28 Mars 2024

Steinmeier: Kosova ka të ardhme të sigurtë evropiane

Prishtinë, 28 prill - Zëvendëskryeministri i parë, Hashim Thaçi, njëherësh edhe ministër i Jashtëm i Republikës së Kosovës, priti homologun e tij gjerman Frank-Walter Steinmeier.

Politika qendrore e Gjermanisë ka një përqendrim të madh në Ballkan dhe për Kosovën, sipas zëvendëskryeministrit Thaçi, Gjermania mbetet një partner kyç në rrugën e saj për t’u bërë anëtare e plotë e institucioneve euroatlantike dhe e bashkësisë ndërkombëtare.

“Mbështetja juaj për procesin e integrimit të Kosovës në BE është jetike dhe për shkak të angazhimit tuaj personal dhe politikës qendrore të Gjermanisë, ne jemi afër nënshkrimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit”, i ka thënë zëvendëskryeministri Thaçi, homologut të tij gjerman Steinmeier.

Marrëveshjet e arritura në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë kanë kontribuar në përmirësimin e jetës, në integrimin e qytetarëve serbë të pjesës veriore në institucione dhe në zhbërjen e strukturave ilegale serbe është shprehur Thaçi, por ato sipas tij duhet të zbatohen në tërësi nga ana e Serbisë.  

“Arritja e marrëveshjeve të reja është e rëndësishme, por më i rëndësishëm është zbatimi i plotë i marrëveshjeve të deritashme. Si shtet nuk do ta rinegociojmë asnjë çështje që e kemi mbyllur me ato marrëveshje”, ka thënë Thaçi.
 
E homologu gjerman i Thaçit, Frank-Walter Steinmeier, ka thënë se perspektiva evropiane për rajonin dhe Kosovën është e qartë dhe pozitive, por ajo gjithnjë duhet të bëhet me matje të kujdesshme në plotësimin e kushteve që ndërlidhen ngushtë me raportimet e Komisionit Evropian në Kosovë.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)