26 Prill 2024

Big Deal: Zbatimi i marrëveshjeve Kosovë - Serbi po ngec

Prishtinë, 24 prill - Vetëm katër nga 16 marrëveshjet në mes të Beogradit dhe Prishtinës të arritura në Bruksel që prej vitit 2011 janë zbatuar tërësisht, tregon një raport i ri nga “Marrëveshja e Madhe”, një nismë qytetare për mbikëqyrjen e negociatave Kosovë-Serbi.

 “Big Deal: Të humbur në ngecje” është raport i përbashkët i përgatitur nga BIRN Kosova, Qendra për Kërkime, Transparencë dhe Llogaridhënie – CRTA nga Serbia si dhe Internews Kosova.

Raporti fton të dyja palët dhe Bashkimin Evropian t’i caktojnë prioritetet e të ashtuquajturit “proces të normalizimit”, pasi që shumica e marrëveshjeve të arritura në mes të palëve nuk janë zbatuar tërësisht deri më tani.

“Është për të ardhur keq që sikurse edhe para gjashtë muajsh kur ne e prezantuam raportin tonë të parë, vetëm katër nga 16 marrëveshjet e arritura janë zbatuar në tërësi”, tha Jeta Xharra, Drejtoreshë Ekzekutive e BIRN Kosovës.

“Katër vjet pas fillimit të dialogut Kosovë-Serbi, liria e lëvizjes nuk është e plotë, barrikadat mbesin në veriun e Kosovës dhe Kosova nuk ka njohur as edhe një diplomë serbe. Dy vjet pasi që marrëveshja e shumëtrumbetuar e 19 Prillit është nënshkruar, nuk ka serbë të Kosovës në qeveri dhe njësitë e Mbrojtjes Civile nuk janë shpërbërë”, tregoi ngecjet Xharra.

Raporti është rezultat i më shumë se 100 intervistave me negociatorë, politikanë vendorë, gazetarë dhe qytetarë të rëndomtë, ndërsa për ta hartuar atë është bërë hulumtim intensiv prej më shumë se gjashtë muajsh nëpër Kosovë e Serbi. Me një shqyrtim të thellë të gjendjes së tanishme të zbatimit, “Marrëveshja e Madhe” synon ta bëjë më transparent procesin e normalizimit të marrëdhënieve.

“Mbikëqyrja qytetare është njëra nga vlerat kryesore në demokraci, por ky proces ka ngjarë prapa dyerve të mbyllura dhe informacioni për nivelin e zbatimit nuk është lirshëm i qasshëm [nuk mund të merret lehtë]”, thotë Rasha Nedelkov, menaxher i programit në CRTA.

 “Mungesa e llogaridhënies në proces, me ç’rast politikanët po e shfrytëzojnë edhe mundësinë më të vogël për të akuzuar palën tjetër për moszbatimin e asaj për të cilën është arritur pajtimi, u sjellin atyre pikë të parëndësishme politike.Në fund të fundit, shpresat e normalizimit tani janë vënë në rrezik, përderisa pritjet e qytetarëve janë tradhtuar”, shpjegoi Nedelkov.

Raporti i dytë i “Marrëveshjes së Madhe” ekzaminon dinamikën e zbatimit, e cila është penguar seriozisht nga ngërçi politik në Kosovë, vendimet nga Gjykata Kushtetuese e Serbisë dhe krizat të cilat kanë zhvendosur vëmendjen e Bashkimit Evropian nga dialogu mes dy vendeve ballkanike.

Dy vjet pas marrëveshjes së shumëtrumbetuar të arritur në Bruksel më 19 prill 2013, e cila para së gjithash u mor me mënyrën se si Kosova do t’i inkorporojë brenda institucioneve të saj katër komunat më veriore, nuk ka përparim për çështjet kryesore. Në veçanti, nuk ka asnjë lloj skice për Asociacionin/Bashkësinë e Komunave me Shumicë Serbe.

“Progresi primar qëndron në arritjen e një marrëveshjeje në shkurt për integrimin e drejtësisë në veri të Kosovës, e cila ishte paraparë dy vjet më parë në Marrëveshjen e 19 Prillit dhe në integrimin e pjesëtarëve të Mbrojtjes Civile, po ashtu e paraparë në marrëveshje”, tha Faik Ispahiu, drejtor ekzekutiv i Internews Kosovës.

“Kjo përbën përparim, por nuk mund të konsiderohet i plotë dhe shumë pengesa ende mund të dalin” deklaroi Ispahiu.

“Big Deal” mbështetet nga Zyra e Jashtme e Britanisë së Madhe dhe e Komonuelthit në Beograd e Prishtinë, si dhe Rockefeller Brothers Fund.

Ky është raporti i dytë me radhë. Raportet publikohen çdo gjashtë muaj.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)