20 Prill 2024

Veseli priti delegacionin parlamentar nga Shqipëria

Prishtinë, 17 prill - Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, priti sot në takim një delegacion parlamentar nga Shqipëria, të kryesuar nga Genc Pollo, kryetar i Komisionit për Edukim dhe Mjete të Informimit Publik të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.

Në takim u diskutua për marrëdhëniet e shkëlqyeshme që të dy vendet, përkatësisht parlamentet, kultivojnë ndërmjet tyre, ndërsa, theks i veçantë iu kushtua bashkëpunimit në fushën e arsimit.

Në këtë drejtim, u dhanë vlerësime për bashkëpunimin që Kosova dhe Shqipëria kanë pasur në këtë fushë në periudha të ndryshme kohore, ndërsa u potencua rëndësia që mbi këtë bazë, në kuadër të kushteve dhe rrethanave të reja, të çohen dhe avancohen më tej këto marrëdhënie, në të gjitha nivelet e arsimit.

Përkundër të arriturave të deritashme, u vlerësua në takim, ende ekzistojnë hapësira dhe mundësi, të cilët duhet të shfrytëzohen për të unifikuar aspekte të plan-programeve e kurrikulave arsimore të vendeve respektive, si në arsimin parauniversitar, ashtu edhe në atë universitar.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Veseli, tha se është koha e fundit që raportet Kosovë-Shqipëri të lënë pas retorikën e përgjithshme të dashurisë vëllazërore dhe të zhvillohen si raporte të bashkëpunimit dhe bashkëveprimit konkret në të gjitha fushat.

“Padyshim edukimi është një ndër prioritetet kryesore në këtë drejtim”, theksoi kryetari Veseli.

Duke shprehur kënaqësinë që gjendet për vizitë në Kosovë dhe në Kuvendin e saj, z. Pollo, nga ana e tij, vlerësoi lart frytet e bashkëpunimit të deritashëm ndërmjet dy vendeve, duke shtruar nevojën që këtij bashkëpunimi t’i jepen impulse të reja.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)