29 Mars 2024

Franca mbështet Kosovën për anëtarësim në Këshillin e Evropës

Prishtinë, 31 mars - Franca do ta mbështesë Kosovën për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe mekanizma të tjerë ndërkombëtarë, në  procesin e liberalizimit të vizave dhe për anëtarësim në BE.

Një delegacion shtatantarësh i grupit të miqësisë Francë -Kosovë,  i kryesuar nga znj. Geneviève Gosselin-Fleury, gjatë vizitës  zyrtare në Kosovë, vizitoi Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Me këtë rast, ata zhvilluan disa takime.

Në takimin bilateral mes grupeve të miqësisë Kosovë-Francë, kryetari i Grupit të Miqësisë Kosovë- Francë dhe njëherësh nënkryetar i Kuvendit të Kosovës, Sabri Hamiti , duke e përshëndetur delegacionin, shprehu kënaqësinë që dy grupet janë bashkë, duke theksuar  nevojën e thellimit të mëtejmë të bashkëpunimit,ndërmjet grupeve të miqësisë dhe parlamentave të të dy vendeve. Në këtë frymë, janë zhvilluar aktivitete të dyanshme edhe në kuadër të Bashkimit Evropian.

Edhe znj. Geneviève Gosselin-Fleury u shpreh e lumtur për këtë takim të dy grupeve,ndërsa duke folur për angazhimet rreth avancimit të këtij bashkëpunimi, ajo përmendi edhe faktin se ky grup do të angazhohet edhe për aderim të Kosovës në Këshillin Evropian.

Nisur nga kjo,Sabri Hamiti tha:”Kjo tregon se kemi pasur bashkëpunim dhe duhet ta vazhdojmë këtë udhë, duke bërë programe bilaterale. Francën e konsiderojmë ashtu si është,vend të vlerave dhe i të drejtave të njeriut. Në këtë kontekst Kosova gjeografikisht është vend evropian, ndërsa dëshirojmë që edhe politikisht të jemi në këtë bashkësi”.

Ndërkaq, ai në vijim foli edhe për dimensionin kulturor, në kuadër të të cilit Kosova ka relacione shumë të mira, ndaj në këtë mënyrë Kosova e Franca bashkëdyzojnë vlerat kulturore nacionale, ato mund të arrijnë shumë edhe në kuptimin civilizues dhe politik drejt integrimit të Kosovës në  BE.

Në takim u ngrit edhe çështja e angazhimit për njohjen e Kosovës edhe nga 5 shtetet e BE-së, por edhe nga shtetet tjera,të cilat ende nuk e kanë njohur Kosovën. 

Lidhur me këtë, z. Geneviève Gosselin-Fleury tha se ka mundësi të lobohet dhe të bëhet më shumë në këtë aspekt. Në kuadër të kësaj teme u përmend edhe nevoja e krijimit të kushteve për lëvizje të lirë të qytetarëve.

Në takim, anëtarët e dy grupeve të miqësisë u angazhuan për përcaktimin e temave në kuadër të të cilave do të bashkëpunojnë grupet e miqësisë , si në segmente nga fusha legjislative, ashtu edhe nga ato kulturore. Në këtë vështrim, ata kërkonin një specifikim të bashkëpunimit edhe në hartimin e ligjeve sa më të mira, si dhe shtimin e mbikëqyrjes së zbatimit të tyre.

Pas takimit u organizua edhe një konferencë për media, në përfundim të së cilës z. Geneviève Gosselin-Fleury, nënkryetarit të Kuvendit të Kosovës, Sabri Hamiti, në shenjë të bashkëpunimit të frytshëm të grupeve të miqësisë, ia dorëzoi pllakatin e Asamblesë së Francës.

Delegacioni i  Asamblesë Nacionale e Francës ishte në këtë përbërje: znj. Geneviève Goosselin-Fleury, kryetare e Grupit të Miqësisë Kosovë – Francë; z. Francis Hillmeyer, nënkryetar i Grupit të Miqësisë Kosovë – Francë; z. René Rouquet, anëtar i Grupit të Miqësisë Kosovë – Francë, si dhe nënkryetar i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës dhe kryetar i delegacionit parlamentar të Francës, pranë Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës,z. Pierre-Yves Le Borgn, anëtar, Jean-Luc Reitzer, anëtar , z. Thierry Beaugendre, sekretar administrativ i Grupit të Miqësisë dhe znj. Roxane Baux, atashe parlamentare e kryesueses Goosselin-Fleury .

Grupin e Miqësisë Kosovë- Francë nga Kuvendi i Kosovës e përbëjnë:

Sabri Hamiti, kryetar,Mexhide Mjaku – Topalli, nënkryetare e parë,

Glauk Konjufca, nënkryetar i  dytë,  si dhe anëtarët: Blerim Grainca, Teuta Sahatqija, Time Kadrijaj, Haxhi Shala dhe Kujtim Paçaku.

Në takimin që delegacioni parlamentar francez ka pasur me Komisionin për Punë të Jashtme  të Kuvendit të Kosovës, z Enver Hoxhaj, kryetar i këtij Komisioni, e ka falënderuar Asamblenë Nacionale të Francës, të gjitha qeveritë franceze dhe institucionet e tjera të shtetit francez për mbështetjen që i kanë dhënë dhe që vazhdojnë t’i japin Kosovës.

Kryesuesja Grupit të miqësisë Francë -Kosovë, znj. Geneviève Gosselin-Fleury, ka shfaqur kënaqësinë për këtë  vizitë e cila realizohet  pak ditë pas krijimit të   Grupit të miqësisë Kosovë-Francë, në Kuvendin e Kosovës.

Ajo ka shprehur zotimin e Asamblesë Nacionale të Francës, për vazhdimin e bashkëpunimit ndërparlamentar dhe ndërmjet dy grupeve të miqësisë, si dhe për mbështetjen e Kosovës  nga shteti i Francës.

Edhe anëtarët e tjerë të Komisionit, kanë shprehur besimin e tyre se Franca do ta mbështesë Kosovën për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe mekanizma të tjerë ndërkombëtarë, në  procesin e liberalizimit të vizave dhe për anëtarësim në BE.

Zonja Geneviève Gosselin-Fleury ka premtuar se vendi i saj do të bëjë  një sërë demarshesh për ta ndihmuar liberalizimin e vizave të BE-së për Kosovën dhe për Procesin e asocim-stabilizimit.

Në kuadër të vizitës në Kuvendin e Kosovës, parlamentarët francezë u takuan sot edhe me Komisionin për Integrime Evropiane, të kryesuar nga kryetarja e komisionit Teuta Sahatqija.

Me këtë rast u diskutua për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, liberalizimin e vizave, përfaqësimin në NATO, çështjen e migrimit ilegal, si dhe për bashkëpunimin ndërparlamnetar mes dy shteteve.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)