit, koncept të qëndrueshëm që qytetarët tanë duan ta quajnë shtëpi të përhershme.

\"Dhe në fund, meqë takimi i Këshillit koincidon me manifestimet për lirinë e shtypit, kësaj hallke jetike për zhvillimin e demokracisë, dua t’i inkurajoj gazetarët e Kosovës që të synojnë ndërtimin e një medie të lirë, të pavarur, sepse një media e pandikuar edhe politikisht është thelbësore për zhvillimin e shoqërisë dhe për përparimin e shtetit.\"

\"Çdo ndikim mbi të, çdo presion apo edhe dhunë ndaj saj është cenim i lirisë së shoqërisë në përgjithësi dhe përpjekje për të shtypur mendimin e lirë. Zhvillimi i lirë i shtypit do ta ndihmojë dhe do ta forcojë demokracinë tonë, duke i dhënë kuptim përpjekjeve tona ne përmbushjen e standardeve drejt ndërtimit të shtetit të së drejtës dhe të zhvilluar, i gatshëm për të qenë pjesë e barabartë e vendeve të Bashkimit Evropian\", ka theksuar ajo.

Edhe kryeministri i Kosovës Isa Mustafa bëri të njëjtën thirrje duke përmendur vështirësitë që kanë qytetarët e Kosovës për aplikim për viza.

\"Jemi dëshmitar të një përkushtimi të të gjitha institucioneve të Kosovës për zbatimin e të gjitha kritereve nga udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave si dhe për zbatimin e rekomandimeve të misioneve vlerësuese të Komisionit Evropian. Për këtë dëshiroj të shpreh mirënjohjen time për punën e madhe dhe angazhimin e treguar në përmbushjen e detyrimeve dhe obligimeve në këtë proces\", ka thënë Mustafa.

Progresi i cili është arritur viteve të fundit qoftë në konsolidimin e kornizës ligjore dhe strategjike, pastaj në konsolidimin e mekanizmave institucionalë dhe rezultatet e prekshme të arritura në të gjitha blloqet e udhërrëfyesit siç ka theksuar ai është reflektuar në raportet e fundit të Komisionit Evropian.

\"Njëkohësisht dëshiroj të theksoj se ky progres është vlerësuar edhe nga ana e përfaqësuesve më të lartë të Bashkimit Evropian. Megjithatë, jemi poashtu të vetëdijshëm për kriteret e mbetura dhe të paadresuara për të cilat institucionet tona janë zotuar t’i përmbyllin deri më 15 maj. Jemi zotuar që institucionet tona ta dorëzojnë raportin final deri në fund të majit, ku do të pasqyrohet progresi në përmbylljen e kritereve të mbetura\", ka pohuar Mustafa.

Ai ka pohuar se si kryeministër do ta përcjell këtë proces me vëmendje të shtuar dhe do të kërkoj raport të rregullt deri tek finalizimi i raportit nga ministritë përkatëse.

Një fushë tjetër ku kërkohet progres dhe rezultat konkrete sipas tij është gjendja civile dhe përmbyllja e sistemit të ri të gjendjes civile që është zvarritur për pasojë të sistemit të tenderimit.

Po kryeministri Mustafa ka deklaurar se Bashkimi Evropian nuk duhet të lejojë që kosovarët të mbesin edhe një kohë në geto, sepse vazhdimi i një gjendjeje të tillë do të ishte i dëmshëm si për Kosovën ashtu edhe për Bashkimin  Evropian.

\"Qeveria e Kosovës do të bëj përpjekje maksimale që t’i përmbush të gjitha detyrimet, që t’i kryejë detyrat që i ka bazuar në udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave. Prandaj, vlerësoj se Komisioni Evropian dhe vendet anëtare të Bashkimit Evropian duhet t’i sigurojnë Kosovës një vlerësim të mirëfilltë, transparent dhe të drejtë, as më shumë as më pak se sa çfarë është bërë me vendet tjera të rajonit\", ka vlerësuar në fund Mustafa.

Edhe kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, bëri thirrje Bashkimit Evropian, më konkretisht përfaqësuesit të BE-së në Kosovë Samuel Zhbogar që të ndikojë në Bashkimin Evropian dhe shqiptarët e Kosovës të kenë të drejtë të udhëtojnë pa viza në zonën Shëngen.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)