25 Prill 2024

Kadriu: Asnjë kërcënim nuk do të më ndal

Prishtinë, 3 mars - Deputetja e pavarur e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Margarita Kadriu, ka reaguar lidhur me bilbordat e shpërndarë nga Devolli Corporation, ku emri i saj është shkruar me shkurtesë.

Ajo ka thënë se falë një drejtësie të kapur deri në fyt, të zbehtë e të pafuqishme, të inkriminuar e të korruptuar, shpërdoruesit e buxhetit, abuzuesit e pushtetit, rrënuesit e demokracisë, mbeten ende të paprekshëm. Mirëpo, ka shtuar se nuk do të zmbrapset dhe do të jetë gjithnjë zë i fuqishëm i qytetarëve.

Ja deklarata e saj:  

\"Qytetarë të nderuar,

Fjalimet e mia si deputete e pavarur në Kuvendin e Kosovës, si dhe nisma ime për krijimin e Komisionit hetimor parlamentar për evazionin fiskal, kontrabandën, korrupsionin dhe krimin e organizuar, i paskan shqetësuar jashtë mase kompanitë e lidhura me krimin e organizuar dhe politikanë të caktuar. Unë asnjë emër konkret nuk kam përmendur, sepse e kam ditur qartë se ata do të identifikohen vetë. Tani sapo mora informatën se njëra nga këto kompani, të lidhura me krimin dhe të \"fortët\" e këtij vendi, paska shpërndarë bilborde me shkurtesat e emrit tim.

Burime të afërta me këto kompani më njoftuan që të kam kujdes, sepse diçka serioze është duke u përgatitur. Si zë kritik në Kuvend po planifikojnë të më \"heqin qafe\"(diçka e ngjashme si në Shqipëri).

Nëse dikush e ka menduar se unë do të zmbrapsem, e kanë gabim! Unë në Kuvendin e Kosovës jam zë i qytetarëve të këtij vendi dhe asnjë kërcënim e ofendim nuk do të më ndal që të mbetem gjithmonë zë i fuqishëm i qytetarëve kosovarë.

Në një shtet me sistem të konsoliduar të drejtësisë, shkelësit e ligjit do të përgjigjeshin deri në pikën e fundit, por në një shtet si ky yni, mashtruesit, dallaveraxhinjtë, linçuesit publikë dhe mentorët e tellallët e tyre, ia dalin të fyejnë e të dalin pa u lagur.

Falë një drejtësie të kapur deri në fyt, të zbehtë e të pafuqishme, të inkriminuar e të korruptuar, shpërdoruesit e buxhetit, abuzuesit e pushtetit, rrënuesit e demokracisë, mbeten ende të paprekshëm. Ata po e mbajnë peng të ardhmen tonë të përbashkët, perspektivën e fëmijëve tanë, prandaj duhet ta luftojmë këtë të keqe të madhe që ka zënë rrënjë thellë, në çdo qelizë të Republikës sonë\", përfundon deputetja e pavarur, Margarita Kadriu.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)