25 Prill 2024

Gratë s’kanë trajtim të barabartë në shoqëri

Prishtinë, 20 prill -  Presidentja Atifete Jahajga ka thënë se gratë dhe vajzat ende nuk kanë trajtim të barabartë në shoqërinë e vendit tonë.

“Gratë dhe vajzat ende nuk kanë trajtim të barabartë në shoqëri. Është e vërtetë, kemi ndërtuar një infrastrukturë ligjore të avancuar, por kemi ende shumë punë për të bërë si institucione dhe si shoqëri që t’i jetësojmë ato në praktikë dhe vetëm atëherë ne mund të themi që po gratë dhe vajzat janë të barabarta në shoqërinë tonë”, ka thënë Jahjaga në hapjen e konferencës “A jam e barabartë në shoqërinë kosovare”.

Jahjaga ka shtuar se iniciativa, si kjo e sotmja, janë më së të nevojshme për t’i nxjerrë në sipërfaqe barrierat dhe sfidat e shumta me të cilat përballen gratë si në jetën private ashtu dhe në atë publike. “Përgëzoj organizatorët e kësaj konference, duke shprehur bindjen se ky projekt do të arrijë të mbledhë rreth vetes edhe më shumë përkrahës për të shtyrë përpara ndryshimet e nevojshme që do të garantojnë respektimin e të drejtave të barabarta të grave dhe vajzave. Kam qenë dhe mbetem idhtare e fuqishme e një krijimi të mekanizmave institucionalë, ligjorë e shoqërorë, të cilët e shohim garantimin e përmbushjes së të drejtave të grave dhe vajzave si të pakontestueshëm. Pra jo vetëm si një zgjedhje individuale por si obligim e përgjegjësi qytetare dhe institucionale”, ka deklaruar Jahjaga.

Ajo ka shtuar se mospjesëmarrja apo pjesëmarrja e ulët e grave është prezentë në çdo fushë të jetës. “E vëmë re çdo ditë. Gratë përballen me sfida në fusha të ndryshme të jetës, të cilat krijojnë një efekt zinxhir në gatishmërinë apo jogatishmërinë e saj për të kërkuar të drejtat e veta”, ka thënë Jahjaga.

Ajo ka deklaruar se mohimi i të drejtave të grave nuk është çështje private, dhuna në familje mbi baza gjinore nuk është çështje private, dhuna seksuale si mjet lufte e ushtruar mbi qindra mijëra gra nuk është çështje private, por është çështje që ne duhet të organizohemi si shoqëri për adresimin e duhur të tyre. “Na takon të gjithëve të dënojmë dhe të parandalojmë dhunën e ushtruar mbi gruan, si anëtarë të shoqërisë dhe si institucione duke ofruar mekanizmat e duhur për të ndëshkuar abuzuesit dhe për të rehabilituar viktimat e saj, me ndihëm e medieve duke pasqyruar e dënuar krime të tilla. Krimet mbi baza gjinore nuk janë krime me pak të rëndësishme, andaj duhet t’i trajtojmë ato me seriozitetin dhe me fuqinë që parasheh edhe ligji”, është shprehur presidentja Jahjaga.

Fjala e Presidentes Jahjaga në hapjen e konferencës “A jam e barabartë në shoqërinë kosovare”

 

Të nderuar përfaqësues të institucioneve të Republikës së Kosovës,

I nderuar zv.ministër Çelaj,

E nderuara përfaqësuese e Parlamentit Evropian, zonja Lunaçek,

I nderuar shef i USAID-it,

Dhe veçanërisht ju të dashura mike.

 

Është kënaqësi që të marrë pjesë këtu, së bashku me ju në lansimin e konferencës “a jam e barabartë në shoqërinë kosovare”, e cila ka për qëllim të nxjerrë në pah problematikat e shumta me të cilat përballen gratë çdo ditë të jetës së tyre, duke na bërë të mendojmë rreth rolit të gruas në shoqëri, rreth realizimit të të drejtave të saj si dhe rreth pritshmërive të mbarë shoqërisë për rolin e saj.


Por, ajo çfarë vlerësoj si më të rëndësishmen është që pyetja e kësaj konference na nxjerr edhe para përgjegjësisë për të pyetur veten se a bëjmë ne sa duhet për të garantuar të drejtat e barabarta të grave dhe vajzave në shoqërinë tonë.


Pa hezitim them që Jo, ne nuk bëjmë aq sa duhet. Gratë dhe vajzat ende nuk kanë trajtim të barabartë në shoqëri. Është e vërtetë, kemi ndërtuar një infrastrukturë ligjore të avancuar, por kemi ende shumë punë për të bërë si institucione dhe si shoqëri që t’i jetësojmë ato në praktikë dhe vetëm atëherë ne mund të themi që Po, gratë dhe vajzat janë të barabarta në shoqërinë tonë.

 
Në çdo pozitë që kam ushtruar, e kam konsideruar pjesëmarrjen e gruas dhe fuqizimin e rolit të saj qendror për avancimin e shoqërisë. E kam parë jo vetëm si përmbushje të të drejtave të dala nga ligjet dhe nga Kushtetuta e vendit, apo përmbushjes së një të drejte morale. Por, pjesëmarrjen e gruas e kam konsideruar si çelës për avancimin e gjithmbarshëm të shoqërisë.

Dhe ju më keni dëgjuar shpesh duke thënë se investimi në grua nuk është vetëm investim në individ, por është investim në fëmijë, familje dhe në shoqërinë dhe është investim në mbarë progresin e shtetit tonë.

Kam qenë dëshmitare e ndryshimeve të rëndësishme që pjesëmarrja e gruas ka sjellë edhe në sektorët që tradicionalisht janë rezervuar për burrat si në sektorin e sigurisë, të politikës, ekonomisë, mediave e shumë të tjerë.


Mbi të gjitha kam parë rolin e rëndësishëm që gratë kanë luajtur në kohën e luftës, në ndërtimin e paqes, në rimëkëmbjen e shoqërisë, në ndërtimin e shtetit tonë. Roli i saj ka qenë pjesë përbërëse e të gjitha këtyre proceseve që ne i kemi kaluar.

E kam parë dhe vazhdoj të shoh ndryshimin dhe progresin që sjell pjesëmarrja e grave dhe vajzave, gjithmonë e më e madhe, në çdo fushë të jetës, ndryshim i cili më nxit të vazhdoj të punoj çdo ditë e më shumë, me përkushtim të palëkundur për të garantuar përmbushjen e plotë të të drejtave të tyre dhe pjesëmarrjen e tyre të barabartë në shoqërinë tonë.

Rrugëtimi i një gruaje drejt përmbushjes së të drejtave të barabarta nuk është i lehtë. Barrierat që vijnë nga pritshmëria e familjes, komunitetit dhe e gjithë shoqëria për rolin e gruas në të, janë të shumta dhe ne e dimë këtë më së miri.

Sado që ne i kemi identifikuar ato, disa prej tyre, çështje të cilat do të trajtohen edhe në këtë konferencë, nuk kemi bërë mjaftueshëm për t’i njohur, për t’i sfiduar dhe për t’i eliminuar të gjitha këto pengesa.

Të jemi të qartë, këto barriera nuk ngadalësojnë vetëm avancimin e gruas dhe kufizojnë rolin që ajo luan në shoqëri. Këto barriera, në të njëjtën kohë, ngadalësojnë edhe ritmin e avancimit tonë të gjithmbarshëm si dhe kufizojnë progresin e të gjithë shoqërisë.

Andaj iniciativa si kjo e sotmja janë më se të nevojshme për të nxjerrë në sipërfaqe barrierat dhe sfidat e shumta me të cilat përballen gratë si në jetën private ashtu dhe në atë publike, në mënyrë që njëzëri, gra dhe burra, përfaqësues të sektorëve të ndryshëm të shoqërisë, t’i njohim ato dhe së bashku të angazhohemi për zhbërjen e tyre.

Përgëzoj organizatorët e kësaj konference, duke shprehur bindjen se ky projekt do të arrijë të mbledhë rreth vetes edhe më shumë përkrahës për të shtyrë përpara ndryshimet e nevojshme që do garantojnë respektimin e të drejtave të barabarta të grave dhe vajzave.

Mike të dashura,

Të nderuar pjesëmarrës,

Kam qenë dhe mbetem idhtare e fuqishme e një krijimi të mekanizmave institucionalë, ligjorë e shoqërorë, të cilët e shohim garantimin e përmbushjes së të drejtave të grave dhe vajzave si të pakontestueshëm. Pra jo vetëm si një zgjedhje individuale por si obligim e përgjegjësi qytetare dhe institucionale.

Andaj e udhëhequr nga kjo frymë, në tetor të vitit 2012 për herë të parë në këtë pjesë të rajonit kemi organizuar Samitin Global të Gruas, të përkrahur nga shumë aleatë, Ambasada e SHBA-ve dhe USAID-i, nga ku dolën Parimet e Prishtinës që rikonfirmuan lidhjen e drejtpërdrejtë avancimit të gjithmbarshëm të shoqërisë me garantimin e sigurisë së gruas, me pjesëmarrjen e saj në tavolinat vendimmarrëse në nivel lokal dhe atë qendror, me pjesëmarrjen e saj në tregun e punës, me qasjen e saj në pronësi dhe përmbushjen e të drejtës për trashëgimisë, me të drejtën për shkollim dhe avancim profesional dhe mbi të gjitha me të drejtën për të kërkuar njohje ligjore, institucionale e shoqërore për krimin e luftës të abuzimit seksual që u ushtruan mbi qindra mijëra gra, mbi nënat tona, vajzat tona, mbi motrat tona.

Kanë qenë këto Parime të cilat janë shndërruar në udhërrëfyes të angazhimit dhe përkushtimit tim për fuqizimin e rolit të gruas në shoqëri, dhe në ndërtimin e bashkëpunimeve të ngushta me institucione e përfaqësues të sektorëve të ndryshme.

Pasi mund t’ju them me bindjen më të plotë, se ndryshimi në pozitën e gruas do të vijë duke zhvilluar një debat të hapur institucional dhe shoqëror, duke ndërtuar së bashku sistemin e vlerave ku përmbushja dhe garantimi i të drejtave të barabarta të grave dhe vajzave kthehet në pjesë integrale të çdo qelize të shoqërisë.

Mospjesëmarrja apo pjesëmarrja e ulët e grave është prezente në çdo fushë të jetës, e vëmë re çdo ditë. Gratë përballen me sfida në fusha të ndryshme të jetës, të cilat krijojnë një efekt zinxhir në gatishmërinë apo jogatishmërinë e saj për të kërkuar të drejtat e veta.

Arsyet e këtij realiteti janë nga më të ndryshmet, por ajo çfarë i karakterizon të gjitha këto arsye është që të gjitha janë të imponuara padrejtësisht mbi gratë dhe vajzat nga familja, komuniteti, shoqëria dhe nga mungesa e mekanizmave të duhur institucional.

Mohimi i të drejtave të grave nuk është çështje private, dhuna në familje mbi baza gjinore nuk është çështje private, dhuna seksuale si mjet lufte e ushtruar mbi qindra mijëra gra nuk është çështje private, por është çështje që ne duhet të organizohemi si shoqëri për adresimin e duhur të tyre.

Na takon të gjithëve të dënojmë dhe të parandalojmë dhunën e ushtruar mbi gruan, si anëtarë të shoqërisë dhe si institucione duke ofruar mekanizmat e duhur për të ndëshkuar abuzuesit dhe për të rehabilituar viktimat e saj, me ndihëm e mediave duke pasqyruar e dënuar krime të tilla.

Krimet mbi baza gjinore nuk janë krime me pak të rëndësishme, andaj duhet t’i trajtojmë ato me seriozitetin dhe me fuqinë që parasheh edhe ligji.


Mikë të dashura,

Ne si shoqëri kemi hedhur hapa të konsiderueshëm në avancimin e rolit të gruas në shoqëri por ky progres mbetet ende i ulët veçanërisht kur kthehemi dhe shohim shifrat që vijnë nga pjesëmarrja e gruas në tregun e punës, pjesëmarrja në arsim, në politik, qasja në shërbimet shëndetësore apo në drejtësi.

Por, përkundrejt tyre, ne po bëhemi gjithmonë e më të ndërgjegjshëm ndaj realitetit se avancimi i rolit të gruas, si gjysma e shoqërisë, është i lidhur me avancimin e gjithmbarshëm të shoqërisë që prek secilin qytetar pa dallim.

Po bëhemi gjithashtu gjithmonë e më të ndërgjegjshëm që aleatët tanë në vendosjen e rendit dhe ligjit, në luftën ndaj fenomeneve negative të shoqërisë si korrupsioni, duhet të jenë pikërisht gratë, të cilat kanë dëshmuar se janë shumë më pak të korruptuara, si dhe shumë më të përgjegjshme ndaj detyrave që ato marrin përsipër t’i kryejnë, fakte të mbështetura edhe nga hulumtime të ndryshme vendore dhe ndërkombëtare.


Sot jemi më të hapur për të diskutuar rreth temave që deri pak kohë më parë konsideroheshin si tema tabu, për dhunës seksuale gjatë luftës si një mjet lufte, krim i kryer mizorisht mbi shoqërinë tonë, mbi motrat tona.

Andaj jam e bindur se së bashku, si shoqëri dhe institucione, të përkushtuar dhe të udhëhequr nga parimet më të larta të respektimit të të drejtave të barabarta të njeriut pavarësisht gjinisë, do të ndërtojmë mekanizmat e duhur institucional, ligjor e shoqëror që do garantojnë mbrojtjen dhe përmbushjen e të drejtave të grave dhe vajzave në shoqërinë tonë.

Dhe kjo nuk është e lehtë, dhe ne e dimë këtë më së miri, nuk është e pamundur sepse këtë e dimë, por do t’ia dalim së bashku.

Në mua keni pasur gjithmonë një përkrahëse të fuqishme dhe një aleate të fuqishme të promovimit dhe avancimit të rolit të gruas në çdo qelizë të shoqërisë sonë, sepse pjesëmarrja e gruas nuk mund të vërtetohet vetëm në tavolinat vendimmarrëse në nivelin qendror apo lokal, jo vetëm me pjesëmarrjen e saj në tregun e punës, jo vetëm me pjesëmarrjen e saj në pronë dhe trashëgimi, jo vetëm në qasjen në drejtësi, që ka qenë një qasje e domosdoshme deri më tash, por për të drejtën në shkollim. Sepse, ju e dini më së miri se ende në statistikat e sotme që ekzistojnë në Kosovë, gruaja është ajo e cila ende cilësohet si në shkallën më të lartë të analfabetizmit në vend. Kjo duhet të ndryshojë dhe ne këtë duhet ta ndryshojmë, sepse shoqëria jonë, sikurse çdo shoqëri e avancuar e botës, ka nevojë për transformim dhe transformimi më i shpejtë dhe më i mirë është ai përmes investimit në grua dhe për atë kam vendosur se në ditët në vijim, do t’i drejtohem Qeverisë së Kosovës me kërkesën time që ta krijojë një fond të veçantë për edukimin dhe shkollimin e vajzave dhe të grave. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)